Në kërkim të kasetës që na tregoi Borell
Nga Poli Hoxha – Këtë të hënë (23 nëntor 2020) pati dy lajme, të cilat e lidhin Edi Ramën direkt dhe indirekt me Kosovën dhe Serbinë.
I pari ka të bëjë me botimin e kujtimeve të ish futbollistit të njohur serb të Crvena Zvezdës, Romës, Lacios, Sampdorias dhe Inter, Sinisha Mihajloviç
‘I dashur mister,
Jam Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ish-lojtar i Kombëtares së basketbollit shqiptar dhe një admirues i vjetër i Sampdorias së Vujadin Boshkovit. E mora numrin tuaj të telefonit nëpërmjet mikut tonë të përbashkët, Aleksandar Vuçiç. Folëm për ju dje në mbrëmje këtu në Novi Sad. Kam dashur gjithnjë t’ju shprehja admirimin tim për egërsinë me të cilën po përballoni armikun tuaj më të frikshëm të jetës, por edhe për t’ju thënë se pasi keni mundur shumë portierë direkt nga goditjet e dënimit, ju me siguri jeni i zoti të mundni edhe hijen që është vendosur mes jush dhe portës tuaj të së ardhmes. E di shumë mirë rrezikun që mesazhe të tilla solidariteti mund të bëhen të mërzitshme për një kokëfortë si puna juaj, por ju siguroj se ky i imi nuk është një mesazh i kësaj natyre. Përkundrazi, është shprehje e një admirimi antik’.
E sollëm të plotë, për të theksuar se ky që shkruan në këtë mënyrë private është kryeministri i Shqipërisë, siç edhe e prezanton në librin e tij Mihajloviç.
Me këtë tekst nuk do të ishin njohur kurrë shqiptarët këtu, në Kosovë e në gjithë botën, nëse ish-futbollisti serb, ndoshta edhe në konsultim, nuk do ta përzgjidhte për librin e tij me kujtime.
Edi Rama e mbajti privat në telefon, vetëm për shpirtin e tij dhe në dijeni të mikut Aleksandër Vuçiç, por ja që serbët tashmë e lexuan dhe pas tyre edhe shqiptarët.
Nuk është ndonjë problem fakti, që ai bën tifozin e kompleksuar me admirim ndaj një serbi të njohur ndërkombëtarisht, i cili e pranonte me krenari se ishte mik i super-kriminelit të urryer nga të gjithë popujt e Ballkanit përveç atij atyre që ende janë shumicë në Serbinë e Vuçiç; ‘Tigrit Arkan’.
As për pështjellimin deri në të vjella që të shkakton ‘adhurim antik’ i Edi Ramës, deri në përulësi; as kompleksi i shërbëtorit. Ka diçka që i tejkalon të gjitha këto, kur mendon miqësinë e ngushtë me Aleksandër Vuçiç për 8 vite rresht. Miqësi që nuk u zbeh kurrë, as kur Kosova sulmohej me trena ‘Kosovo je Srbije’
Por Andi Bushati si anti-Ramist i shquar që është, ja bëri një alibi të shpejtë në faqen e tij në FB. ‘Kjo letra për shokun e Arkanit, Mihajloviçin, më shumë se sa për patriotizmin, flet për karakterin e Ramës. Problemi i tij nuk qëndron se është pro serb, porse doli edhe tifoz i Sampdorias (Pas Interit dhe Juventusit). Mëkati i tij nuk është shoqëria me Vuçiçin, por kompleksi për t`iu lëpirë çdo të famshmi, kushdo qoftë. Të gjithë ata që ndihen të cenuar në sedrën kombëtare, nuk duhet ta shigjetojnë si tradhtar, por thjesht si hipokrit’, shkroi Bushati.
Më bukur, nuk bëhet! Dakord Mihajloviçin e adhuron se është i famshëm si futbollist, pavarësisht se për shqiptarët e Kosovës më shumë është i famshëm sepse ju përgjërua NATO-së, që më mirë ti hidhte bombat mbi trupin e tij, se sa mbi makinerinë militare dhe paramilitare të Sllobodan Milosheviçit, që vriste edhe fëmijët duke pirë gjirin e nënës.
Po Aleksandër Vuçiçin përse e adhuron dhe e ka mik, edhe pse gjatë tetë viteve që janë bërë ‘mish e thua’, Serbia është fuqizuar më shumë se kurrë në axhendën anti-shqiptare dhe çështja e Kosovës vajti përfund?! Këtu është momenti që të kalojmë te lajmi i dytë i kësaj të hëne, i cili ndërlidh Edi Ramën me Kosovën dhe Serbinë.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, deklaroi për mediat serbe se ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, jo vetëm ekziston por edhe ka qenë në tryezën e dialogut. ‘Disa muaj më parë kishte një propozim për të shkëmbyer territore. Por kjo nuk është më një opsion,’ deklaroi ai duke e quajtur si vdekjen e këtij plani, kundërshitimin e pa-negociueshëm të disa vendeve të fuqishme në BE dhe marrëveshjen e 4 Shtatorit në Uashingtonit.
Për ata që harrojnë, kujtojmë se atë ditë menjëherë pasi Hoti dhe Vuçiç hodhën firmat mbi një dokument ku ‘ndarja’ ishte e padiskutueshme, Edi Rama shkroi një twitter ngazëllues:
Asnjë tradhti burra! As vetë presidenti Hashim Thaçi i cili ishte akuzuar hapur, se në mënyrë jo transparente udhëhoqi në emër të Kosovës bisedime të fshehta me harta e kufij të rinj së bashku me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç për më shumë se 2 vite, nuk u hodh përpjetë si Edi Rama.
Andi Bushati shkruan se ‘është çështje karakteri dhe jo tardhtie’, por ja që Rama del dhe bërtet vetë: Nuk kishte tradhti! Ndaj, le të sjellim në mënyrë telegrafike disa dëshmi dhe fakte. Ndarja e territorit që konfirmoi Borell dhe të cilën Rama e ka mohuar me zjarr, u godit fillimisht nga taksa 100% e ish- kryeministrit Ramush Haradinaj.
Pastaj u hodh poshtë në mënyrë të pa-negociueshme në Samitin e Berlinit dy vjet më parë. Goditjen e fundit formale, e mori nga një prokuror amerikan i cili i ndryshoi biletën e udhëtimit Hashim Thaçit; nga Prishtinë – Uashington në Prishtinë – Hagë. Gjithashtu kemi edhe shumë dëshmi të qarta. Ish-këshilltari i presidentit Trump për Sigurinë, Xhon Bolton, konfirmoi se ka pasur një plan për marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, e cila do të përfshinte edhe shkëmbimin e territoreve, por SHBA nuk ka qenë palë pasi kjo ishte lënë në dorë të Vuçiç dhe Thaçit, të cilët po kryenin bisedime intensive e jo transparente.
Nëse i kthehemi marrëveshjes së parë në të cilën për shumë binte ‘erë tradhti’, në Prishtinë e në Tiranë, mund të hedhim pak dritë edhe për rolin e Edi Ramës i cili për shumëkënd, ka qenë ka qenë kyç. Menjëherë pas Samitit të Berlinit kur Rama në mënyrën më të turpshme në sy të Vuçiç, Merkel e Macron u përpoq që të shantazhojë Ramush Haradinajn, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, zbuloi se plani për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë kishte qenë i tij dhe se ai kishte dështuar në atë Samit. Por të mos harrojmë që për këtë plan, Edi Rama preu kokën e Ditmir Bushatit, i cili mbronte qëndrimin e Gjermanisë, ndërsa për publikun, qeveria shqiptare e shiste si një detyrim-përcaktim nga SHBA dhe Brukseli i kohës së Mogherinit.
Mbështetësit e atij plani me në krye mikun dhe këshilltarin në hije të Ramës, Baton Haxhiun, pushtuan të gjitha studiot televizive të mundshme të medieve për t’u mbushur mendjen shqiptarëve se Kosova nuk ka zgjidhje tjetër; se plani do u jepet palëve vetëm për nënshkrim dhe se ai na qenka rruga e vetme drejt paqes Serbi – Kosovë! Samiti i Berlinit e faktorë të tjerë më pas e denoncuan dhe dekonspiruan këtë plan, por ‘çuditërisht’ nga goja e Edi Ramës nuk doli kurrë (as sot) një fjalë që ta dënonte.
Ecim më tutje, sepse duhen rikujtuar, edhe shumë dëshmi të përfshirjes direkte të tij në këtë tentativë anti-Kosovë; pra pro Serbi. Arsyet mund të jenë edhe ‘karakteriale’ e jo ‘tradhëtore’, por nëse realizohej përfundimi do të ishte thjesht anti-shqiptarë.
Kujtojmë: Ish-ministrja e Jashtme dhe ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë në Bruksel, Edita Tahiri, bëri në atë kohë një denoncim të fortë duke deklaruar se Rama dhe Vuçiçi kishin rënë dakord për këtë plan, që në takimin e tyre në Nish në vitin 2016. Më herët, edhe ish-ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç denoncoi treshen Vuçiç – Rama – Thaçi për këtë plan si dhe për lobimin e madh ndërkombëtar që po bënin për realizimin e tij. Edhe Sonja Birseko, Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi kishte thënë në tetor 2018, se Vuçiç dhe Rama ishin marrë vesh në Nish për planin e ndarjes së Kosovës.
Kurse në gusht të vitit 2018 një personalitet i politikës botërore, ish-Kryeministri i Suedisë Carl Bildt në një artikull për Uashingon Post shkruante se, Kryeministri Rama i kishte thënë personalisht se ishte dakord me idenë e Vuçiç për shkëmbime territoresh me Kosovën. Ndërkohë ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi hapur dhe me bindje, se kryeministri Rama ka qenë i angazhuar në projektin për ndarjen e Kosovës.
Plot 8 herë (më shumë se me çdo udhëheqës tjetër) është takuar Edi Rama me `mikun Aleksandër`, pikërisht në periudhën që po gatuhej ndarja e Kosovës. Për gati 3-vjet, Aleks Soros, ndërlidhi me udhëtime të shumta në trekëndëshin e vilave rezidenciale, Vuçiç, Thaçin dhe Ramën, vetëm për këtë plan të gatuar nga dega Soros në Beograd siç u vërtetua. Tani meqenëse jemi në fushatën e Edi Ramës për të gjetur ‘kasetën e Krushës’ të transmetuar dhjetëra herë dhe që e paska zhdukur Lulzim Basha, a nuk do të ishte më mirë që të shpallnim në kërkim `kasetën e rëndë` të ndarjes së Kosovës, për të cilën na njoftoi këtë të hënë vetë Borell?!
Masakra e Krushës është shfaqur për gjithë botën, por duam të dimë çfarë fsheh ajo e ‘masakrës së territoreve’ të Kosovës! Me këtë rast kuptojmë më shumë, edhe mbi ‘admirimin antik’ të kryeministrit të Shqipërisë për Mihajlloviçin edhe karakterin ‘e keq’ që ja ka zbuluar Bushati. Pak i gjatë si shkrim me fakte dhe deklarata, por është e vetmja mënyrë që të mos harrojmë! Syri.net