Nënë Tereza dhe kriminelët shqiptarë!
Nga Ilva Tare
Dekreti i Papa Franceskut, që i hap rrugën shenjtërimit të Nënë Terezës dhe votimi i ligjit që do të dekriminalizojë politikën dhe institucionet publike, ndodhën në të njëjtën ditë. Të enjten e 17 dhjetorit shqiptarët u bekuan me dy vendime, edhe pse të vonuara dhe jo për fajin e tyre, që mundësojnë lartësimin e imazhit të vendit brenda dhe jashtë kufijve. Rastësia e miratimit në të njëjtën ditë është një simbolikë e veçantë e mënyrës sesi hyjnoren dhe mëkatin e ndan një fije e padukshme vullneti, që kur pengmerret nga segmente të inkriminuara të politikës rrezikon të mbulojë me turp edhe atë pjesë të shoqërisë që meriton të identifikohet me Nënë Terezën.
Lajmi i shenjtërimit në shtator të vitit të ardhshëm të bamirëses, është i shumëpritur dhe pa dyshim më i miri që shqiptarët kanë patur fatin të përjetojnë në 103 vitet e ekzistencës së tyre. Ndërsa mrekullia e dytë, ajo në parlament, me deputetët me imazhin më problematik të historisë së Shqipërisë, e mundësuar me ‘forcën e kartonit ndërkombëtar’, që si për t’i thënë gjithë shqiptarëve se kanë një shpresë edhe përgjatë mjegullës së humbjes së shpresës, duhet të kalojë nëpër provën e vështirë të largimit të të inkriminuarëve nga çdo pozicion publik për t’u quajtur si e përmbushur. Miratimi i ligjit, edhe pse në mënyrë konsensuale nga partitë që vetë i kanë futur kriminelët në institucione, ngjan më shumë me një detyrë shtëpie, pasojat e së cilës nuk janë vetëm për të ‘kaluar radhën’.
Shanset janë që viti 2016 të shndërrohet në vitin e shqiptarëve të ndershëm që e shohin respektimin e ligjit dhe të së drejtës si një mënyrë jetese. Kjo do të ndodhë vetëm në rast se pjesa e shëndetshme e shoqërisë do të gjejë forcë të mposhtë djajtë e korruptimit që e kanë dominuar në rrugëtimin thuajse demokratik të Shqipërisë së pas rrëzimit të diktaturës. Është një betejë që nuk mbaron me ligjin e dekriminalizimit dhe as fillon me largimin e disa prej të inkriminuarëve që kanë marrë votëbesimin e militantëve për të drejtuar struktura të rëndësishme partiake ose publike.
Ikja e emrave të përveçëm, edhe pse e vonuar por e shumëdëshiruar, nuk është suksesi final i një proçesi spastrimi që duhet të kalojë shoqëria shqiptare, e cila e ka humbur rrugën gjatë përpjekjeve për t’u bërë europiane. Ikja e tyre është një sukses i vogël, por gjetja e forcës për të krijuar një model të ri vlerash, bazuar pse jo në modelin e Nënë Terezës, është sfida e radhës e shoqërisë sonë Nuk ka asgjë europiane në nivelin skandaloz të korrupsionit dhe të deformimit të drejtësisë në këtë vend. Sikundër nuk ka shumë europianë që mund të krenohen me një shqiptare të rrallë si gruaja më e njohur në botë, shtatshkurtra me zemër të madhe Nënë Tereza.
E vërteta është se shqiptarët duhet ta ndajnë mendjen se me cilin model duan ta ndërtojnë dekadën e re të shtetit të tyre. Nëse do të vazhdojnë të qëndrojnë në hijen dhe presionit e botës së krimit që po i rraskapit ditë e më shumë në batakun e vrasjes së ëndrrave për një jetë më të mirë dhe në dritëshkurtësinë e ndërtimit të një të ardhmeje në vendin e tyre, apo të nisin rrugën e vështirë dhe të mundimshme të respektit ndaj institucioneve, të cilat nuk janë pronë të partive politike, por të të gjithë shoqërisë.
Deri më sot, Nënë Tereza ka qenë e vetmuar në altarin e shenjtë të së mirës dhe lavdi Zotit, një grua si ajo, që sakrifikoi jetën e saj në ndihmë të të varfërve dhe të pamundurve, ka lindur në tokat ku jetojnë shqiptarë. Ata që duhet të lirojnë hapësirat publike dhe të vazhdojnë jetën e tyre me babëzinë e korruptimit fizik dhe moral, nuk duhet të kenë më asnjë mundësi t’i detyrojnë shqiptarët e tjerë ta konsiderojnë fatkeqësi qëndrimin në këtë vend.
Javanews.al