Nevoja për marrëdhënie publike në pushtetin vendor
Nga Alban Tartari*
Në një studim që personalisht kam kryer në mëse një vit, (shkurt 2016 – prill 2017) lidhur me marrëdhëniet publike (MP) bazuar në një eksperiencë dhjetëvjeçare në këtë fushë, kam pasur mundësinë të njihem dhe të analizoj nga afër strukturat që kryenin këtë detyrë në institucionet publike, organizatat e biznesit, organizatat jo-qeveritare dhe jo-fitimprurëse, organizatat fetare etj. Studimi evidenton se ky sektor i profesioneve të komunikimit, ka marrë një shtrirje dhe rëndësi në rritje në shoqërinë shqiptare. Numërojmë plot 27 vjet që nga emërimi i zëdhënësit të parë, në muajt e fundit të shtetit komunist, dhe sot institucionet, veçanërisht ato qendrore, mbështeten te figura publike nga bota e gazetarisë apo marrëdhënieve publike për të komunikuar mesazhet e tyre me publikët dhe audiencat.
Në fakt, Shqipëria është duke zbatuar një model europiano-qendror (më afër atij italian) në këtë drejtim; gjithsesi nuk mungojnë edhe elementë anglo-saksonë në mënyrën e punës së ekspertëve që vjen më së shumti nga konsulenca që shpesh ofrohet nga këto vende. Sigurisht, kjo fushë qoftë në aspektin praktik qoftë edhe në atë studimor në kuadër të shkencave të komunikimit, është ende në hapat e parë. Paqartësia vjen veçanërisht nga afrimiteti i MP me politikën që rrezikon ta degradojë këtë në propagandë dhe afrimiteti me marketingun (komunikimin me tregun) në biznese që synon ta afrojë më shumë me reklamën.
Gjithsesi, punimi, ndër të tjera, evidenton një strukturim më të mirë dhe përpjekje profesionale në Tiranë, por gjithashtu evidentohet se MP në rajone të tjerë të Shqipërisë kthehen në elementë thuajse të padukshëm ose jo-ekzistentë. Shembujt janë të shumtë në një vend ku elementë si kultura, imazhi, mesazhi dhe ndikimi i Tiranës si kryeqytet, janë mëse dominantë.
Ka një model në Shqipëri, sipas, të cilit çdolloj komunikimi, mjafton që të paketohet mirë në Tiranë, në salla të mirëdekoruara të shtetit apo në salla të qelqta të biznesit dhe të përcillet drejt periferive. Por në fakt, duket se nuk mund të funksionojë kështu. Shumë mesazhe, kthehen në tërësisht “kryeqytetase” nëse mund ta themi kështu, dhe nuk përputhen me kodet e komunikimit dhe perceptimit të tij në zona të tjera të Shqipërisë, nuk përputhen më kulturën, mendësinë, eksperiencat etj. Një nga pushtetet që ka pak qasje në fushën e MP është pushteti vendor. Sigurisht, ka një tendencë që sa themi pushtet vendor të mendojmë për Bashkinë e Tiranës. Por nëse do shohim, Bashkia e Tiranës ka një përqasje shumë të gjerë në fushën e MP (aq sa shpesh kritikohet), bashkitë e tjera dhe prefekturat shfaqen shumë pak aktive në këtë drejtim. Strukturat organizative të ngritura në vitet e fundit ua kanë hequr të drejtën prefekturave që të kenë ekspertë të marrëdhënieve publike dhe kjo kompetencë i është dhënë Ministrisë së Brendshme. Nga ana tjetër, disa bashki të mëdha kanë ekspertë të MP, por puna dhe angazhimi i tyre në struktura është dytësor e madje tretësor për shkak të përcaktimit të vendit të tyre në hierarkitë drejtuese.
Meqenëse jemi në Javën e Demokracisë Vendore, një nismë e LëvizAlbania, duhet evidentuar nevoja e pushtetit vendor për struktura të mirëfillta të MP. Këto nuk duhen menduar në funksion të politikës, por në funksion të politikave zhvilluese të zonave të ndryshme të Shqipërisë. Zëdhënësit, ekspertët e MP, mund të bëjnë punë të shkëlqyera në komunikimin e bashkive dhe prefekturave me publikët dhe audiencat përkatëse, të shpjegojnë punën që po bëjnë institucionet, të ngrenë çështje dhe probleme sociale që kërkojnë vëmendjen dhe mbështetjen e banorëve të asaj zone, të informojnë më mirë vizitorët dhe turistët për ato zona, të promovojnë vlerat më të mira kulturore, historike, kulinare të atyre zonave drejt publikëve të huaj etj.
Pra, ndërtimi i strukturave efikase të MP dhe përgatitja e tyre për këto komunikime në disa nivele, mund të ndihmojë pikë së pari demokracinë vendore, nevojën e qytetarëve për informacion. Dhe duket se koha e marrjes dhe kthimit të letrave klasike nga dhe drejt qytetarëve që duan javë të tjera të shkëmbehen, ka kaluar qyshkur. Ajo që nevojitet është një platformë interaktive, që i bën qytetarët pjesëmarrës në procese, bën që zëri i tyre të dëgjohet. Nga ana tjetër, shumë fushata të të gjitha llojeve, nuk funksionojnë me logjikën “e bërjes gati në Tiranë”. Nevojitet që ato të konsultohen me ekspertë vendorë, duke marrë para sysh e për bazë eksperiencat vendore. Vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet sukses për to. Për këtë arsye, ashtu siç institucionet qendrore publike, të zgjedhura, të emëruara, të politizuara ose jo, kanë strukturat e tyre që sigurojnë “frymëmarrjen komunikative”, ashtu edhe pushtetet vendore duhet të kenë struktura të tilla me detyra specifike. Në këtë mënyrë, i jepet rëndësi edhe medias vendore, e cila shpesh përballet me mungesë informacioni. Shpesh jo se ky informacion mungon, por sepse nuk ka struktura me detyra të qarta që ta servirin atë.
Marrëdhëniet publike në shtete demokratike rrjedhin si profesion (dhe struktura) tashmë nga ligjet që shenjtërojnë të drejtët e qytetarit për të thënë fjalën e lirë dhe për të marrë informacion në çdo kohë. Ka ardhur koha që ne, këtë ta zbatojmë në çdo nivel të strukturave tona qeverisëse.
*Autori është pedagog pranë Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, autor i botimit “Marrëdhëniet me Publikun”.