Në PD dun Babën, por Basha fiton edhe kur humbet
Nga Lorenc Vangjeli
Spekulimi është i vjetër. Është një truk që megjithatë tërheq shumë vëmendje dhe nuk del kurrë nga moda. Zakonisht bëhet fjalë për opozitën, e cila si gjithmonë, pavarësisht nëse është e majta e djeshme apo e djathta e sotme, konsiderohet si problemi kryesor i vendit. Një teknologji e tërë komunikimi bën të besohet se opozita është mbartëse e të gjitha problemeve të vendit dhe krijuese e tyre. Natyrisht pa u thënë kurrë, por duke menduar si komunistët e djeshëm, se opozita në përgjithësi është me domosdo armiku.
Kryesisht bëhet fjalë për drejtuesin e saj, fati “personal” i të cilit ngjan se është më i rëndësishëm se fati, fjala vjen, i reformës në drejtësi. Kështu po ndodh sot. Kështu ka ndodhur dhe dje. Dje ishte radha e PSsë. Për të mos shkuar më larg se zgjedhjet e parafundit, ato të vitit 2009 që PS i humbi në fotofinish në kutitë e mbyllura si sekret shtetëror, problemi kryesor i vendit në ato kohë u shpik nga fakti nëse Edi Rama duhej apo jo të vazhdonte të drejtonte PSnë. Ishte një tezë e përdorur fort nga propaganda zyrtare qeveritare e frymëzuar nga ishkryeministri Berisha dhe vazhdonte dhe me shumë socialistë, të sinqertë dhe hipokritë sipas rastit.
Një dilemë që, sipas rastit, merrte përgjigje të sinqerta dhe hipokrite nga të majtë e të djathtë. Edi Rama e dha atëherë përgjigjen e tij dhe tani si kryeministër ka pak kohë të kujtohet për ata që e qanin kur e qeshnin dhe e vishnin kur e zhvishnin. Një kryeministër realisht nuk ka kohë për të ndarë sinqeritetin nga hipokrizia sepse duhet të llogarisë interesin. Një kryeministër, kushdo qoftë ky, ka krejt tjetër qasje me optikën: sheh ngjyrë aty ku nuk ka, sheh bardh e zi aty ku të tjetër i betohen se ka dalë ylberi. Nuk ka asnjë të re edhe në debatin e fundit për Lulzim Bashën dhe të nesërmen e tij reale dhe formale në krye të partisë demokratike. Sa më shumë të jenë të ndryshëm mes tyre, fati i Ramës së djeshëm me atë të Bashës së sotëm, nuk krijon ndonjë diferencë të dukshme. Edhe ndaj Bashës, një pjesë e medias në mënyrë të hapur, demokratë të sinqertë dhe demokratë hipokritë, kanë nisur prej kohësh kërkesën për t’u larguar. Humbja e zgjedhjeve të qershorit është karta që përmendet, por të gjithë e dinë që ato janë pasoja që përmendet. Shkaku është tjetër dhe shumë i thjeshtë: nuk e duan! Ose dhe më thjeshtë akoma: është njerëzore që shkarjen e tij dikush ta shohë si një mundësi për t’u ngjitur vetë. Këtu shtohet dhe një element tjetër, i vetmi i ri në këtë histori të ripërsëritur, të stërparë e të ringrohur shumë herë si supë bajate, servilizmi ndaj Doktorit. Një servilizëm i llojit: “Dum Babën”! Është kështu edhe në rastet kur lutja e hershme si një avaz i njohur, “Dum Babën”, shqiptohet nga mama’ të PDsë, jo domosdoshmërish gra. Dhe jo gjithmonë gra në emërtimin që kanë në pasaportë. Tek socialistët atëherë ishte ndryshe. Në të kundërt, në 2009ën,
Fatos Nano ishte ende në idilin e jetës së emigrantit politikan jashtë politikës dhe jashtë Tiranës. Madje edhe jashtë interesit se çfarë ndodhte në supën e valuar socialiste të asaj kohe që ngrohej e ftohej me protesta në rrugë. Nuk ka për të ndodhur ndonjë gjë e madhe. Lulzim Basha sot, njëlloj si Edi Rama dje do të durohet të gëlltisë fyerje mbas fyerjesh, do të durojë çfarë do lloj kakarisjeje brenda kotecit partiak dhe më gjerë, stallës politike në vend, do të presë pa ndonjë shpresë të madhe zgjedhjet në 2017ën kur në grupin e tij parlamentar, edhe pse pakicë në Kuvend, do të ketë në shumicë njerëzit e tij dhe do të shpresojë se shqiptarët nuk do ta kenë harruar zakonin e tyre para kutisë së votimit. Do të shpresojë se ata do të zgjedhin të votojnë në 2021in jo pro, por kundër. Se nuk do të pohojnë, por do të mohojnë. Se nuk do vendosin në emër të dashurisë, por do të ndëshkojnë në emër të urrejtjes. Se nuk do të bëhen bashkë nga shpresa, por do të godasin veç e veç zhgënjimin vetjak. Ky mund të jetë një skenar i trishtuar për PDnë në veçanti, por dhe për gjithë vendin në përgjithësi, por është padyshim një skenar mjaft i mirë për Lulzim Bashën. Ka disa njerëz në këtë botë, përfshi edhe Bashën, që vetëm fitojnë edhe kur humbasin. (Javanews.al)