Nese nuk e mban Duka, De Biazin, ta mbajme ne!
Nga Lufti Dervishi
Në hovin e haresë për kualifikimin në Euro 2016, ka nisur edhe debati për të ardhmen e trajnerit De Biazi…! Trajneri italian, me pasaportë shqiptare, ka një meritë të jashtëzakonshme në këtë sukses, pavarësisht se tani themi që ‘ka qenë meritë e grupit, meritë e të gjithëve’! Dakord! Po nëse nuk do të arrinim sukses, do të kërkohej koka e De Biazit dhe jo koka e gjithë grupit!
Deri më tani (pas vitit ’90) Kombëtaren shqiptare e kanë drejtuar disa trajnerë të huaj, Brigel, Dosena, Han, Bariç, Kuzhe! Megjithë respektin dhe konsideratën, të gjithë trajnerë të mëdhenj, por për mos arritjen e objektivit, ikën!
Futbolli për shkak të magjisë së tij është kthyer në fenë më popullore në Shqipëri dhe si çdo magji ka edhe rrezikun që meqë e kupton si lojë, meqë e shijon, të duket e thjeshtë dhe ngasja për të dhënë mendime është shumë e madhe! Mu për këtë shkak shohim shumë trajnerë të zotë pas ndeshjes dhe një divizion ekspertësh që japin këshilla (sidomos) pas humbjes!
Trajneri, De Biazi, ka meritën e padiskutueshme të ndërtimit të një ekipi të ri dhe ngjizjes së mentalitetit fitues përballë kujtdo skuadre! Për më tepër flasin rezultatet!
Pas suksesit të arritur afërmendsh që rinovimi kontratës do të diskutohet me shifra të tjera! Gjykuar nga gjithë deklarimet e deri tanishme, De Biazi nuk duket se po kërkon qiqra në hell, – ai po kërkon të vlerësohet.
Nëse Federata Futbollit nuk e përballon dot financiarisht, një mënyrë për të mbajtur De Biazi, është që ta mbajë publiku duke kontribuar secili që e ndjen se duhet që trajneri që çoi Shqipërinë në Francë, duhet të udhëheqë grupin që ka krijuar edhe në Botërorin 2018!
Deklarimet se ‘ne e bëmë të njohur’, se po na ofrohen për ekipin trajnerë shumë të mirë, janë thjesht shenja mosmirënjohje!
Nuk mund t’i tregojmë derën, njeriut që e shpallëm ‘Nderi Kombit’, për arsyen se nuk të mbajmë dot se u tregove shumë i suksesshëm!
Dhe së fundmi, t’i japim Cezarit atë që është e Cezarit: De Biazi ka pjesën e luanit në arritjen historike, të tjerë kanë pjesën e ujkut dhe ndonjë edhe pjesën e dhelprës!