Në kërkim të një njeriu….

Nga Mentor Kikia-

Abraham Linkolni është një figurë që më frymëzon edhe kur nuk jam mirë më shëndet. Kthehem rregullisht dhe lexoj e rilexoj nga jeta dhe për jetën e tij. Unik, në çdo drejtim, dhe një nga më të mëdhenjtë që ka nxjerrë njerëzimi.

Në përfundim të luftës civile, ai mbajti një fjalim me vetëm 10 rreshta, ndër të cilat tha: “Gjaku i atyre që u vranë në këtë luftë nuk u derdh kot; se ky vend, me hirin e Zotit do të përjetojë një rilindje të lirisë, dhe se qeveria e popullit, e dalë nga populli dhe që punon për popullin nuk do të zhduket nga faqja e dheut.”

Njerëz të tillë nuk lindin shpesh, dhe unë nuk shpresoj që ndonjë “farë” e tillë të jetë sjellë nga era edhe këtyre anëve.

I dëgjoj fjalimet e politikanëve tanë, që flasin me orë të tëra dhe nuk thonë asgjë. I shikoj hipokritë kur bëjnë “adetin” për të nderuar çdo 5 Maj të rënët për Atdhe, ndërsa përbetohen pa pikën e sinqeritetit dhe idealizmit, për të punuar për të mirën e vendit dhe popullit.

E dëgjoj shpesh pyetjen: Përse nuk doli një njeri këtu që të mendojë e punojë për këtë vend?
Por si duhet të jetë ai njeriu:

Të jetë si herkuli i filmave epikë që të vrasë “tiranët”?

Të jetë një njeri që të ketë zgjidhjen magjike të zhvillimit të këtij vendi?

Unë mendoj se nuk duhet të jetë as njëri e as tjetri. Por të jetë një njeri që së pari ta dojë këtë vend e këtë popull, dhe të punojë për të me shpirt dhe ndershmëri.

Linkolni u bë president në një kohë kur fjalimet e fushatës i mbante hipur mbi fuçitë e drurit në porte, në skela, apo mbi karro. Amerikanët i besuan fjalës së tij dhe jo pudiumit.

Linkolni i ngjiste fjalimet e tij të shkruara me dorë në trungjet e pemëve e shtylla, dhe njerëzit i lexonin.
Sepse nuk ka rëndëi ku flet e ku shkruan, por çfarë thua e çfarë bën!

Ndërsa ne shqiptarët sot, për fat të keq, dashurohemi me dekorin e skenës së mitingjeve, i cili shpesh nuk i lë gjë atij të festivalit të Kanës. Dhe mendoj se është edhe faji ynë që ne nuk gjejmë dot një udhëheqës të vërtetë.

Po po, është shumë edhe faji ynë!

SHKARKO APP