Nesër nis lufta për asgjësimin e Berishës
Nga Spartak Ngjela/Nesër fillon beteja për një Shqipëri të drejtë. Jemi në çastet kur do fillojë lufta.
Krimi, korrupsioni dhe banditizmi antishqiptar nuk po artikulohet dot më zërin infantil të Bashës.
Berisha është pozicionuar në hije, por është i trembur. “Pafille”, i thone kësaj gjendje gjirokastritët. Nuk mund të ketë shpresë: Shqipërisë nuk i ndodhi dot përçarja Veri-Jug, ajo nuk u shpërbë dot as nga lufta e nxehtë dhe as nga varfëria e imponuar; shqiptarët nuk e braktisën Shqipërinë, dhe Serbia nuk e mposhti dot me asgjësim Kosovën; gjuhën shqipe nuk e degraduan dot në paqenie armiqtë e egër të saj: ajo sot është tharmi i ngjizjes së botëkuptimit perëndimor shqiptar. Të gjitha këto janë konverguar sot në një pike: te drejtësia shqiptare.
Ajo do të vijë.
Janë orët e fundit.
A do të rrezistoje Rama deri në fund që drafti i Reformës të jetë ky që është përfunduar?
Për vete e ka. Shqiptarët nuk mund ta durojnë dot më rropatjen denigruese që u ka ardhur nga urrejtja e Berishës ndaj tyre; nga përbuzja që tregojnë pushtetarët dhe gjyqtarët për shqiptarët kur i rrjepin dhe i zhysin këta në skamje dhe pesimizëm për historinë e atdheut të tyre.
Reforma në Drejtësi është shpresa e madhe për Shqipërinë moderne; Shqipërinë e pasur dhe dinjitare përkundrejt Botës Perëndimore, ku ajo kërkon që të hyjë, dhe që do të hyjë domosdoshmërisht. Kurrë mos i mendoni shqiptarët se nuk i dinë gjërat ashtu siç jane: kurrë. Ata i dinë mirë. Dhe sot ata janë në aleancë interesash të mëdha me epiqendrën e qytetërimit modern. Kurrë, qe nga vdekja e Gjergj Kastriotit, intresat e shqiptarëve nuk kanë qenë të lidhura kaq ngushtë me Perëndimin.
Asnjë lëshim hordhive berishjane për konceptin amerikano-gjeraman për drejtësinë! Kjo duhet të jetë deviza e maxhorancës shqiptare sot.
Pas disa ditësh të gjithë shqiptarët do bashkojnë votat për Drejtësinë Shqiptare. “Ajo që është marrë padrejtësisht do të kthehet”
Kush nuk e kupton kohën e historisë reale të një populli, fundoset në hirin e ligësisë së tij.
Shqiptarët, pasi fundosen në hi ligësinë Hoxha, janë në pragun e asgjësimit tërësor të ligësisë Berisha.