Nëse qeveria ka rënë, na e provoni me votë!

 

Nga Armando Meta/

 

Disa deputetë të PD-së, duke filluar që nga Znj. Topalli, Patozi, etj., deklaruan sot në Kuvend se qeveria “Rama” “ka rënë”, “ajo ka vdekur”, “deputetët e LSI dhe ministrat e saj e kanë braktisur”, etj. Zonja Topalli shkoi dhe më tej duke kërkuar zgjedhje të parakohshme pasi, sipas saj, “qeveria ka rënë”. Nëse situata është ashtu siç PD e paraqet, hapi më minimal që një opozitë mund të bëjë për ta provuar këtë, është që të paraqesë një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit “Rama”.

Një mocion ky që ose do të legjitimonte kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme, ose do të zhvlerësonte deklaratat e saj. Për hir të realitetit parlamentar, nuk është hera e parë në Kuvend që kryeministri flet me një numër të reduktuar deputetësh jo vetëm nga aleatët, por edhe nga vetë brenda rradhëve të shumicës së tij. Zoti Berisha, gjatë kohës që ishte kryeministër ka folur duke pasur para vetes deri dhe 48 deputetë. Madje në jo pak raste edhe vetë znj. Topalli ka drejtuar Kuvendin pa u bërë kuorumi i deputetëve, në shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit.

Ish kryeministri Berisha, në shumicën e fjalimeve të tij në Kuvend, ka folur pa qenë në sallë deputetët e LSI që i mbanin qeverinë në këmbë. Për të mos folur pastaj që u detyrua “të blejë” tre deputetë nga fusha kundërshtare (PS), për të mbajtur në këmbë qeverinë e tij pas ikjes së LSI nga koalicioni.

Por të bësh sot një mocion mosbesimi në fakt nuk është kaq e lehtë. Për shkak të vetë opozitës së sotme, e cila frymëzoi ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Sipas këtyre dispozitave të ndryshuara, paralelisht me kërkesën për mocion, PD duhet të çonte sot edhe emrin e një kandidati të ri për kryeministër. Një fjalëkryq ky jo i lehtë për t’u zgjidhur, jo vetëm për numrin e votave që duhen, por edhe për emrin e kandidatit për kryeministër.

Duket qartë se PD nuk ka këllqe për mocion. Ajo thjesht godet me fishekë manovre. Numri i deputetëve që ajo ka në dispozion është modest, për të arritur një rezultat konkret, programi i saj ende i paqartë dhe emri i saj i kryeministrit hije akoma i papjekur në personin e Lulzim Bashës. Të cilin, në mënyrë paradoksale PD-ja s’mund ta çojë as teknikisht në Kuvend, pasi kryeministri, sipas ndryshimeve të bëra në prill të 2008, duhet të dalë nga rradhët e deputetëve. Në këto rrethana, deklaratat politike të pambështetura të me veprime konkrete, shërbejnë thjesht për të kaluar kohën ditëve të enjte në parlament, por jo për gjë tjetër.

(Javanews.al)

SHKARKO APP