Nga Donaldi tek Donaldi, në pritje të një “fermani”
Donald Lu nuk është përjashtimi nga rregulli, por është “normaliteti” i një raporti historikisht të vështirë, që vijon të mbetet i tillë edhe pse në krye të partisë demokratike ka ardhur Lulzim Basha. Konflikti që prodhoi mes PD dhe ambasadës së SHBA reforma në drejtësi, ku Lu por edhe Vlahutin…
Nga Skënder Minxhozi
Ka pasur një lloj ngazëllimi tek mediat pranë opozitës, në lidhje me njoftimin se presidenti i zgjedhur Donald Trump ka vendosur të largojë ambasadorët amerikanë të caktuar gjatë mandatit të Presidentit Obama. Natyrshëm në këtë përllogaritje është përfshirë edhe ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu.
Në fakt “ngrirja” ose kërkesa për dorëheqje formale apo edhe largimi i titullarëve të trupit diplomatik, është një procedurë e kahershme në politikën e jashtme amerikane, sa herë që ndërrohet kreu i Shtëpisë së Bardhë. Megjithatë njohësit e diplomacisë amerikane venë në dukje se largimi i ambasadorëve pas zgjedhjes së një presidenti të ri, prek më së pari titullarët diplomatikë që konsiderohen si politikë. Pra ata ambasadorë që nuk vijnë nga shërbimi dhe që nuk kanë karrierë diplomati. Donald Lu nuk është një ambasador politik dhe teorema e “spastrimit” diplomatik të Presidentit Trump mund të mos e verë fare në shënjestër. Gjithsesi, si shumë e shumë procese që ndodhen pezull brenda dhe rrotull Shtëpisë së Bardhë, edhe fati i ambasadorëve të SHBA do të vendoset pasi presidenti të ketë bërë betimin. Në praktikën diplomatike amerikane, ambasadori është formalisht i dorëhequr në çdo moment të karrierës së tij.
“Fermani” i mundshëm i largimit të ambasadorit Lu sjell sjell në fakt në tregun e debatit e analizës politike një tjetër temë të lidhur me të: atë të marrëdhënieve disa herë konfliktuale e traumatike që ka pasur një segment i klasës politike shqiptare, me ambasadorët e SHBA që kanë shërbyer në vendin tonë. Dhe në këtë rrafsh mandati shqiptar i Donald Lu nuk bën përjashtim.
Duke hequr mënjanë ambasadorin e parë amerikan Uiliam Rajerson, njeriun që shoqëroi periudhën e ndryshimit të sistemit në Shqipëri, thuajse të gjithë pasardhësit e tij kanë pasur me kalimin e viteve, marrëdhënie të acaruara me të djathtën dhe kreun e saj historik Berisha. Që nga Marisa Lino, Joseph Limpreht dhe me vonë John Uithers e Aleksandër Arvizu, rregullisht kurba e marrëdhënieve mes tyre dhe të djathtës shqiptare ka njohur rënie me kalimin e javëve e muajve.
Emblematik është ambasadori i parafundit Arvizu, i cili e mori detyrën mes tensionit të ngjarjeve dramatike të 21 janarit (mbahet mend kur e quajti Berishën burrë shteti), për të kaluar më pas drejt një ftohjeje e acarimi gradual me ish-kryeministrin. Fati i Arvizut është metaforë dhe sintezë e raporteve përgjithësisht problematike që Berisha dhe PD kanë pasur me ambasadorin amerikan të rradhës në 25 vjetët e fundit.
Ngjarje madhore si zgjedhjet e vitit 1996, incidentet e rënda të një viti më pas, Gërdeci, 21 janari dhe konflikte të tjera që kishin të bënin me gjyqësorin, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe ato të mediave e opozitës në veçanti, kanë qenë rregullisht subjekte përplasjesh të ambasadorëve amerikanë me të djathtën, në opozitë apo në pushtet.
Donald Lu nuk është përjashtimi nga rregulli, por është “normaliteti” i një raporti historikisht të vështirë, që vijon të mbetet i tillë edhe pse në krye të partisë demokratike ka ardhur Lulzim Basha. Konflikti që prodhoi mes PD dhe ambasadës së SHBA reforma në drejtësi, ku Lu por edhe Vlahutin u detyruan t’i drejtohen më shumë se një herë me tone të ashpra opozitës, për të dhënë konsensusin për reformën, tregon se do të duhet të rrjedhë ende ujë nën ura, para se të kemi një ambasador amerikan që ka marrëdhënie normale me të gjitha palët politike në vend. Me shumë gjasë ky do të jetë edhe një ndër pengjet e ambasadorit Lu, deri ditën kur do të lerë detyrën. Me ose pa urdhrin e prerë të Donaldit tjetër. Presidentit të SHBA!/ Javanews