Ne, Salvinistët e Italisë…
Nga Taulant Kopliku
Gjasat janë të mëdha që qeverinë në Itali ta formojnë M5S dhe Lega Nord, e cila me rezultatin që mori, mund të riquhet Lega Nazionale. Me të drejtën kushtetuese, Luigi Di Maio, beniamini i Beppe Grillos në M5S do të thirret nga presidenti Mattarella për të formuar qeverinë e re.
Një gjë është e sigurtë. Italia përqafoi një realitet të ri. Atë të një lufte të pakompromistë ndaj emigracionit, duke shkelmuar fort PD e Renzit dhe politikat e saj tolerante ndaj emigracionit.
Për kronikë, PD është dërrmuar si në veri ku ka fituar e djathta, ashtu edhe në jug ku ka triumfuar M5S. I ka mbetur bastioni i saj i përhershëm, Toscana.
Ajo që bën përshtypje dhe duhet analizuar nga ne shqiptarët, është përqafimi në shumicë nga bashkatdhetarët tanë i politikave të Lega Nord ndaj emigracionit. Më shumë sesa një lidhje natyrale e shumë shqiptarëve në Itali, të cilet duke urryer komunizmin në Shqipërinë e diktaturës, vazhdojnë të kenë alergji ndaj çdo të majte, kjo votë e shqiptarëve pro Legas, eshtë thjeshtë votë frike ndaj dyndjeve të emigracionit klandestin. Shumica e shprehin fare hapur këtë, duke lartësuar Salvinin si lider largpamës.
Që për italianët, Salvini mund të jetë bërë simbol i luftës ndaj së “keqes“, këte arrij ta mirëkuptoj, por sesi Salvini bëhet “dashnor“ i një shumice shqiptarësh me të drejtë vote në Itali, vetëm se lufton emigrantët, këtë nuk e kuptoj aspak.
Kjo kategori, që në fakt nuk janë të paktë, na krijon një vizion të qartë sesi ne, shqiptarët, jo vetëm kemi kujtese të shkurtër, por në rastin e parë që na jepet mundësia, shfaqim një ksenofobi të lakmueshme edhe nga doktrina naziste.
Kujtesa jonë e fshirë, nuk na lejon aspak të rikthejmë në mendje, dyndjet shqiptare të fillim viteve ‘90të. Tashmë ne jemi qytetaret e nderuar të Italisë dhe harrojmë se ishim ne “afrikanët” asokohe. Ishim ne që tmerronim italianët. Ishim ne që na dilte emri në 365 ditë të vitit në çdo kronikë lajmesh, apo në çdo faqe gazetë, ishim ne që erdhëm në anije dhe më pas nga Bari u shpërndamë me autobuzë nëpër të gjithë Italinë, duke na dhënë letrat në dorë.
Ishin djemtë tanë të këqinj që nuk lanë zullum e pisllëk pa bërë në ato vite. Irene Pivetti bëri thirrje për të hedhur shqiptarët në det dhe ne, sot e asaj dite nuk ia harrojmë këtë deklaratë makabre. Këto qendrime të politikës italiane në ato vite, nga ne shqiptarët konsideroheshin racizëm i pastër. Urrenim italianët që na trajtonin ashtu, për sherr të atyre bashkatdhetarëve tanë, që vidhnin, vrisnin, trafikonin, bënin tutorin.
Sot, pas më shumë se dy dekadash, ne jemi bërë zotni, zengjinë, “të pastër“, “të rregullt“, shtetdashës dhe patriotë italianë të mëdhenj. E kush pra? Ne, “dashnorët“ më të mëdhenj të Matteo Salvinit, raca e pastër ariane që urren emigracionin. Ne shohim me racizëm dhe përçmim çdo zbarkim varkash në Lampeduza. Ne, që ende na përmendin gomonet. Sa prej jush që jeni në Itali, keni ardhur ashtu? Në mos ju, një i afërm i juaji me siguri. Sa prej jush kane ngrënë në mensat e “Caritas”? Në mos ju, dikush pranë jush, me siguri. Sa prej jush keni kaluar muaj e ndoshta vite pa punë, duke u vërdallosur Piacave? Në mos ju, dikush, mik apo i njohur me siguri.
Mesa shoh, na duhet të shpikim dhe ne një ditë të memories. Do na bënte mirë.
Suksese!
*Shënim: Taulant Kopliku është një gazetarët më të njohur shqiptare, prej disa vitesh i angazhuar në emisionin e famshëm investigativ në Itali, “Le Iene”.