“New York Times” për McGonigal dhe lidhjet e tij me Shqipërinë
Media prestigjioze amerikane, New York Times i ka kushtuar një artikull të gjatë ish-zyrtari të FBI-së, Charles McGonigal dhe lidhjeve të tij me kryeministrin Rama.
Në artikullin e New York Times theksohet se McGonigal, zhvilloi një marrëdhënie me kryeministrin Rama dhe se dyshohet se ndërmori hapa në dobi të politikanit shqiptar.
“Ndërsa ishte ende në FBI, ai zhvilloi një marrëdhënie me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe ndërmori hapa në dobi të politikanit, sipas prokurorëve në Uashington”, nënvizon artikulli.
Më pas New York Times bën një renditje kronologjike të ngjarjeve dhe takimeve mes McGonigal, Agron Nezës, Dorian Duçkës dhe kryeministrit Rama.
“Gatishmëria e McGonigal për t’u takuar me kreun e qeverisë në Shqipëri, një vend që ka një prani diplomatike amerikane, sugjeron se ai nuk po e mbante të fshehtë përfshirjen e tij atje nga kolegët, thanë ish-zyrtarët. Ai përdori gjithashtu adresën e tij të emailit dhe telefonin e FBI-së për çështje të lidhura me Shqipërinë, tha një person me njohuri në hetim.
Por çfarëdo preteksti zyrtar që mund të kishte McGonigal për ato udhëtime dhe shoqata mund të kishte shërbyer gjithashtu si mbulesë për aktivitete më të diskutueshme, thanë të tjerë.
Fakti që krimet e dyshuara ndodhën pak përpara daljes në pension të tij, sugjeron se McGonigal mund të ketë filluar ose rritur aktivitetet e paligjshme pas kryerjes së testeve të fundit të poligrafit, të cilat supozohet se do të administrohen çdo pesë vjet.
Triplett tha se tradhtia e agjencisë nga dikush me pozitën e McGonigal për 225.000 dollarë, nëse vërtetohet, do të ishte befasuese duke pasur parasysh se ish-zyrtarët mund të fitojnë shuma të konsiderueshme si konsulentë pas daljes në pension, përveç pensioneve të majme”, thuhet në artikull.
Pjesë nga artikulli ku flitet mbi përfshirjen e kryeministrit Rama:
Në gusht 2017, thanë prokurorët, ai u takua me Agron Nezën, biznesmen nga Nju Xhersi i përshkruar në aktakuzën e Uashingtonit si Personi A. Përveç Deripaska, personat e përmendur në aktakuzat e McGonigal nuk u emëruan.
Neë York Times i identifikoi ata përmes të dhënave publike dhe intervistave me njerëz të njohur me rastin.
Agron Neza, 59 vjeç, ka lindur në Shqipëri dhe është punësuar nga një agjenci inteligjence atje disa dekada më parë. Më vonë ai u transferua në Shtetet e Bashkuara, u vendos në veri të Nju Xhersit dhe u bë shtetas amerikan. Ai nuk është akuzuar për ndonjë shkelje.
Në takimin e gushtit 2017, McGonigal i kërkoi para Nezë, thanë prokurorët. Ata nuk dhanë detaje se si u takuan Neza dhe McGonigal, marrëdhënien e tyre si dhe nuk zbuluan arsyen e kërkesës. Por në aktakuzën e Nju Jorkut, Neza përmendet si miku i McGonigal. Në muajt pasi McGonigal kërkoi para, ata bënë udhëtime të shumta në Evropë, ku McGonigal me sa duket përdori pozicionin e tij në përpjekjet për të krijuar biznes për Nezaë, sugjeruan prokurorët në padinë e Uashingtonit.
Në shtator 2017, ata udhëtuan për në Shqipëri, thanë prokurorët, ku Neza e prezantoi McGonigal me Dorian Duçkën, një ish-zyrtar shqiptar që shërbente si këshilltar informal i kryeministrit Rama. Duçka, i përshkruar në aktakuzën e Uashingtonit si Personi B, e solli McGonigal të takohej me kryeministrin Rama.
McGonigal duket se është përpjekur të shtyjë kryeministrin drejt dhënies së një licence për shpime nafte për një subjekt të lidhur me Nezë dhe Duëkë, sugjeruan prokurorët.
McGonigal gjithashtu dukej se po përpiqej të ndihmonte Neza në lidhjen e marrëveshjeve me një politikan dhe biznesmen shqiptar, i cili donte që FBI të hetonte atë, thotë aktakuza e Uashingtonit.
McGonigal organizoi një udhëtim të mëvonshëm jashtë shtetit që një prokuror amerikan ta intervistonte atë në Austri, duke përdorur Nezë si përkthyes të tij. Prokurorët sugjeruan se takimi ishte një mashtrim; nuk kishte asnjë procesverbal zyrtar të intervistës dhe Neza nuk ishte paguar për punën. Në të njëjtën ditë, McGonigal dhe Neza fluturuan për në Shqipëri, ku u takuan me politikanin dhe diskutuan mundësitë e biznesit, thuhet në aktakuzë.
Atë vjeshtë, Neza i dha McGonigal 225.000 dollarë në para në tre këste, sipas aktakuzës. Neza bëri një nga pagesat brenda një makine të parkuar në Neë York City dhe të tjerat në shtëpinë e tij në Neë Jersey, thanë prokurorët. McGonigal premtoi se do t’i kthente paratë, sipas aktakuzës. Prokurorët nuk e kanë akuzuar McGonigal për marrjen e ndonjë veprimi zyrtar në këmbim të pagesave.
Në nëntor, pasi McGonigal u takua përsëri me kryeministrin Rama dhe Dorian Duçkën në Shqipëri, ai kontaktoi të njëjtin prokuror që kishte qenë me të në Austri për një hetim të mundshëm ndaj një lobisti që kundërshtari politik i Ramës kishte punësuar për të pasur mbështetje nga Presidenti Donald J. Trump.
Ngjarjet e detajuara në aktakuzë dhe të dhëna të tjera publike duket se përputhen me përshkrimin e lobistit Nicolas D. Muzin.
Vetëm disa ditë përpara se McGonigal të kontaktonte me prokurorin, më 14 nëntor, Muzin paraqiti një kallëzim në Departamentin e Drejtësisë duke zbuluar lobimin e tij për Partinë Demokratike të Shqipërisë, partinë politike të qendrës së djathtë që sfidonte Ramës. Partia drejtohej nga Lulzim Basha, i cili ishte vendosur si mbështetës i Trump.
McGonigal hapi një hetim federal për një lobist për Lulzim Bashën, kundërshtar politik i Ramës në Shqipëri, thanë prokurorët.
Në fillim të vitit 2018, Neza vazhdoi t’i transmetonte McGonigal informacione- disa prej të cilave erdhën direkt nga zyra e kryeministrit Rama- për Nick Muzin, sipas aktakuzës së Uashingtonit. McGonigal më pas do ua përcillte këto informacione të tjerëve në zyrën e FBI në Nju Jork.
Në fund të shkurtit, FBI hapi formalisht një hetim për lobistin me kërkesën dhe udhëzimin e McGonigal. Neza ishte ndër burimet konfidenciale që dhanë informacione gjatë hetimit dhe Duçka pagoi dëshmitarët në Europë për udhëtimet dhe takimet e tyre me FBI-në, thuhet në aktakuzë.
Gjatë kësaj kohe, McGonigal dështoi të zbulonte kontaktet e tij me Dorian Duçkën apo marrëdhëniet e tij financiare me Agron Nezën, thanë prokurorët. Nuk është e qartë nëse Departamenti i Drejtësisë ndërmori hapa shtesë për të hetuar zotin Muzin dhe kundër tij nuk u ngrit akuzë. Muzin tha në një deklaratë se ai ‘nuk kishte arsye të besonte se ishte viktimë e një hetimi të rremë’.
“Por nëse do të isha, kjo është për të ardhur keq dhe shpresoj se drejtësia do të vihet në vend”, tha ai.