Në dorë të Tomës!
Nga Mero Baze
Partia Demokratike në Shkodër ka ngelur në dorë të Tom Doshit. Prej konfliktit të tij të hapur me shumicën, PD-ja iu bë mburoja kryesore politike dhe deri këtu kishte një shpjegim. Shpresa kryesore që PD-ja kishte pasi u kthye në parlament, ishte plasja e skandalit të Doshit, për të cilin Berisha ishte njoftuar siç tha 3 muaj më parë, ndërsa Basha diçka më herët. Mbështetja politike për Tomën ishte aq e madhe sa Berisha shtyu mitingun e 20 Shkurtit, që e mban prej 22 vitesh në pritje të shpërthimit të skandalit Doshi për ta bërë atë më të madh.
Por aty dhe i ndodhi problemi i parë. Skandali i Doshit jo vetëm që nuk ia rriti mitingun, por ia ktheu atë në një karrikaturë të mitingut vërtetë të madh të opozitës në Nëntor të vitit të shkuar. Deklarata se PD-së së Shkodrës se me ndihmën e Doshit do të dërgonte 12 mijë protestues, u harruan.
Pas kësaj, shpresa e dytë ishte beteja e Doshit në Shkodër kundër Bazhdarit.
Për shumë vet që nuk e dinë, beteja mes Bazhdarit dhe Doshit është beteja mes një vajze shkodrane që iu bashkua të majtës kur ishte në opozitë, me një grup bajraktarësh, që për t’i nxjerrë frikën të majtës në Shkodër i kishin futur frikën gjithë qytetit. Ky raport i vështirë nuk u qetësua kurrë dhe Bazhdari ndenji larg garave në PS para garës për deputete apo kryetare bashkie në Shkodër, për shkak të këtij konflikti.
Vendimi i saj për të kandiduar më 2015-ën, e futi në ditë të keqe kundërshtarin e saj dhe nuk mundi ta pengonte më.
E ardhur nga një familje me të shkuar antikomuniste dhe një baba që ka provuar burgun politik në komunizëm, Bazhdari nuk hynte tek ajo pjesë e së majtës shkodrane që kompleksohej nga antikomunistët e vetëshpallur, të tipit Sali Berisha. Ajo iu bashkua me vetëdije të majtës së Edi Ramës në Shkodër, po aq e pakompleksuar nga “demokratët” po aq dhe nga “të fortët” që kishin zaptuar PS-në në Shkodër.
Kandidimi i saj paralel me largimin e Doshit nga Partia Socialiste, i gjeti të papërgatitur dhe kundërshtarët e saj politik. Rritja e fushatës së saj dhe sfida reale që ajo po i bën PD-së në Shkodër, tashmë ka bërë që kjo parti, e cila nuk e ka humbur kurrë këtë qytet përveç vitit 1996, të bjerë në gjunjë sërish para Doshit për të kërkuar ndihmën e tij. Dhe ndihma e tij e vetme është që të përhapë tezën se Bazhdari është kandidate e LSI-së dhe se për këtë shkak Doshi është pro kandidates së PD-së.
Që Doshi ëdhtë me Voltana Ademin, është gjë e mirë, madje kjo duhet përsëritur çdo ditë, por që Bazhdari është socialistja më krenare e Shkodrës, e mbështetur po aq fortë dhe nga LSI, dhe kjo duhet përsëritur çdo ditë. E vërtetë është po ashtu, që për shkak të personalizimit të konfliktit Doshi-Meta, ky i fundit i ka kushtuar shumë energji fushatës në Shkodër dhe kjo është pozitive. Por beteja reale është mes një PD-je që ka rënë në gjunjë të Tom Doshit dhe një të majte që po ia heq frikën nga të fortët e Tomës, një grua.
Tezat banale që Bazhdari është e LSI-së dhe jo e PS-së dhe se Doshi po kthehet të mbështet Voltanën, janë lajme paniku.
Nuk është kurrëfarë lajmi që Keti Bazhdari të mos e fitojë Shkodrën. Nuk është as kurrëfarë tragjedie që Volta Ademi të humbasë garën. Dikush prej tyre do humbasë pas 21 Qershorit. Tragjedi është të dorëzohesh një muaj para. Tragjedi për PD-në e Jozefinës është që të bjerë në gjunjë të Tomës dhe jo vetëm të forcës së tij fizike apo financiare, por dhe ideve të tij. Sot PD-ja flet si Toma, Berisha sulmon si Toma dhe Voltana ka shpresë se idetë e Tomës do ta nxjerrin fituese. Madje për ta bërë deri në fund qesharake këtë skemë, Doshi mbështet Voltanën në Shkodër dhe një të majtë në Bushat, për të treguar se është ende socialist.
Kjo është e gjitha një karrikaturë që dëshmon degradimin e PD-së, por jo të Doshit, pasi ai po tregon se është i dobishëm ende për diçka në atë qytet. Në ditët e tij më të këqija, ai vlen së paku për PD-në dhe u jep zemër atyre se mund të mos humbasin në Shkodër. Lajm më të keq për një parti të madhe historike nuk mund të ketë.
Për Bazhdarin nuk ka asgjë të re këtu. Socialistët duhet ta dinë mirë se ata janë më të nderuar në Shkodër, nëse arrijnë të ruajnë fitoren “e humbjes së Doshit”. Bazhdari i duhet Shkodrës për një qeverisje të re, që mund ta ndaj nga 24 vjet anarki, por Shkodra nuk i duhet Bazhdarit, si “fishekë në pajë”. Socialistët e Shkodrës aq sa janë, duhet të besojnë se dikush mund t’i bëjë fitimtarë me votë. Por dhe në mos besofshin deri këtu, duhet të binden së paku se dikush po i bën më të lire, qoftë dhe për të treguar që janë socialistë. Mjafton që kjo vajzë ka detyruar PD të bjerë në gjunjë të Tomës, që ata të jenë krenare me të.
Gazeta "Tema"