Në Tiranë për UÇK kujtohen vetëm kur duan të sulmojnë opozitën
Nga Arbër Zaimi –
Është për të ardhur keq që në Shqipëri, gazetarë dhe politikanë që nuk e dinë as që quhet UNMIK e jo UMNIK, e që për Kosovën kujtohen vetëm në raste ceremoniale, po përpiqen të instrumentalizojnë UÇK-në, kundër opozitës.
UÇK-në e duan të gjithë shqiptarët atdhedashës, të të gjitha partive apo jashtë tyre, në Shqipëri e Kosovë. Pra, boll me përdorjen e UÇK-së për hile të ulëta mediatike.
🟢 Për UÇK-në ka nevojë që Shqipëria e Kosova të ndërtojnë disa muze, të financojnë shkrimin e një (apo disa) historive shkencore për të, ta përfshijnë atë në tekstet shkollore e të organizojnë ekskursione vjetore në memorialet e saj, si dhe ta përfshijnë në kushtetutë, që statusi i dëshmorëve të jetë zyrtar e jo abuziv, në Shqipëri e Kosovë. —
Edhe drejtuesit e UÇK-së të ballafaquar me aktakuza të padrejta pas Luftës Çlirimtare të Kosovës, vijnë nga të gjitha partitë (veç LDK-së). Ata nuk janë “të PDK-së” siç po flitet nëpër disa media në Shqipëri. Madje PDK-ja më së paku ka bërë për UÇK-në, edhe pse ka patur shumë në dorë se ka qenë 13 vite në pushtet.
🟢 Duhet që Shqipëria e Kosova të ndërtojnë një strategji ndërkombëtare komunikimi sa i përket gjenocidit mbi shqiptarët, të mbledhin dëshmi serioze e të parashtrojnë akuza e padi kundër kriminelëve, me emër e mbiemër. Kjo duhet të fillojë sa më shpejt, me miratimin e një rezolute parlamentare me të cilin Shqipëria njeh zyrtarisht gjenocidin serb mbi shqiptarët në Kosovë. —
Në Shqipëri duhet të marrë fund edhe justifikimi mediatik i Vuçiçit me klishetë “ne nuk i zgjedhim presidentët e Serbisë” apo “dialogu e minishengeni janë imponime nga Europa e Amerika”.
Në çdo raport ndërkombëtar, për çdo kërkesë që bëhet, vjen dhe kundërkërkesa. Edhe vendet arabe që pranuan kërkesën amerikane për të njohur Izraelin, kërkuan dhe morën plotësim kërkese si kundërpeshë, nuk dhanë asgjë “falas”.
E sa i përket dialogut e minishengenit, vetë serbët vazhdimisht kanë kushtëzuar, ndërsa shqiptarët veç kanë ecur sipas projekteve të Beogradit. Pse të mos kushtëzojnë dhe shqiptarët, pse të mos kenë edhe ata strategjinë e tyre?
Politika e jashtme e Tiranës ka qenë vazhdimisht jokreative, pa mendim strategjik, dhe kryesisht pasive, duke shpresuar te dashamirësia e përjetshme e perëndimit, pra naive ose e paaftë. Gjithçka është reduktuar në llafollogji mediokre nëpër studio televizive, ku thuhen gjëra skandalozisht qesharake, herë nga padija, herë nga qëllimi i keq, herë nga nxitimi.
Këto gjëra duhet të ndryshojnë.