Në luftë, “viktima” e parë është e vërteta
Nga Majlind Lazimi –
Kemi më shumë sesa 7 dekada që debatojmë mbi datën e çlirimit dhe nëse gjermani i fundit ka ikur me datë 28 apo 29 Nëntor. Ndërsa në luftën tonë me “armikun e padukshëm”, pra me koronavirusin, ndoshta nuk do ta dimë kurrë se kur e kemi filluar (i infektuari zero). Edhe ajo që është më e rëndësishme dhe askush nuk e thotë dot, kur do ta mposhtim plotësisht koronavirusin duke shëruar edhe pacientin e fundit të infektuar.
Ajo që dimë me siguri është që izolimi/karantinimi përveç se ja vështirëson efektin “domino” koronavirusit për të infektuar në masë popullatën, i jep “frymëmarrje” sistemit shëndetësor për të përballuar një vërshim të qytetarëve në dyert e spitaleve. Ky është leksioni i hidhur që kemi fatin ta mësojmë nga Italia dhe Spanja.
Për ilustrim të kësaj situate është njëlloj sikur në Tiranë të ishte i hapur vetëm marketi Spar në TEG, ku brenda 2 orëve do të boshatisej i tëri. E njëjta llogjikë, funksionon edhe me sistemin bankar. Qoftë dhe banka më e fuqishme dhe më me shumë likujditete, nëse të gjithë klientët e saj do të donin të tërhiqnin depozitat në të njëjtën kohë, do të falimentonte.
Megjithatë, atë qe dimë të gjithë është se masat ekstreme të karantinimit i japin “kohë” sistemit shëndetësor të reagojë, por nuk garantojnë në finale një numër më të ulët të të infektuarve. Pra, statistikisht sipas “kurbave” të ekspertëve ne dimë që numëri i njerëzve që do të infektohen eventualisht deri në fund të pandemisë, është pothuajse i njëjtë me ose pa masat ekstreme të karantinimit.
Nëse këto statistika janë të vërteta, atëherë në raport me kohën duhet të vendosim prioritetet. Nuk ka konflikt prioritetesh mes shëndetësisë dhe ekonomisë. Mbijetesa, që në zanafillën e njerëzimit është diktuar nga nevojat primitive për të kapur “gjahun dhe për tu ushqyer”, pavarësisht rrezikut të madh për t’ia rritur këtij qëllimi. Në këtë kuptim, llogjika dhe presioni i kohës na mëson se me kalimin e javëve të prillit deri në fillim të majit, do na duhet të vëmë në diskutim “instrumentin” e karantinimit total të popullatës, sepse fatkeqësisht do të përballemi me zgjimin e instikteve primitive të qytetarëve, ku ekonomia dhe të ardhurat për të siguruar jetesën e përditshme do të prevalojnë mbi probabilitetin më të lartë të infektimit dhe shumë balanca të bashkëjetesës kolektive mund të vihen në pikëpyetje.
Thënë ndryshe me kalimin e kohës e gjithë sistemi ekonomiko-social vihet në diskutim dhe vazhdimi i masave ekstreme të karantinës do të jetë objektivisht një opsion jo i preferuar. Nuk do të jetë në diskutim “frymëmarrja e sistemit” shëndetësor, por ajo e vetë shoqërisë.
Prandaj duhet të bëjmë “analizën e kostove dhe përfitimeve” për çdo masë ekstreme të karantinimit të zgjatur në kohë. Ky është një ushtrim që u takon më shumë ekonomistëve, sociologëve, psikologëve sesa vetë doktorëve. Për shembull, një masë që besoj se do të ketë konsensusin e të gjithëve është karantinimi i pensionistëve, pa afat kohor, qoftë deri në qershor nëse do të jetë e nevojshme. Natyrisht, ata janë grupi më i rrezikuar nga koronavirusi, nuk kanë “kontribut real” si kapital njerëzor në ekonomi pra nuk presim të “prodhojnë të mira për ekonominë”, ndërkohë që konsumi i tyre është afërsisht konstant, si të rrinë kyçur në shtëpi si të dalin jashtë.
Gjithashtu, ndërkohë që po gjurmojmë me të drejtë të infektuarit për koronavirus, ne nuk kemi një “skanim” si është gjendja e shumicës së popullatës që nuk është infektuar por që vuajnë nga sëmundje të tjera kronike, situata shëndetësore e të cilëve do të përkeqësohej më shumë për shkak të pamundesive financiare që shkakton karantinimi total. Pra, brenda disa javëve duhet të pyesim veten, mos vallë karantinimi mund te përkeqësojë shëndetin e shumicës së painfektuar me koronavirus, por qe kanë dhjetëra sëmundje të tjera vdekje-prurëse? Pra në finale a rrezikojmë të kemi më shumë vdekje nga agravimi i situatës ekonomiko-sociale sesa nga koronavirusi? Sa do të jetë e menaxhueshme situata e rendit publik kur kemi të burgosur që janë liruar dhe nuk kanë çfarë të humbasin? Kur kemi njerëz të varfër rrugëve që në “kohë paqe” mund të rrëmojnë nëpër kazanë dhe në këto kohë nuk e bëjnë dot? Apo qytetarë që ishin të detyruar të punojnë në të zezë, ndërsa sot janë të karantinuar dhe vrasin mendjen sesi do të ushqejne fëmijët?
Këto janë vetëm disa nga dilemat që mund të ballafaqohemi në ditët dhe javët në vazhdim dhe fatkeqësisht vetëm keshilla e njohur “rrini në shtëpi” mund të mos “pijë ujë”. Një gjë është e sigurtë. Sado që të rrimë në karantinë, askush nuk e di nëse i “infektuari i fundit” është shëruar kur të dalim në ajër të pastër.