“Ne Tirana” apo “Ne Shqipëria”?

 

Nga Eduard Zaloshnja

Në garat për bashkinë e Tiranës ka patur gjithnjë kandidatë të pambështetur nga dy partitë e mëdha, por zakonisht ata kanë marrë më pak se 1% të votave (përjashtim bën vetëm Dashamir Shehi në vitin 2000, kur mori 3% të votave).

Në garën e sivjetme, sipas sondazhit të IPR-Marketing, të prezantuar në televizionin Ora News, një kandidat i pavarur ka shansin për herë të parë të kapë një rezultat dyshifror – Gjergj Bojaxhi, ka aktualisht mbështetjen e 12.5% të votuesve (http://www.respublica.al/opinion/2015/05/13/sondazhi-ipr-marketing-bojaxhi-40-mije-vota-kryeson-veliaj-ne-tirane ).

Por a besojnë votuesit që mbështesin Bojaxhiun se ai do të zgjidhet kryebashkiak i Tiranës? Sondazhi i IPR-Marketing na tregon se nga 12.5% që janë gati të votojnë sot Bojaxhiun, vetëm 1% besojnë se ai do të jetë kryebashkiaku i Tiranës pas 21 qershorit.

Këto dy rezultate, të kombinuara së bashku, japin mesazhe shumë të rëndësishme për partitë e mëdha, por edhe për kandidatin Gjergj Bojaxhi.

Së pari, 1/8 e votuesve aktivë të kryeqytetit u thonë partive të mëdha se, pavarësisht se nuk besojnë që vota e tyre do ta bëjë Bojaxhiun kryebashkiak, ata do ta japim votën për të, sepse u ka ardhur në majë të hundës nga rrotacioni i pushtetit mes Lolit dhe Colit, që ato kanë aplikuar për çerek shekulli.

Së dyti, 1/8 e votuesve aktivë të kryeqytetit i thonë Gjergj Bojaxhiut se nuk presin nga ai që, gjatë fushatës t’u shpegojë plane të detajuara sesi do ta zhvillojë Tiranën, sepse ata e dinë që ai nuk ka shans t’i fitojë këto zgjedhje.

Ata presin që Bojaxhiu, gjatë fushatës, të kritikojë hapur dhe thellë thelbin e asaj që ka shkuar keq në këtë qytet e këtë vend gjatë çerek shekulli, si dhe t’u japë shpresën se grupimi “Ne Tirana”, që mbështet sot Bojaxhiun, do të kthehet nesër në një lëvizje politike me emrin “Ne Shqipëria”.

Në qoftë se Bojaxhiu arrin ta krijojë këtë shpresë gjatë fushatës, 1/8 e votuesve që e përkrahin sot atë mund të bëhet 1/4.

Ndërsa në qoftë se merret gjatë fushatës vetëm me planet për rregullimin e rrugicave dhe pastrimin e plehrave të Tiranës, ka rrezik që në 21 qershor, 1/8 të përfundojë në 1/16…

SHKARKO APP