Nëse ti nuk merresh me politikë atëherë politika merret me ty
Nga Dr. Bledar Kurti –
“Politika është një cështje shumë serioze për t’ua lënë në dorë politikanëve,” ka thënë Charles de Gaulle.
Shqiptarët janë ndër kombet më të dhënë pas politikës, megjithatë pjesmarrja në votime është ndër më të ulëtat në kontinent. Që do të thotë se politika është shndërruar thjesht në një hobi kafaneshë dhe jo një interes real i cdo qytetari për të mbrojtur të drejtat e veta, për të kërkuar jetë më të mirë për familjen, apo zhvillim dhe të ardhme për atdheun.
Falë 30 viteve shembujsh nga më bajatët dhe më tronditëset, me mega-skandale qeveritare apo vjedhje votash të bëra publike ndërkombëtarisht, me figura përfaqësimi në legjislativ të cilët nuk përfaqësojnë ajkën por bajgën e shoqërisë, shqiptarëve të zhgënjyer, të vuajtur në kushtet e mbijetesës po u humbet gjithnjë e më shumë interesi për përfshirjen politike ndërkohë që sot cdo qytetar duhet ta ngrejë zërin e tij më fort sesa kurrë pasi teksa ai ka zgjedhur të mos merret me politikë politika po merret me të: me familjen e tij, me të ardhmen e tij, me shëndetin, arsimin, punësimin dhe madje me ndërgjegjen e tij.
Teksa vendi ka rënë në një recesion ekonomik, social dhe intelektual, me një shoqëri të ndarë vetëm në dy kategori: 10 oligarkë të pasur dhe 2.8 milionë shqiptarë të varfër, pa një shtresë të mesme, kjo e asimiluar tërësisht gjatë viteve të fundit, duhet kuptuar nga të gjithë, një herë e mirë se pushteti i popullit është shumë më i madh sesa pushteti i atyre në qeveri.
Nëse kjo forcë popullore zgjedh të viktimizohet dhe të heshtë në dëshpërimin e saj atëherë politika dhe qeverisja vepron lirshmën për interesat e veta.
A e dini se cila është frika më e madhe e një qeverie?
Frika se mos ndoshta një ditë populli do zgjohet e do kuptojë forcën që ka. Sepse forcën e një populli nuk e zmbrapst dot asnjë qeveri apo perandori. Ndaj edhe propaganda dhe kontrolli ndaj medias është parësor për qeveritë diktatoriale në mënyrë që ta viktimizojnë sa më shumë popullin në mënyrë që ai të mos zgjohet dhe ndërgjegjësohet kurrë për forcën që ka.
Ndaj edhe shqiptarët duhet të nisin të kuptojnë forcën që kanë. Jo me dhunë apo me sakrifica por të meren me politikë që të bëjnë politika. Që të jenë arkitektët e qeverisjes që duan. Të meren me politikë duke ndërmarrë një vendim politik që është vota e 25 prillit 2021.
Nëse cdo shqiptar zgjohet, bën politikë dhe voton për politikat që i sigurojnë një të ardhme më të mirë atëherë cdo politikan nga padron do shndërrohet në shërbyes të njerëzve të thjeshtë.
Viktimizimi që u është bërë shqiptarëve ka sjellë shpopullimin me përmasa dramatike. Të rinjtë largohen zemërthyer dhe ëndraprishur, duke lënë pas familjen, miqtë dhe atdheun, duke sakrifikuar cdo gjë por nuk zgjedhin të zgjohen dhe të ngrenë zërin. Një ushëtimë e të rinjve shqiptarë do shkaktonte inkontinencë tek qeveria. Mjekët, heronjtë e heshtur të këtij vendi, luftëtarët e frontit të parë të betejesës me pandeminë janë lënë si qingja sakrifice në altarin e korrupsionit qeveritar. Mësuesit, njerëzit më fisnikë të shoqërisë janë shndërruar në maroneta të tekave të të pashkollëve. Kuvendi, djepi i krenarisë kombëtare është njollosur me krimin, trafiqet, korrupsionin, dhe idiokracinë. Qytetet tona janë varosur për së gjalli nga betoni dhe ndërtimet shkatërrimtare, nga tenderat abuziv dhe mungesa e vizionit të drejtuesve anonim apo mafiozë të qytetit. Arsimi është shndërruar në një tragjedi me regji klounësh. Pensionistët vazhdojnë të fyen me të ardhurat qesharake të cilat nuk mund të sigurojnë as për pak ditë jetesë. Bizneset bombardohen cdo ditë me gjoba në vend që të jenë partnerë të shtetit. Ndaj edhe 90% e shqiptarëve mendojnë se ky vend nuk bëhet dhe zgjedhin të largohen nëse u jepet mundësia.
E gjitha kjo sepse politika është marrë me qytetarin dhe jo qytetari me politikën. E gjithë kjo sepse ashtu sic e ka thënë Edmund Burke, “e vetmja gjë që e bën të ligën të triumfojë është që njerëzit e mirë të bëjnë asgjë.” Shqiptarët rrezikojnë shpopullimin dhe po përjetojnë vrasjen e shpresës, ndaj ka ardhur koha që i madh e i vogël të zgjohet e t’i kërkojë llogari gardianëve të këtij ferri që ka zbritur këtu. Të gjithë njerëzit e mirë të këtij vendi të mos heshtin apo tremben nga djajtë që u zgjaten brirët vetëm nga karrigia e pushtetit.
Pushteti i popullit është më i madh se ai i atyre në pushtet. Kjo e vërtetë është makth për qeverinë. Një zë i lirë, një votë e lirë rrëzon cdo propagandë dhe sjell shpresë.
Historia ka treguar se ky është vendi i shqiponjave nga ku lindin vetëm shqiponja dhe jo i korbave dhe sorrave që ushqehen me kërmë. Ky është vendi i shqiponjave të lira por “Liria nuk dhurohet vullnetarisht nga shtypësi por duhet kërkuar me cdo kusht nga i shtypuri,” tha Martin Luther King. Jr, ndaj sot shqiptarët të kërkojnë lirinë e tyre dhe të mos jenë më shërbëtorë të shkelur e të viktimizuar por të jenë padronë të sovranitetit të tyre.