Në gjuhën e shifrave, Shqipëria që lëngon
Nga Ermir Gjinishi –
Fillesat e numrave të parë të shkruar datojnë rreth 5000 vjet (p.e.s) në Egjiptin e Lashtë dhe në Mesapotami te sumerët. Në një farë mënyre e gjithë jeta e njeriut kalon nëpër shifra. Shifrat janë ato që qartësojnë realitetin e gjithçkaje, në një kohë kur bota virtuale e Fake News arrin ndonjëherë deri dhe ta dekompozojë të vërtetën. Përtej, makiazhit, spekulimit, manipulimit, retorikës apo mashtrimeve elektorale, gjuha e shifrave tregon fytyrën reale të Shqipërisë që lëngon. Borxhi publik, varfëria, niveli i papunësisë, tkurrja demografike po na vret.
Shqipëria ka borxhin publik më të lartë në rajon. Sipas FMN autoritetet shqiptare kanë dështuar në pregatitjen e një strategjie afatmesme për të ardhurat. Borxhi publik në 2020 është parashikuar të arrijë pikën kulminante për dekadën e fundit. Pritshmëritë për përmirësim janë pesimiste.
Borxhi i raportuar në vitin 2019 ishte 9 miliardë euro. Por këtu nuk janë përfshirë shuma të tjera të mëdha, si 2.2. miliardë $ të kontratave PPP, kreditë e parashikuara për dëmet e tërmetit apo detyrimet e shtetit ndaj gjykatave ndërkombëtare ku vetëm rasti Beccheti kap vlerën e 140 milion euro. Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton se Shqipëria ka një tabelë borxhi të fshehur prej 610 milion euro. Referuar këtij raporti, nëse përfshihen zërat e mësipërm, borxhi real arrin në 81% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP). FMN vazhdimisht kritikon qeverinë shqiptare për PPP-të, megjithatë edhe në kulmin e krizës financiare dhe borxhit publik, në mes të pandemisë, qeveria ethshëm, jashtë cdo lloj gjykimi racional ligjshmërie, pavarësisht refuzimit publik dhe ndërkombëtar, dhunshëm, me arrogancë kaubojsësh, jashtë çdo legjitimiteti, rrafshon Teatrin Kombëtar për t’i shtuar edhe 30 milion euro të tjera borxhit, si të jetë duke synuar ndonjë rekord Gines.
Referuar të dhënave nga INSTAT borxhi për frymë që ka mbi shpinë çdo shqiptar, madje edhe foshnja i porsalindur, është 3150 euro. Në vitin 2013 kur erdhën në pushtet “rilindasit e rinj” (term i pa dëgjuar kund në vendet demokratike), nuk pushonin së klithuri deri në histeri për borxhin 5,9 miliard euro të asaj kohe, dhe shqiptarët besuan se e kishin seriozisht, se do ndyshonin dicka. Më 2020-ën, ky borxh pritet të arrijë në 13 miliard euro kur projeksioni i GDP-së pritet të jetë vetëm 14 miliard euro, dmth borxhi do të jetë 92% e GDP-së. Alarmi i dhënë nga biznesi shqiptar mbi financat e vendit është rrënqethës. Qendra e Studimeve të Konfindustrisë vlerëson se borxhi rrezikon të tejkalojë 100% të PBB në fund të vitit 2020, thënë ndryshe FALIMENT.
Papunësia është një tjetër problem që reflekton impotencën profesionale dhe mungesën e strategjisë së rilindasve të rinj. Sipas INSTAT, 671 mijë ose 23.4% e shqiptarëve janë të kërcënuar nga varfëria. Niveli i varfërisë në Shqipëri është më e larti nga të gjithë vendet e BE-së, ndërsa në Ballkanin Perëndimor na e kalon vetëm Serbia.
Papunësia tek të rinjtë mbetet alarmante. ILO (Organizata Botërore e Punës) raporton 32.8% të rinj të pa punë për vitin 2019. Dhe kjo shifër përfshin vetëm të rinjtë. Përtej fitoreve donkishoteske të qeverisë ndaj “armikut të pa dukshëm”, pasojat e Covid 19 në tregun e punës janë më të rëndat në Ballkanin Perëndimor. Sipas Bankës Botërore, papunësia në Shqipëri vetëm për 3 muaj u rrit me 25 %.
Parashikimet mbi vendin tonë janë më tepër se pesimiste. E ndërsa OKB parashikon se 30 vitet e ardhëshme popullsia e botës do të rritet me 2 miliardë banorë, shifrat e Eurostat e klasifikojnë Shqipërinë si vendin që ka ka tkurrjen më të madhe të popullsisë. Ne po shuhemi. Shtesa natyrore e popullsisë ka rënë në 89% krahasuar me vitin 1990. Rënia demografike e vendit është alarmante. Numri i vdekjeve po barazohet me numrin e lindjeve. Lindjet kanë një rënie me 1.37% ndërsa vdekjet janë në rritje me 0.6%. Shqipëria ndodhet nën nivelin 2.1 të ripërtëritjes së popullsisë dhe nën mesataren prej 1.55% të BE-së.
Referuar statistikave kombëtare, mosha mesatare e popullsisë shqiptare në vitin 2018 ishte 35.4 vjeç. Sipas raportit të OKB-së Shqipëria renditet në top listën e 10 vendeve me plakjen më të madhe në botë.
Ndërkohë që Censusi i vitit 2011 numëron 2.846 milion banorë rezidentë, sipas projeksioneve të OKB-së parashikohet që Shqipëria në vitin 2100, në rastin më të mirë të ketë 1.9 milion banorë dhe në rastin më të keq 512 mijë. Edhe në projeksionin e INSTAT, në skenarin e mesëm, parashikohet që Shqipëria në vitin 2061 të ketë 78% të popullsisë aktuale. Kjo rënie e madhe demografike mbart kosto ekonomike të parikuperueshme në planin afatgjatë, por jo vetëm.
Vendi ynë renditet “Number One” në Europë për emigracion masiv. Prej 3 dekadash rreth 40% e shqiptarëve kanë ikur jashtë, rreth 1.112000 banorë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se më 2019 rreth 44 mijë persona ikën emigrantë. Ky është niveli më i lartë i emigracionit që nga viti 2014.
Në këtë bjerrje jashtë kontrolli, “Brain drain” ikja e trurit, është fenomeni më shqetësues. Vetëm mjekë janë mbi 3000 të larguar, ndërsa infermierë në tre vitet e fundit janë plot 3500. Në 2019 kanë ikur 1640 infermierë, ndërkohë që nga bankat e shkollës dalin vetëm 1300 infermierë në vit. Shërbimi ynë shëndetësor është në kolaps, drejt falimentimit.
Erozioni vazhdon. Shqipëria mban vendin e 2-të për ikjen e të rinjve të shkolluar në vendet e Europës Juglindore. Sipas një studimi të vitit të kaluar nga Fondacioni “Friderich Ebert” 43% e të rinjve shqiptarë duan të largohen nga vendi. Përkthyer në shifra janë 285 mijë të rinj që planifikojnë të largohen. Shqipëria renditet në listën e 10 vendeve me nivelin më të lartë të të azilkërkuesve, bashkë me Venezuelën, Sirinë, Iranin, Afganistanin, Turqinë dhe Nigerinë. Shqipëria jonë, përtej retorikës boshe të rilindasve konkuron vende që janë në luftë, diktatura ose autokraci të thella. Vetëm për periudhën janar-korrik 2019 Zyra Europiane e Mbështetjes së Azilkërkuesve (EASO) raporton mbi 22.000 shqiptarë që kanë aplikuar për azil në vendet e BE-së.
Raporti i Freedom House 2020, me 67 nga 100 pikë, e cilëson Shqipërinë si një vend pjesërisht të lirë. Pluralizmi politik, të drejtat politike dhe civile, procesi zgjedhor dhe funksionimi i qeverisë janë katëgori me tregues në rënie. Raportet mbi lirinë e medias mbeten shqetësuese.
Rezultati i Venecias, të paktën 3-0 kundër qeverisë së rilindasve, është këmbana e alarmit për dështimin qeverisës të vendit. Për herë të parë pas 3 dekadash qeveria insistoi të bëjë zgjedhje monopartiake ku fituesi është i paracaktuar, pa konkurenvë. Këtë absurd do ta kishte zili dhe Kamy. Pas kapjes së sistemit të drejtësisë, intimidimit dhe presionit ndaj medias, rilindasit e rinj e futën vendin në një demokraci moniste. Ideja e ruajtjes së stabilitetit i ngjan atij folisi të stisur që nuk i përket dheut tonë. Stabiliteti politik në këmbim të cilësisë së demokracisë është opsion i vendeve diktatoriale, ose atyre në konflikte.
Të gjithë bien dakort se arsyet e këtyre rezultateve shifrore janë niveli i ulët i pagave në rajon, standarti i ulët i jetësës, niveli i lartë i papunësisë, niveli i sigurisë publike, mungesa e besimit për përmirësimin e situatës, krimi i organizuar, korrupsioni në ekonomi dhe drejtësi. Megjithatë, qeveria nuk sheh asnjë shqetësim. Ekzipicioni mediatik i rilindasve të rinj i ngjan një ereksioni politik infantil i cili mban të intubuar orgazmën e papërgjegjshmërisë.
Qeveria shqiptare e ka humbur popullin. Ne rrezikojnë të klasifikohemi si një vend i depopulluar. Qeveritarët tanë kanë dështuar. Në vend të një projekti të detajuar për të dalë nga kjo situatë, mjaftohen me batuta ironike. “Justifikimi” se shqiptarët ikin për një jetë më të mirë ka një përgjigje reale dhe llogjike. Ju zotërinj, nuk u keni dhënë mundësi shqiptarëve ta kërkojnë jetën e mirë në vendin e tyre. Ju ua keni mohuar Shqipërinë shqiptarëve. Ka ardhur koha që shqiptarët t’ju thonë na ktheni Shqipërinë.