Nga fajin e ka Saliu te fajin e kanë shqiptarët

A ke dalë ndonjëherë herët në mëngjes nga shtëpia të shikosh si gumëzhin Tirana nga njerëzit që shkojnë të punojnë nga 12 orë në ditë në fasoneri dhe call center për 200 euro në muaj? Po policët e tu që rrinë me orë të tëra në shi e në borë çfarë do ti quash norvegjezë, suedezë, apo amerikanë, se shqiptarë nuk kanë si të jenë“…

Nga Andi Bejtja

Për të justifikuar dështimin në premtimet e qeverisë në lidhje me punësimin, Kryeministri Rama arriti deri aty sa ia vuri fajin të ashtuquajturit formim genetik të shqiptarëve dhe sipas tij konkretisht dembelizmit. Kjo qe jo vetëm një tezë qesharake, kokë e këmbë injorante, që tregon problemet dhe dështimet që Rama ka si kryeministër dhe Edi si person, por në të njëjtën kohë, ky qe ofendimi më i madh që një kryeministër i ka bërë popullit të vet.

Të blasfemosh në shekullin e 21 kategori të tëra, raca, kombe dhe për më tepër racën dhe kombin tënd tregon që shqiptarët në rastin më të mirë kanë për hise një kryeministër injorant, që duke qenë se e ka të pamundur të urrejë dhe të përçmojë vetveten për paaftësinë e vet, është i gatshëm të urrejë gjithë popullin e tij. Dhe të tillë dhe po kaq injorantë janë dhe ato gazetarë që me emisionet e tyre i bëjnë hyzmet tezës së dembelizmit të shqiptarëve e arrijnë deri aty, sa për të shpëtuar fytyrën e njollosur të Kryeministrit, të nxjerrin sondazhe të tilla sikur shqiptarët në shumicë masive mendojnë për vetën që janë dembelë.

Nuk ja vlen të merremi seriozisht me dështimet e premtimeve të Ramës për punësimin: mjafton të kujtojmë që në 2013 tha se ishin 1 milionë të papunë dhe se do hapte 200 mijë vende pune për katër vjet, pra që këtu rrëzohej premtimi se do ta zhdukte papunësinë brenda një apo dy mandateve. Se me një llogari të thjeshtë me 200 mijë veta të punësuar për çdo mandat do t’i duheshin 5 mandate pra 20 vjet, gjithmonë në qoftë se do i besonim këtij premtimi.

Këtë e dinim që kjo nuk do të ndodhte, po nuk prisnim këtë tjetrën që gati në më shumë se gjysmën e mandatit të mos kishim pothuaj asnjë investim të huaj serioz, të rritej taksa për investimet e huaja, ndërkohë që në rajon ulej, Maqedonia me shkallën e papunësisë më të madhe në rajon në 2013 për dy vjet e gjysmë të thithte mbi 2.5 miliardë investime të huaja duke krijuar me mijëra vende pune dhe Shqipëria zero: nuk prisnim që Crown Agents jo vetëm të dështonte në mbledhjen e të ardhurave, por njëkohësisht dhe të na merrte ca miliona euro ekstra. Dhe meqë ra fjala këta nuk ishin shqiptarë po anglezë.

Nuk prisnim që për Francesko Beketin të nxirrnim po nga lekët tona mbi 3 milionë euro vetëm për t’u përballur me një gjyq, se akoma nuk e dimë sa do shpenzohen për t’u përballur në dhjetë të tjerat për të mos folur për faturën totale që do na vijë pak më vonë, por jo për faktin se jemi dembela. Ndaj, mos u habisni fare kur për shembull në revistën The Economist të gjeni shkrim të paguar nga qeveria shqiptare: “Shqiptarët raca më dembele në botë”.

Por gjithsesi, jo si gazetar por si shqiptar i thjeshtë pas gjithë këtij etiketimi si dembel që kryeministri na bëri jo thjesht si individë, por si racë e si komb, i kam disa pyetje: Ti vetë i nderuar kryeministër çfarë je, je shqiptar apo racë tjetër? Se meqë pretendon që po qeveris shkëlqyeshëm dhe po punon fort i bie të mos jesh shqiptar.

Po gruaja jote, fëmijët e tu çfarë race janë? A ke dalë ndonjëherë herët në mëngjes nga shtëpia të shikosh si gumëzhin Tirana nga njerëzit që shkojnë të punojnë nga 12 orë në ditë në fasoneri dhe call center për 200 euro në muaj? Po policët e tu që rrinë me orë të tëra në shi e në borë çfarë do ti quash norvegjezë, suedezë, apo amerikanë, se shqiptarë nuk kanë si të jenë.

Po deputetin tënd që thua ti e ke më punëtorin, që rri aq shumë orë arave të Lushnjës po aq dhe arave të Facebookut, çfarë e konsideron eskimez, se shqiptar, kaq punëtor sa është normalisht nuk i bie të jetë. Ore fundja fundit, çfarë race është babai yt i ndjerë, që ndryshe nga ty, rrinte me orë të tëra në studio dhe fundja fundit pati një produkt me vlerë. Çfarë race është babai yt se shqiptar s’ka si të jetë aq efikas dhe produktiv sa ishte.

Fundja çfarë do t’i thuash gjithë atij brezi të djegur, që pavarësisht se u dogj thau këneta duke punuar ditë e natë, ndërtoi hidrocentrale, hekurudha dhe mbi të gjitha me punë vullnetare. Si do u kërkosh votën 1 milionë emigrantëve shqiptarë që rropaten nga mëngjesi në lloj-lloj punërash në çdo cep të botës, pasi racën e tyre jua ke etiketuar si dembele. E fillove me fajin e ka Saliu, gjatë gjithë fushatës i ndave prapë shqiptarët në kategori, burrat janë parazitë dhe dembelë, gratë janë punëtore, dhe së fundmi dole në tezën “shqiptarët janë dembela”. Unë them se në konceptin që ke ti për shqiptarinë dhe dembelzimin shqiptari i vetëm je ti. Por ti nuk ke për të mbaruar këtu: e ke parë veten sa herë ke artikuluar brenda këtyre tre viteve se europianët janë të mërzitshëm: me dhjetra herë. Tani jam i bindur e kanë radhën ata, europianët, me ne shqiptarët mbarove punë. Syri.net

SHKARKO APP