Negociatat, kjo mollë e ndalume
Nga Shezai Rrokaj –
Është e disata herë që negociatat nuk po çelen. Dy herët e fundit KE-ja e dha okay-in, mirëpo disa shtete me autoritet të madh në BE, si: Gjermania, Franca, por edhe Holanda e Danimarka, janë skeptike për fillimin e negociatave. Ky skepticizëm është interpretuar në mënyra të ndryshme. Vetë këto vende kanë pasur problematika me qytetarët e vendit tonë, si: emigrimi i paligjshëm, grupet kriminale të drogës dhe të veprave penale etj.
Mirëpo, thelbi i mosçeljes së negociatave janë keqqeverisja e kësaj mazhorance. Reformat e ndërmarra edhe me mbështetjen e ndërkombëtarëve, si: reforma në drejtësi u deformua politikisht me kapjen e drejtësisë. Reformat ekonomike me PPP-të nga fondet publike, të kritikuara nga FMN-ja, po krijojnë një pasiguri në qëndrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë shqiptare. Korrupsioni galopant me tenderat publikë, pa konkurencë e transparencë, reformat fasadë në arsim dhe shëndetësi dhe, sidomos kanabizimi i vendit janë një tjetër tregues i hezitimit të ndërkombëtarëve për çeljen e negociatave.
Por ky vit nxori sy ndër sy një model qeverisjeje shumë të rrezikshëm për një vend demokratik, që është krijimi i një sinergjie interesash midis politikës, krimit të organizuar dhe oligarkëve, të cilët janë trupëzuar dhe kanë krijuar një model autarkik qeverisjeje, duke e maskuar këtë lloj pushteti me fasadën e propagandës. Kjo mazhorancë do të duhej të bashkëpunonte me opozitën nëpërmjet një dialogu transparent për objektivat madhore të Shqipërisë, ku futet edhe çelja e negociatave. Në fakt, ajo ndoqi rrugën e bashkëpunimit me krimin e organizuar, duke i blerë zgjedhjet dhe duke e ndarë pushtetin me të si dhe me oligarkët. Kjo është arsyeja përse çelja e negociatave deri më sot po bëhet moll’ e ndalume.
Problemi nuk janë ndërkombëtarët, një pjesë e të cilëve tek-tuk janë bërë më keq ne, por është qeverisja e shqiptarëve, të cilët po ikin turravrap prej mungesës së shpresës. Ndaj është i nevojshëm dialogu politik, në mënyrë që të hiqet dorë nga gjuha e drunjtë dhe kryeneçësia e kësaj mazhorance. Të hiqet dorë përfundimisht nga mendësia e të fortit, nga konfrontimet sociale, nga gjuha e fyerjeve dhe t’i hapet rrugë diskutimit me transparencë të problematikave të mësipërme. Vetëm në këtë mënyrë do të dëshmojmë përgjegjshmëri ndaj qytetarëve dhe do të hapim përspektivën për çeljen e negociatave, duke bërë realitet ëndrrën e shqiptarëve për Shqipërinë si gjithë Evropa.