Nëse…

Nga Lutfi Dervishi/

Nëse ne do të ndiqnim shembullin e Maltës, kushtetuta e së cilës ndalon personat që kanë falimentuar për të kandiduar për deputet…


Nëse do të bënim si danezët dhe nuk do të 'shkruanim' në lista njerëz që kanë kryer ndonjë akt i cili në sytë e publikut e bën atë të padenjë për të qenë deputet!

Nëse do të kërkonim person me reputacion pa të meta siç bën Islanda.

Nëse do të bënim si Peruja ku një person me rekorde kriminale nuk mund të jetë kandidat për deputet.

Nëse, do të ndiqnim shembullin e Meksikës ku për t'u ndaluar kandidimi mjafton të jesh në gjykim për një krim…

Nëse pëlqehen kaq shumë 'të fortët' dhe të ndiqnim shembullin e Lituanisë që i detyron 'garipat' të vendosin në poster informacionin për dënimin e kryer…

Nëse…do të hidhinim sytë te Kirgistani i largët ku njerëzit që kanë bërë dënime nuk mund të garojnë për në Mexhlis.

Nëse do të bënim si Greqia ku personat që kanë një dënim të formës së prerë jo vetëm nuk bëhen deputete, por as që mund të votojnë…

Nëse do të bënim si Koreja ( e Jugut ) ku e humb mandatin e deputetit kur dënohesh për gjoba të larta për …mbushuni me frymë…publikimin e fakteve të rreme!

Nëse Brazilin përveç futbollit do ta pëlqenim edhe për faktin se senatori detyrohet të lerë mandatin për keqpërdorim të fondeve publike apo (mbushuni me frymë dhe matni tensionin) për.., blerje votash!!!

Nëse biznesmenët që e kanë kthyer Kuvendin tonë si dhomë tregtie, do ta dinin që në Kanada e lë mandatin për shkak të falimentimit..

Nëse do të ndiqnim një apo disa nga shembujt e mësipërm, nuk do të kishim nevojë sot për dekriminalizimin.

Nëse nuk do t'i kishim vendosur në listë njerëzit që më shpesh përdorin koburen, rripin e pantallonave apo grushtat se lapsin apo tastierën…

Atëherë pakica e atyre që janë në Kuvend sot do të mbanin kokën lart dhe nuk do të turpëroheshin të thonin se janë.., deputet! Syri.net

SHKARKO APP