Ne të vuajturit e rrezikut anglo-amerikan…
“Dy a tre ditë nuk më zuri gjumi. Fati i mirë, që në atë kohë, Partia kërkonte mendimin e masave për veprat e Hoxhës. Mendova ta përdor “mirësinë” e Partisë. Dhe atëherë shkrova”…
Nga Dali Qenanaj
Nuk do të kisha hyrë në histori sikur dikush nga media të mos më kishte prekur plagën. Plaga nuk është veç imja, plaga është e një populli të tërë të izoluar në periudhën e diktaturës komuniste. Ishte plaga e madhe e izolimit, që tashmë është shëruar plotësisht.
Po kur ka disa njerëz që e rrëmojnë plagën,…. Atëherë na duket se po përjetojmë pikërisht atë sëmundje të rëndë izolimi. Nostalgjikët, edhe pa kuptuar se kanë rënë në nostalgji izolimi, kanë mallë për atë periudhë anti- angloamerikanizmi. Nuk do të isha kthyer atje, sikur të mos isha prekur prej nostalgjisë së disave.
Kam lexuar këto ditë disa shkrime, një nga të cilat shkrimin e gazetarit Sokol Balla. E kam ndjekur Sokolin dhe e kam çmuar në shkrime dhe në emisione televizive, dhe më ka krijuar ide të mira në përgjithësi. Por njeriu qënka si pema që në mbrëmje është më këmbë, ndërsa nesër në mëngjes është përulur dhe ka rënë përdhé. Ti nuk e ke kuptuar se pema po hahet nga brenda, por e shikon të rënë si papritur.
Kështu Sokoli. Para pak ditësh lexova një shkrim të tij ku shkruan (citoj): “Enver Hoxha e pat cilësuar dikur rrezikun anglo-amerikan për Shqipërinë, si rrezikun më të madh për ekzistencën e saj. Sot, një gjysmë shekulli më pas, profecia e tij gaboi vetëm në përmasa: ky rrezik tashmë është për gjithë botën”.
Sapo i lexova këta rreshta, fillimisht nuk iu besova syve. Pastaj prapë nuk iu besova syve. Pastaj për të tretën herë nuk iu besova syve… Për të katërtën herë, nuk besova më se ky ishte autor i shkrimit. Dhe më në fund dyshova më thellë. Por nuk dyshova kurrë në të vërtetën që kam përjetuar bashkë me brezin tim, në të vërtetën se si diktatura komuniste tentoi të na e bënte izolimin një “lule”, duke na e shpifur me vepra të Enver Hoxhës si “Rreziku Anglo Amerikan për Shqipërinë”.
Për një moment mendova se Sokoli (gazetar) paska rënë në pozitat e “profetit” Enver Hoxha për shkak të inatit që e kapi me Anglinë pse doli nga Bashkimi Europian. Mirëpo e mora veten e thashë: Vallë ç’është gjithë ky inat që e çon punën deri te dashuria dhe justifikimi i “profecisë” së Enver Hoxhës për izolimin e Shqipërisë dhe luftën kundër Perëndimit?! E pamundur të jetë një inat.
Njëkohësisht nuk e mendoj se mund të jetë edhe padituri kaq e thellë sa një gazetar si Sokoli, ditën e një referendumi të Britanisë së Madhe, ta lidhë këtë me idetë” gjeniale” të diktatorit të Shqipërisë së vogël e të izoluar. Idetë e tij sado “brilante” për një brez që nuk i ka vuajtur në palcë, kanë vdekur para tridhjetë vjetësh. Anglia dhe të tjerë, po funksionojnë mbi baza të ideve të reja dhe të kërkesave të kohës. Edhe Shqipëria, po kështu.
Nuk e gjeta dot se nga vinte ky artikull i çuditshëm. Më në fund mendova se mos vallë ishte kontraktuar nga disa njerëz të rrjedhur të kohës që e kanë mendjen akoma të Rreziku Anglo- Amerikan!…. Por edhe për këtë nuk më dolën llogaritë.
Atëherë iu ktheva vetes. Thashë se nuk desha të hyj në kujtime e në histori. Por iu ktheva vetes me qortim. Thashë, “po pse vallë po mbroj Amerikën dhe Anglinë në këtë rast?!” Jo. Nuk është nevoja. Jo veç se Amerika dhe Anglia kanë prirë si lokomotiva zhvillimet botërore të suksesshme. Por edhe se çdokush në Shqipëri do të dilte në anë të Amerikës dhe Anglisë. Këta janë aleatët tanë të mëdhenj, pa të cilët nuk do të kishim sot këtë Shqipëri e këtë shqiptarizëm; këtë Kosovë e këtë liri që gëzojmë. Të paktën veç për këtë, nuk mund ta quash “rrezik” as Amerikën dhe as Anglinë.
Atëherë thashë ” po cili jam unë që dal e mbroj Amerikë e Angli, kur këto i ka mbrojtur dhe i ka bekuar vetë Zoti mbi këtë tokë?!
Edhe kjo ide nuk më shkoi deri në fund. Sepse jo veç unë, që jam deshmitar i tragjedisë së izolimit dhe luftës kundër anglo- amerikanizmit, por secili njeri mbi dhé duhet të reagojë sa herë preket vlera e madhe e këtij qytetërimi të madh.
… Kjo më bëri të kthehem në kujtime dhe t’ i kujtoj Sokol Ballës pse e ka futur veten në qorrsokak duke risjellë idetë e diktatorit për rrezikun e Amerikës dhe të Anglisë.
Unë e mbaj mend shumë mirë kur u botua libri famëkeq i Enver Hoxhës për rrezikun anglo- amerikan. Na erdhi në fshat si një vepër e madhe, por disa prej nesh e përjetuam si një bombë të gjallë. Ishin kohë të rrezikshme, nuk mund të thoje asnjë fjalë. Por unë isha aq “naiv” sa nuk mund të rrija duarkryq. U mundova e u mundova që të gjeja fjalë nga fjalët e urta të Veriut të cilat edhe thonë shumë edhe kuptohen pak, sidomos nga zyrtarët sovjetik të kohës.
Dy a tre ditë nuk më zuri gjumi. Fati i mirë, që në atë kohë, Partia kërkonte mendimin e masave për veprat e Hoxhës. Mendova ta përdor “mirësinë” e Partisë. Dhe atëherë shkrova.
Shkrova e thashë kështu: ” Në fshatin tonë (Surroj, Kukes) jemi 95 shtëpi, por 75 prej tyre nuk e kemi parë djathin në shtëpi, megjithëse jemi një kooperativë me drejtim blektoral. Qumështin e deleve e të dhive e çojmë në baxhon e grumbullimit dhe pasi grumbullohet, ndërmarrja merr gjalpin e djathin dhe i dërgon në Tiranë a ku dimë. Kooperativistët e marrin bukën me vete; dhe, a dini çfarë marrin? Bukë me shëllirë domatesh turshi ose kur ka mundësi pak sheqer me ujë mbi bukë. Na ka ardhur “do misër,- shkrova- por nuk bëhet brumë për bukë sikur një lumë me ujë t’i hedhësh. Thonë se ky misër ka ardhur nga Kina mike. Ky është një rrezik i madh edhe për kafshët e jomë për njerëzit”, shkrova unë.
Ja kështu ndodhi, Sokol.
Ndodhi që në komitetin e Partisë së Punës u shqetësuan dhe dërguan në fshat një ekip. Fillimisht në thanë: ” Po mirë, mor Dali, si t’ia dërgojmë këtë letër shokut Enver!? E kupton ti, se po flasim për rrezikun anglo -amerikan”. “E kuptoj- i thashë, por unë fola për rrezikun që shikoj këtu”…. Ky qe miku më i mirë. Ndërsa të tjerët në Komitetin e Partisë më shënuan si një armik të mundshëm. Fati im i mire ishte se kisha përmendur “Kinën mike” dhe kjo u hodhi hi syve. Me siguri ata të Partisë menduan se me Kinën mike kisha shprehur dashuri për Enver Hoxhën dhe veprën e tij. Se ata të Partisë së Punës, i dashur Slokol, ishin edhe dritëshkurtër dhe “të verbër”. Partia i kishte kthyer në vegla e nuk mendonin dot me mençuri.
Se nuk janë të mençur ata që sulmojnë përparimin dhe qytetërimin perëndimor, miku im Sokol.
Më vonë kisha një kalvar të gjatë me Sigurimin e shtetit dhe me komitetin e Partisë, miku im. I kam hequr të gjitha. Kujtoheshin herë pas here se iu kisha thënë se rreziku i shqiptarëve është Uria, jo Anglia e Amerika, miku im. Iu kisha thënë se rreziku nuk vjen nga andej ku nuk është, por këtu mes nesh.
Ashtu sikurse sot, miku im, rreziku nuk na vjen nga Anglia, as nga Amerika. Rreziku na vjen nga varfëria dhe nga krimi, nga korrupsioni dhe vjedhjet qeveritare, mik. Anglia dhe Amerika po na mësojnë si të ngrihemi e të mos rrezikohemi.
Por, e shikon që shpesh herë biem si pema në rrugë, biem në pozitat e vjetra të rrënjëve të kalbura, si pema në rrugë.