Në pritje të vendimit të Kushtetueses …

 Nuk ka asnjë lloj arësyetimi që të mund t’a nxjerrë “dorëjashtë” shumicën e majtë, kur e kanë marrë vesh të gjithë, brenda e jashtë vendit, se një pjesë e saj është e kriminalizuar kurse rritja dhe tregëtia e drgoës kanë kapur shifra të frikëshme.

Nga Arian Starova

Në në fund dhe duke shkelur mbi “shkopinj të gjithëfarëshëm” të vënë parreshtur nën “rrotaˮ, reforma në drejtësi ka ardhur në një pikë, ku dhe kur, interesat e palëve kundërshtare që po debatojnë për shumë muaj kanë dalë hapur. Ato nuk mund të fshihen më me asnjë lloj alibie, apo arësyetimi të rrejshëm demokratik, ligjor, kohëfitues. Deri tani, kohëhumbur kanë qenë shqiptarët bashkë me ëndërrat e tyre për demokracinë e vërtetë, kurse pakica politike dhe ligjore kundërshtare e saj ka fituar shumë, shumë kohë. Ndjehem i sigurt se çdo çast që kalon, edhe tani, i mban këta kundërshtarë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve të mbërthyer rreth idesë për zhbërjen e reformës në drejtësi duke e shtyrë atë deri në zgjedhjet parlamentare që po afrohen me shpejtësi.

Fatkeqësisht, këta kundërshtarë janë në të gjithë spektrin e politikës shqiptare, në Opozitë dhe në Shumicën qeverisëse, megjithëse duket sikur flamurin e dëshirës për reformë në drejtësi po e mbajnë në duar konkurruese qeveria dhe kuvendi. Nuk ka asnjë lloj arësyetimi që të mund t’a nxjerrë “dorëjashtë” shumicën e majtë, kur e kanë marrë vesh të gjithë, brenda e jashtë vendit, se një pjesë e saj është e kriminalizuar kurse rritja dhe tregëtia e drgoës kanë kapur shifra të frikëshme. Herë-herë madje, duket se ata që duhet t’i frikësohen më shumë rrjedhojave politike të reformës po shndërrohen në “tenorëˮ të spikatur të kësaj “skeneˮ të zhvillimeve politikë përreth reformës në drejtësi. Dhe fatkeqësisht përsëri, kjo po habit dhe po zhgënjen shumë shqiptarë, përveçse nëse është pjesë e strategjisë ndërkombëtare për të shtyrë me të gjitha mjetet dhe forcat përpara këtë reformë rrënjësore në dobi të Shqipërisë. Për këtë, sidoqoftë, duhet të presim dhe të shohim.

Ndërkohë, të gjithë qytetarët e vetëdijshëm të këtij vendi i kanë drejtuar sytë dhe mendjet te Gjykata Kushtetuese. A do të japë ajo një vendim që do të hedhë poshtë mendimin e Komisionit të mirënjohur ekspert të Venecias? Teorikisht, kjo gjykatë e ka të drejtën për t’a bërë këtë, por praktikisht, kjo do të përbënte një veprim të pandershëm dhe njollëvënës mbi këtë gjykatë (e cila ishte vetë ajo që e kërkoi mendimin e Venecias). Nga ana tjetër, kjo do të ishte edhe shenjë të keqe për t’a futur Shqipërinë në një rrugë plot me të papritura, sepse tashmë është fare e qartë se vullneti i shqiptarëve për t’a kthyer vendin e tyre në rrugën e duhur të demokracinë po shfaqet gjithnjë e më i pamposhtur dhe, në kohën e duhur, këtë do t’a shikojnë të gjithë.

Unë jam prej atyre që besojnë pafundësisht te e mira dhe, për këtë arësye, besoj se Gjykata Kushtetuese do të japë një vendim që do të jetë në përputhje me mendimin e Komisionit të Venecias. Ky vendim do t‘a fusë në histori këtë Gjykatë Kushtetuese për rolin e saj madhor në mbështetje të forcimit të demokracisë shqiptare dhe të spastrimit të saj prej të korruptuarve të politikës dhe të sistemit të drejtësisë ligjore.

Ndërkohë që shqiptarët presin, unë do të doja që forcat e ndryshme politike kundërshtare të kësaj gjendjeje por edhe shumë njerëz të tjerë kryesisht të rinj dhe të interesuar për politikën të fillonin të mendojnë për zgjedhjet e ardhëshme, për t‘i dhënë politikës shqiptare fytyra dhe mendje të reja, të ndershme dhe që e duan vendin e tyre.

Ndodhemi në rrethanat kur një pjesë e mirë e elitës politike të Shqipërisë e ka braktisur me kohe synimin për t’i shërbyer interesave të qytetarëve, sepse i ka mbytur korrupsioni dhe etja për pasurim me çdo kusht në dëm të këtyre qytetarëve.

Ndodhemi në rrethanat kur vendi ka nevojë për një elitë të re politike drejtuese. Në këtë përpjekje madhore që po e kërkon koha, ka vend për të gjithë ata që politikën e vështrojnë si fushën e përpjekjeve të përbashkëta për të mjirën e të gjithëve, për të mirën e Shqipërisë.     Koha Jonë

SHKARKO APP