Në Parlament, “Punë qensh”!
Pavarësisht temës së debatit a është normale që Kryeministri dhe ish-Kryeministri të flasin me një gjuhë të tillë në Kuvend? Në seancë, diskutohen teza politike, miratohen ose kundërshtohen reforma e ligje që normalisht nxisin debate, përplasje politike e programesh ekonomike.
Nga Qamil Xhani
E enjtja e seancave të Kuvendit, më shumë se politikë dhe ligje, prodhon sherre, akuza, sharje, fyerje dhe batuta. E djeshmja nuk ka ndryshuar nga seancat e tjera. Vetëm se akuzat kanë qenë më të forta, përplasjet fizike janë shmangur nga Garda e Republikës dhe akuzat ishin më të hidhura. Në një moment ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka u turr drejt Kryeministrit Rama fizikisht, por falë Gardës nuk shkoi më tej.
Tema kryesore e sherrnajës ishin zgjedhjet në Dibër. Socialistët shfrytëzuan rastin për të treguar dhe një herë se Dibra ishte suksesi i reformave. Dhe fitorja i takon qeverisë së Kryeministrit Edi Rama. Demokratët përsëritën qëndrimin se votat e Dibrës u blenë me fonde të qeverisë, tenderat e biznesmenëve dhe hashashin e mbjellë në gjithë vendin. Debatin për Dibrën e anashkaloi deklarata e deputetit Flamur Noka, i cili njoftoi përpara se policia të jepte deklaratë për rrëzimin në Ishëm të Durrësit, të një avioni që dyshohet se vinte në Shqipëri për të transportuar drogë. Edhe pse policia nuk ka faktuar ende nëse avioni ishte për transport hashashi, apo siç thotë piloti për turizëm, “mushkonjat e drogës” u ulën edhe dje në Kuvend. Ndonëse duket paksa paradoksale që të vijë plakur shëtitës italian nga përtej Adriatikut për shëtitje me avion mbi Ishëm!
Por kulmi i debatit dhe sherrit arriti në një tjetër pikë. Ishte Kryeministri Edi Rama që në fjalimin e tij në Kuvend, iu rikthye filmit të publikuar në SHBA, “War Dogs” (Qentë e luftës), subjekti, i të cilit bazohet në ngjarjen e Gërdecit në Shqipëri. Në fjalën e tij, Rama me ironi i shprehu Berishës vlerësimin që një politikan shqiptar është bërë pjesë e një filmi të Hollivudit. Ironi therëse! Në këtë pikë, nuk hezitoi ta cilësonte Berishën si një war dog (qenë lufte) të vërtetë. “Do doja t’i uroja (Berishës) përpara Parlamentit dhe para popullit shqiptar, një arritje që nuk besoj se tjetër figurë e politikës shqiptare do ta arrijë ndonjëherë, futjen në Hollivud. Të përgëzoj që arrite të bëhesh frymëzim edhe për Hollivudin dhe sugjeroj që atë zyrën e avokatisë që ke, ta vësh në veprim për të drejtat e autorit, sepse filmi “War dogs”, pa ty nuk do të ishte krijuar nga Hollivudi. Je një “War dog” i vërtetë dhe fakti që nami mbërriti deri në Hollivud është vërtet një arritje e suksesshme”,- tha Rama. Me shpoti nuk kishte se kaq. Therëse si goditje politike!
Kaq ka mjaftuar dhe në Kuvend ka nisur sherri. Deputetët e PD-së, janë ngritur në këmbë duke kërkuar nga Rama të kërkojë ndjesë për fyerjen që bëri ndaj Berishës duke e cilësuar si “qen lufte”. Është dashur ndërhyrja e Gardës së Republikës për të ndaluar përplasjen fizike mes deputetit Flamur Noka dhe Kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë që, pjesë e sherrit dhe fyerjeve u bë dhe deputeti i Dibrës, Sadri Abazi. Pas disa minutash ndërprerje të seancës, debati ka rinisur sërish në pikën ku u mbyll. Te çështja e qeneve.
Ish-Kryeministri Sali Berisha zgjodhi t’i përgjigjej Ramës me të njëjtën mënyrë. “Unë mund ta quaja Rama qen i Emiljano Shullazit, qen i Ymer Lalës, por unë kam etikë, unë mund ta quaj qen droge. Qen droge, jo që e zbulon, por që e ruan drogën”,- tha Berisha. Ish-Kryeministri theksoi se në filmin që ka prodhuar Hollivudi për tregtinë e armëve në Shqipëri, ai dhe familja e tij nuk përmenden.
Është paksa e çuditshme sesi në kulmin e debateve për drogën mbërrin një tjetër avion “turistik”, mu në një prej zonave që kultivon hashash me shumicë. Kur një avion i dyshuar për transport të një sasi prej 2 ton hashashi, rrëzohet në Shqipëri, politika gjen kohën të merret me detaje që s’kanë lidhje me ato që ndodhin. Filmi që i referohet Kryeministri ka gati një muaj që ka dalë në kinematë e huaja dhe ato shqiptare. Në fakt, siç thonë dhe vetë ata që kanë realizuar filmin, Shqipëria është pak ose aspak pjesë e tij. Kjo gjë nuk e përjashton Berishën nga përgjegjësitë që ka për qeverisjen dhe për atë që ndodhi në Gërdec. Tek e fundit, historinë dhe drejtësinë e këtij vendi nuk do e bëjë kinemaja, por institucionet. Dhe ndaj Reforma në Drejtësi do hetojë edhe në Gërdec, siç do shikojë edhe Edi Ramën e ministrat e tij.
Pavarësisht temës së debatit a është normale që Kryeministri dhe ish-Kryeministri të flasin me një gjuhë të tillë në Kuvend? Në seancë, diskutohen teza politike, miratohen ose kundërshtohen reforma e ligje që normalisht nxisin debate, përplasje politike e programesh ekonomike. Por ta kthesh Kuvendin në një sallë përplasjesh me “punë qensh” nuk është normale. Aq më pak, kur kjo bëhet nga dy njerëz që janë, Kryeministri dhe ish-Kryeministri.
Megjithatë për nga konfiguracioni se si është përbërë ky Parlament është pak ta quash “parlament qensh”!