Nga i marrin paratë partitë shqiptare?
Për një parti. Pa llogaritur këtu shpenzimet e përditshme gjatë gjithë vitit. Me një llogari të tillë të thjeshtë, mund të thuhet, gjithnjë me kalkulim të përafërt, që kostoja e zgjedhjeve në Shqipëri shkon midis 30 dhe 35 milionë eurove…
Nga Blendi Fevziu
Përse partitë politike po mbushen me biznesmenë dhe njerëz që politikën nuk e kanë pasur as dimension dhe as e shohin si shërbim? Përse në partitë politike po depërtojnë njerëz me rekorde kriminale dhe pasuri të dyshimtë? Përse njerëzit e biznesit kalojnë nga një qeveri tek tjetra duke siguruar favore, duke ju imponuar politikës, duke shkelur rregulla dhe duke shpërfillur ligje? Ka edhe shumë pikëpyetje të tjera që mund të ngrihen për politikën shqiptare sot dhe ka shumë përgjigje që mund të jepen për to. Por ka një përgjigje që renditet ndër më të rëndësishmet dhe nuk duhet të anashkalohet: paratë dhe financimi i partive.
Të gjithë e dimë që nga viti në vit fushatat bëhen më të shtrenjta, me më shumë ekipe ndihmëse, vendase dhe të huaja. Reklamat në media rriten. Por rritja e shpenzimeve në fushatë nuk reflektohet askund në financimin e partive nga shteti.
Një kërkim i vëmendshëm në thesarin e shtetit tregon se në vitin 2005, qeveria jepte për partitë politike një fond vjetor prej 156.9 milion lekësh ose afro 1.1 milion euro me kursin e atëhershëm. 12 vjet më pas, në vitin 2016, ajo ka dhënë 190 milionë lekë ose 1.388 milionë Euro. Financimi i partive në dhjetë vitet e fundit varion nga 190 në 200 milionë në vit. Pra maksimumi 1.46 milion euro në vit. Askush nuk mund të thotë që për nga shpenzimet fushata e vitit 2005 ka qenë njësoj me atë të 2015 p.sh. Do ishte absurde dhe e pabesueshme. Pra ndërkohë që shpenzimet rriten, financimi i partive nga shteti mbetet po ai.
Në vitin 2015 p.sh, që ishte vit zgjedhor, PS përfitoi afro 550 mijë euro nga buxheti i shtetit. PD afro 500 mijë. Por ajo që u hodh në terren ishte shumë shumë më e madhe. Sipas një vëzhgimi ekskluziv bërë nga opinion.al rezulton se kostoja e fushatës për një qark, për një nga 3 – 4 partitë e mëdha politike shkon nga 500 – 700 mijë euro. Në 12 qarqe, kjo kosto shkon nga 6 – 8.5 milionë euro. Për një parti. Pa llogaritur këtu shpenzimet e përditshme gjatë gjithë vitit. Me një llogari të tillë të thjeshtë, mund të thuhet, gjithnjë me kalkulim të përafërt, që kostoja e zgjedhjeve në Shqipëri shkon midis 30 dhe 35 milionë eurove. I ftuar në Opinion, Ben Blushi që mbulon fushatat që prej 25 vitesh deklaroi se kostoja e një fushatë shkon afro 60 milionë euro. Por edhe këtu jemi në terrenin e kalkulimeve të përafërta. 1.5 milion prej këtyre mbulohen nga shteti, madje diçka me pak, ndërsa pjesën tjetër partitë janë të detyruara ta mbulojnë vetë. Përkthyer ndryshe ato janë të detyruara të trokasin në dyert e biznesit që duke qenë klient i politikës bëhet njëkohësisht edhe sponsor i saj; përpiqen të afrojnë biznesmenë që paguajnë për zgjedhje apo persona problematikë që vënë në dispozicion të politikës fondet e tyre të dyshimta. Të gjithë këta bashkë, janë një detyrim i nesërm për politikën. Dhe një detyrim i madh. Një detyrim që përkthehet në favore personale apo biznesi shpesh me kosto për vendim dhe sidomos për pjesën tjetër te shoqërisë. Pra thënë ndryshe, politika që duket sikur kontrollon biznesin është peng i saj gjithnjë falë parave që paguhen në këtë mënyrë. Sipas kësaj logjike, partitë politike krijojnë çdo dy vjet një borxh të madh financiar, i cili i konceptuar si një detyrim moral kthehet mbrapsht me politika ose vendime që shkojnë në favor të biznesit.
Nuk ka asnjë dyshim që gjendemi në një rreth të mbyllur dhe problematik dhe mbi të gjitha pa përgjigje. Sot formula kush paguan gëzon favoret është për politikën më aktuale se kurrë. Nëse nuk ka një zgjidhje të shpejtë, rrezikon që fushatat dhe partitë të financohen nga paratë e drogës dhe kanabisit, duke e bërë gjendjen edhe më alarmante.
Një rishikim në formulën e financimit të partive dhe në transparëncën e tyre është i domosdoshëm. Si dhe sa, kjo mbetet për t’u parë, por zgjidhja duhet të jetë e shpejtë… Opinion.al