Nevoja për të hetuar arsyet e një tenderi

 

 

Nga Mero Baze.

Në korrupsionin me paratë publike, ligji shqiptar i tenderave, i asistuar nga Bashkimi Europian, nuk është i keq. Ai krijon plot shanse që procesi të jetë transparent, dhe fituesi të mos e ketë aq lehtë që të paracaktohet, përveç rasteve kur hyjnë në mes marrëveshjet.

Por, ajo që është më e rrezikshme në vende me administratë të korruptuar dhe qeveri të kapur siç është Shqipëria, ka të bëjë me sajimin e tenderave jo për një interes real publik, por për interes të klientëve të saj. Ky fenomen në Shqipëri po kthehet në gangrenë dhe është i pakuptueshëm për sytë e publikut. Të gjithë merren me faktin që ka një garë publike dhe shikojnë se mos e fiton dikush që është afër Edi Ramës, apo që ka qenë afër Berishës, por nuk shikojnë dhe e kanë të vështirë të kuptojnë, sa i nevojshëm ka qene harxhimi i atyre parave dhe a ja ka vlejtur të harxhohen.

Ky lloj korrupsioni është më i sofistifikuar dhe ka të bëjë me kapjen e shtetit.

Përshembull, ka disa javë që debatohet që kompania ku ka qenë pronar Ilir Beqja, ka marrë disa tendera në fushën e IT apo produkteve digitale. Të gjithë i turren ta kritikojnë, se i ka marrë tenderat nën influencën e pushtetit të tij, e cila natyrisht që ka vend të diskutohet.

Por, shumë ekspertë të fushës së informatikës dhe teknologjisë së multimedias, janë të shqetësuar se tregu shqiptar i IT është spekulativ, amator dhe ka orientuar qeverinë në investime jo eficente, që nuk vlejnë për asgjë, përveçse për firmat që kanë fituar tenderin. Ato mund ta kenë fituar tenderin me drejtësi, ose së paku sipas rregullave, por gjëja më e rëndë është se shumë nga ato tendera dhe mund të mos ishin bërë fare.

Shqipëria ka bërë investime të pafundme në dhjetra milion euro në këtë fushë, por është ende larg një vendi me një sistem komunikimi onlinë të sigurt dhe me një protokoll veprimtarish legale. Ende sot një shkresë zyrtare nuk mund të jetë legale kur postohet online dhe sistemet e sigurisë së ngritura dhe për shërbimet online, janë plot probleme për shkak të investimeve amatore që janë bërë në atë drejtim.

Dy ditë më parë gazeta TemA postoi një video ku një haker amator i filmuar, arriti të hynte deri në QKR, aty ku është rregjistruar biznesi shqiptar, dhe të ndërhynte në dokumentacion. Askush nuk u shqetësua për këtë çështje, edhe pse në të vërtetë ajo është një vepër e pastër kriminale, që vjen për shkak të sistemit të pasigurt ku është investuar.

Shqipëria ka gjithësej nja tre- katër kompani që u janë ngjitur nga pas qeverive shqiptare të majta e të djathta për këto investime, të cilat në vend të udhëhiqen nga qeveria dhe të jenë partnere të saj, në zbatim projektesh, orientojnë qeverinë, se ç’duhet të bëjë për interesa të tyre dhe kanë bërë një mish- mash investimesh në këtë drejtim, në atë masë që sa më shumë shtohen tendera të tillë, aq më shumë po humbet integriteti i investimeve në teknologjinë online dhe shërbimet që ofron shteti në këtë drejtim. Kompania e Ilir Beqajt po lakohet ngaqë është Ilir Beqaj në mes si politikan, por dy- tri kompanitë e tjera, duke filluar nga ajo që ka zyrën tek pallati i Berishës, kanë bërë kërdinë në kohën e Berishës, (bashkë me atë të Beqajt) dhe akoma më shumë tani. Por, krimin më të madh nuk e kanë se fitojnë tendera, se për ato bien dakord dhe me njëra- tjerën. Krimi më i madh i tyre duket se është ndikimi që kanë në shtetin shqiptar për t’i orientuar drejt punësh të kota, për të përfituar shpejt dhe lehtë para, që pastaj prokurohen me procedura të rregullta dhe të paqortueshme.

Për këtë shkak mendoj se shteti shqiptar ka nevojë të hartoj një legjislacion të rreptë dhe pa ekuivoke, për eficencën e prokurimeve dhe të konsiderojë vepër penale, një investim të padobishëm të shtetit. Sherret që bëhen në publik nga opozita për çdo lloj tenderi dhe koncesioni që bëhet sipas grafikut në APP, natyrsht e bën bajat këtë punë, por duke thënë çdo ditë “ujku ujku”, kur kalon ujku vërtetë, ata bëjnë sikur nuk e kanë mendjen. Nëse heton deklaratat e opozitës kundër tenderave, ata kanë përgojuar vetëm dy- tri biznesmenë, që i konsiderojnë të afërt me Ramën, por nuk hapur gojë për shumicën e koncesioneve dhe tenderave për të përmendur emra, pasi janë klientë të tyre dhe që ndoshta i fitojnë ato me meritë.

Pra, zhurma boshe e opozitës vetëm sa ndihmon korrupsionin në këtë rast. Ajo që duhet bërë, është që të hartohet një legjislacion që të kufizojë të drejtën e qeverisë për të dhënë koncesione sipas rekomandimeve të klientëve të saj, dhe shumcia e tyre të kalojnë në parlament me një shumicë të cilësuar, kur bëhet fjalë për afate të gjata përtej mandatit. Nga ana tjetër, duhet një argumentim i fortë dhe shumë transparent për eficencën e tenderave dhe koncesioneve, në atë shkallë sa rekomanduesit të merren në ndjekje penale, nëse rezulton që tenderi është bërë jo për eficencë ekonomike, por për kapjen e shtetit.

Në një shoqëri kapitaliste si e jona, hajdut nuk është ai që hyn në një garë e fiton, qoftë dhe duke futur i brryla të tjerëve. Ai në fund të fundit do të dorëzojë një punë të marrë sipas një kontrate. Korrupsioni real është nëse kjo punë është bërë kot për të harxhuar dhe marrë ca para, siç ndodh jo rrallë. Kjo ka nevojë të kufizohet me ligj dhe të kërcasin prangat, për ta kuptuar që shteti duhet të pushojë së qëni një lopë Mallteze, që milet për llogari të babait kryeministër, dhe që tani duket se ka ndërruar vetëm mjelësen. / Publikuar sot ne gazeten TEMA

SHKARKO APP