Nëse u duket si drejtësi amerikane, i pafshi hajrin
Nga Ylli Manjani
Disa vëzhgime që meritojnë vëmendje dhe reagim ulëritës:
1. Po të procedohesh penalisht, arrestohesh, hetohesh madje edhe gjykohesh e dënohesh me kallëzim të kundërshtarëve ose personave që janë në konflikt me ty, ose me kallëzim të personave që nuk kanë aftësinë të kallëzojnë ato që kanë shkruar!
2. Mund të arrestohesh si person nën hetim, por gjatë hetimit nuk pyetesh asnjëherë, e madje as të jepet asnjë informacion se ç’ndodh me hetimet ndaj teje, megjithëse je në paraburgim!!
3. Mund të arrestohesh edhe me dyshime, pa prova dhe pa shkak apo kriter ligjor proporcional.
4. Mund të kontrollohesh vetë apo të të merren sende personale edhe pa vendim gjykate. As gazetarët nuk kanë më garancinë që u jep profesioni.
5. Në çdo rast vendimi i gjykatës që merret fshehtas teje, nuk ndalon dot kontrollin abuziv ndaj teje dhe banesës ku jeton. Paprekshmëria e banesës rri kot në Kushtetutë.
6. Mund të vendosesh nën akuzë edhe fjalë, pa qenë e nevojshme të të provohet sjellja/veprimi që ka lidhje me pasojën kriminale.
7. Mund të akuzohesh me prova të sajuara ose që nuk dihen si janë marrë.
8. Mund të akuzohesh për grup të strukturuar kriminal pa qenë grup ose pa u lidhur me një krim të caktuar. Thjesht akuzë për grup i strukturuar kriminal!!!
9. Mund të akuzohesh për grup kriminal edhe pse je thjesht nën kontratë pune në një kompani, pra pa mendim dhe veprim kriminal. Akuza për grup kriminal ka dënim fiks 5 vjet!!!
10. Mund të akuzohesh e dënohesh për korrupsion pa asnjë lek/para të gjetur. Të lidhur me veprimin korruptiv jo e jo.
11. Mund të akuzohesh e dënohesh për korrupsion edhe për veprime të thjeshta tregtare të familjarëve të tu. Madje mund të akuzohesh për se ke korruptuar edhe familjarët!!!
12. Mund të akuzohesh për shpërdorim detyre, pa pasur detyrë.
13. Mund të akuzohesh dhe dënohesh për kallëzim të rremë, pa bërë kallëzim.
14. Mund të akuzohesh e dënohesh për ushtrim ndikimi megjithëse je një njeri pa funksion dhe pa mundësi ndikimi tek një shtetar!!
15. Mund të akuzohesh e dënohesh për armëmbajtje pa leje, megjithëse nuk të kanë kapur asnjë armë!!!
16. Me akt noterial mund të bësh edhe betim për në Kushtetuese, por nuk mund të provosh dot vërtetësinë e përmbajtjes reale të një transaksioni tregtar!!!
17. Përgjimi nuk konsiderohet mjet për kërkim prove, por merret si provë dhe, ashtu e vetme pra e palidhur me prova të tjera, shërben për të dënuar njerëz!!!
18. Mund të mbahesh në paraburgim ose nën masa të tjera, me afate të tejzgjatura disa herë megjithëse ndaj teje nuk ka një akuzë.
19. Mund të gjykohesh e dënohesh nga shteti jot për vepra penale që mund të kesh bërë në një shtet tjetër. (Asnjë shtet tjetër nuk e bën këtë për llogarinë tonë!!)
20. Mund të dënohesh madje nga shteti jot shumë më ashpër se ç’të dënon shteti ku ke kryer veprën penale!!!
21. Mund të arrestohesh dhe dëbohesh nga vendi jot për llogari të drejtësisë së një vendi tjetër!!! (Asnjë shtet tjetër nuk e bën këtë për ne)..
22. Mund të jesh gjykuar njëherë por s’ka asnjë garanci që nuk hetohesh e gjykohesh përsëri për të njëjtën gjë!!!
23. Për mosmarrëveshje civile ose administrative mund të jesh krejt papritur edhe nën hetim penal dhe mund të gjykohesh e dënohesh. Shpërdorimi i detyrës është aty për çdo eventualitet…
Nuk po llogaris këtu gjykimin popullor që të bëhet në media me “burime” nga brenda sistemit të ndjekjes penale.
Nuk po llogaris këtu as prezumimin me ligj që na bën shteti të gjithëve si MAFIOZË!!!!
Por ky është realiteti i drejtësisë penale pas reformës!
Nëse u duket progres, ta gëzoni!
Nëse u duket si drejtësi amerikane, i pafshi hajrin! Por edhe ajo rusja kështu qe atëherë…
Por një gjë ua them me bindje, nëse studentët e juridikut i zgjidhin kështu kazuset që u jepen, ngelin në klasë.