Newsweek/ Portret i Lavdërim Muhaxherit, komandanti shqiptar i ISIS

Komandanti i lartë ballkanik i Shtetit Islamik (ISIS) në Irak dhe Siri, përgjegjës për komplotin ndaj ekipit kombëtar izraelit të futbollit në Shqipëri, sipas policisë dhe familjes së tij është vrarë.

Lavdërim Muhaxheri ishte vetë-deklaruar “komandant i shqiptarëve në Siri dhe Irak”.Ai gjithashtu njihej si Abu Abdullah al Kosova, dhe udhëtoi për në Siri në vitin 2012 për t’u bashkuar me Frontin Nusra, të lidhur me Al-Kaedën, tani i njohur si Jabhat Fateh al- Sham.

Familja e tij i konfirmoi Reuters-it se ai ka vdekur në Lindjen e Mesme, pa specifikuar se ku dhe si Muhaxheri vdiq. Një zyrtar i policisë së Kosovës gjithashtu e konfirmoi ngjarjen tek agjencia e lajmeve, por pa e specifikuar. Raportet e mediave ballkanike, duke cituar burime të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, treguan se Muhaxheri mbeti i vrarë nga një sulm ajror i SHBA-ve.

Besohet se Muhaxheri ka qenë komandant i rekrutëve të ISIS në territoret e saj, dhe se gjithashtu ka qenë lidhja kyçe midis xhihadistëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Vendndodhja e tij mbeti e panjohur që kur ai u pa për herë të fundit në Mosul të Irakut në vitin 2015. Interpoli lëshoi një njoftim “të kuq” për arrestimin e tij, ndërsa SHBA-të e cilësuan Muhaxherin si terrorist ndërkombëtar në shtator të vitit 2014.

Ai u bë i famshëm në vendin e tij për një video të vitit 2014, ku shfaqet duke i prerë kokën një personi në Irak, pasi akuzohej nga ISIS se spiunonte për llogari të qeverisë irakiane. Në një tjetër video të tmerrshme që grupi aktivist Raqqa shpërndau në maj të 2015-ës, Muhaxheri shihet duke vrarë një sirian me armë “anti-tank”.

(Një polic i forcave speciale Shqiptare duke vështruar, ndërsa merr pjesë në një konferencë për sigurinë përpara ndeshjes kualifikuese të futbollit për Kupën e Botës së vitit 2018 midis Shqipërisë dhe Izraelit në Elbasan, më 12 nëntor. Autoritetet kosovare arrestuan 19 të dyshuar për përgatitjen e një komploti ndaj ndeshjes. Sipas familjes së tij, njeriu pas komplotit, komandanti i lartë ballkanik i ISIS, është vrarë.) 

Komandanti ishte shqiptar nga Kaçaniku i Kosovës, dhe anëtar i Bashkësisë Islame të Kosovës, organizatë e pavarur islame, raporton Radio Europa e Lirë.

Në nëntor, autoritetet kosovare arrestuan 19 persona për lidhje të dyshuara me ISIS, duke planifikuar sulme në Kosovë, dhe një sulm tjetër ndaj ekipit të futbollit izraelit dhe tifozëve të tij në kualifikueset e Kupës së Botës kundër Shqipërisë.

Ndeshja mes Izraelit, vend me shumicë hebraike, dhe Shqipërisë, vend me shumicë myslimane, fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në qytetin verior të Shkodrës, por policia e zhvendosi ndeshjen në një vend afër Tiranës, për shkak të frikës nga ndonjë sulm i mundshëm.

Kosova është bërë strehë për islamikët radikalë që udhëtojnë për të luftuar për ISIS në Irak dhe Siri, me raportin më të lartë lidhur me popullsinë. Që nga maji, autoritetet kishin identifikuar 314 kosovarë të cilët ishin bashkuar me ISIS. Muhaxheri dhe shoku i tij Ridvan Haqifi, pjesëtar i ISIS, kishin kërcënuar Kosovën me sulme vdekjeprurëse në disa video paralajmëruese të shpërndara vitet e fundit.

Newsweek,

SHKARKO APP