Në syrin e mortjes
Nga Enkel Demi
Teksa dalin nga Stade de France duke kënduar Marsejezën, qytetarët rrëfejnë që Perëndimi ka nevojë t’i rikthehet patriotizmës. Terrorizmi është si mola, godet ku të gjejë një terren të përshtatshëm. Mark Lazar, profesor i historisë dhe sociologjisë politike, thotë që duan të shkatërrojnë jetën e përditshme. Deri tani janë mbi 140 të vrarë, e mbi 200 të lënduar; bilanci rëndohet, ndërsa kupton që terroristët kanë hequr dorë nga simbolika. Nuk sulmojnë më një sinagogë, një simbol të kapitalizmit, medias, por kanë vënë në shënjestër jetën e zakonshme. Atje gjenden viktima të papërgatitura, të cilat mund të jenë të grumbulluara si mizë lisi. Në stadium, në vigjilje të Europianit, në një koncert heavy metal, në restorant, këto janë syri i mortjes. Ditën e shpalljes së vrasjes së xhihadistit John, përgjigjja është e lemerishme. Presidenti Hollande është i detyruar të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, gjë e cila nuk ka ndodhur kurrë këto 50 vjet; Franca ka mbyllur kufijtë. Ajo çka përfaqëson kultura e Perëndimit, liria, shekullarizmi, konsumizimi është në gjunjë. Terrori është ngjizur pikërisht këtu.
Që nga sot, një qytetar i Parisit, Romës, Berlinit, Londrës, pse jo, dhe i Tiranës, do të mendojë dy herë të shkojë në stadium, të marrë urbanin apo metronë, ta ndajë të ndjekë një koncert rocku apo opera, sepse pas shpinës së tij mund të kërcejë një marrok, i cili ndot emrin e Zotit dhe të heq nga jeta. Perëndimi është në luftë. Janë qeveritë e këtyre vendeve që çelën kutinë e Pandorës me Sirinë, me politikat gjeonaftëtare në Gjirin Persik, dhe me vëzhgimin e ftohtë të ISISit, ndaj ata zgjodhën pikërisht spektatorët e një koncerti rock në Bataclan dhe larguan nga kjo jetë të paktën 100 të rinj. Edhe terroristët nuk janë më aq mediatikë, spektakolarë; e kuptojnë që vepra e tyre mund të jetë më e arrirë nëse bëhet kapilare, ushtrohet tek e rëndomta, banalja, e thjeshta, e përditshmja.
Qysh sot qytetari që merr do euro në muaj ka mbi shpinë jo vetëm trysninë e mbijetesës, por edhe makthin e mbylljes së ditës, nëse do e shohë në darkë fëmijën që ka çuar në kopësht apo gruan që ka shkuar në shitore. Kjo është fitorja më e vyer për terroristët. Kanë kallur datën. Në Shqipëri përherë u jemi gjendur virtualisht gjëmave. E bëmë në 11 shtator, e bëmë edhe para një viti me Charlie Hebdonë. Profilet në rrjetet sociale mbajnë shenjat e zisë, parullat “Je suis Paris” shpërndahen si qarkore, qeveria dhe opozita, le të themi politika, është ustalleshë e solidarizimit. Udhëheqësit tanë kanë dhe një rast më shumë të tregojnë se janë frankofonë, të çlirojnë fantazinë e lapsave, por duhet kuptuar që jemi në luftë. Duhet vepruar përtej fjalëve të kufizuara në twitter, sepse shpallja e luftës nuk është në prag të derës së shtëpisë, por bash brenda saj!