Nëse i njeh dëmet e luftës, Gjermania shpëton Greqinë nga “katastrofa”
E zhytur në krizë prej 6 vjetësh dhe në borxhe me mld euro, Greqia fqinje duket se nuk ka zgjidhje tjetër për të kaluar krizën financiare, veçse t’i drejtohet Gjermanisë për të gjetur një formë sesi të mos i njihet borxhet e larta.
Në prill, Greqia kishte llogaritur se Gjermania i ka borxh jo më pak se 278,7 miliardë euro, si dëmshpërblim për dëmet e Luftës së Dytë Botërore.
Autoritetet greke kanë mirëpritur deklaratën e fundit të presidentit gjerman, Joachim Gauck, i cili tha se Gjermania duhet të marrë në konsideratë pagesën e dëmshpërblimit të Luftës së Dytë Botërore për Greqinë.
“Këto gjëra që presidenti gjerman Joachim Gauck tha, janë një kontribut në përpjekjet që kemi bërë për të shëruar plagët e së kaluarës", ka thënë zëvendësministri grek i Mbrojtjes, Kostas Isihos, në një deklaratë.
“Kjo është një përgjigje për ata që thonë se pretendimet tona janë të drejtuara kundër Gjermanisë. Kjo është e gabuar”, – shtoi ai.
Fjalët e Isihos janë mbështetur edhe nga Zoi Konstantopoulou, zëdhënës i Parlamentit Helen, shkruajnë mediat e huaja. – “Presidenti gjerman dje bëri një deklaratë historike, e cila thekson nevojën për të hetuar pagesën gjermane të dëmshpërblimeve ndaj Greqisë. Kjo është hera e parë që pala gjermane hap çështjen e borxhit gjerman”, citohet të ketë thënë Konstantopoulou.
Më herët, presidenti gjerman Joachim Gauck ka deklaruar se e kupton thirrjen e Athinës për reparacionet e Luftës së Dytë Botërore, duke thënë se Berlini duhet të shqyrtojë përgjegjësinë e vetë historike në Greqi. – “Ne nuk jemi vetëm njerëzit që po jetojmë sot, por gjithashtu edhe pasardhësit e atyre që lanë pas gjurmë të shkatërrimeve në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore – në Greqi, ndër vendet tjera, gjëra për të cilat dinim shumë pak për një kohë të gjatë”, citohet t’i ketë thënë Gauck të përditshmes gjermane, Suddeutsche Zeitung.
Shumë grekë e fajësojnë Gjermaninë, kreditorin më të madh të Greqisë, për masat e ashpra shtrënguese dhe regjistrimin e papunësisë në këtë vend, të ballafaquar pas dhënies së dy asistencave financiare prej rreth 240 miliardë eurosh.
Shuma, e vendosur nga një komision parlamentar dhe Gjykata e Lartë Greke, tejkalon borxhin total të Greqisë ndaj BE-së, prej rreth 240 miliardë eurosh, transmeton Telegrafi.
Gjermania kishte mohuar në mënyrë të përsëritur se ajo i ka borxh Greqisë ndonjë më shumë parash, duke thënë se i kishte paguar tashmë dëme të luftës Athinës prej 25 milionë dollarësh në vitin 1950, ekuivalente me rreth 220 milionë dollarë sot.
Gjermania gjithashtu kishte insistuar edhe në atë se i kishte paguar edhe 115 milionë marka gjermane (një shumë me vlerë rreth 230,000,000 eurosh sot), për viktimat e krimeve naziste – në fillim të viteve 1960.