Nga krimb te njeri; dhe kthim…
Frrok Çupi.
Kur dëgjuam që këta thanë se partia është më me vlerë se Shqipëria, pjesa jonë më e madhe u kutjuan se të parët e tyre tiranë, kishin thënë të njëjtën gjë. Ata e kishin formuluar: “Partia mbi të gjitha”, por më duket se moto e këtyre të rinjve nuk ka ndonjë ndryshim.
Ndërsa po kaq shumë mes nesh, që u tromaksëm nga motoja e neveritshme e atyre, bënë pyetjen: “Po si ka mundësi që dikush ta bëjë këtë? Të thotë se Shqipëria është më pak se kacollja e tyre?”. Mes nesh këto kohë po bien, si nga qielli, shumë pyetje; ose e njëjta pyetje për shumë akte. Pyesin : “si mund të ndodhë?”. Përshembull si mund të ndodhë që kryetari i partisë socialiste (ish komuniste) kërkon referendum popullor për zgjedhjen e tij? Udhëheqësi i tmerrshëm dhe njëkohësisht kalama, i Koresë së Veriut, ka ngritur një impakt të tillë me pushtetin. Tjetërkush jo! Pyesim, po si mundet që një ish- kryeministër iu thotë qytetarëve shqiptarë se “ju mund të qeveriseni veç nga një kokëderr”? Pyesin se si mundet që kryeministri bën thirrje publike “të gjithë në partinë time”? Kush nuk vjen damkoset “budalla”… Pyesin si v allë kryeministri deklaron se gazetarët janë gënjeshtarë?. Veç brenda një një interviste i drejtohet gazetarit 36 herë me akuzën “ti je gënjeshtar”. Bëjnë pyetje, vallë si mund të guxojë një qeveri që ndërsa qytetit në Jug ku është votuar kryeministri, i akordohen 18 përqind të buxhetit, ndërsa Shkodrës në Veri , veç 2 përqind?…
Për njëmijë punë të mbrapshta, njeriu bën të njëjtën pyetje: ” Po, si mundet?”….
Siç ka një pyetje të vetme, ka edhe një përgjigje, sigurisht.
Fridrih Niçe, filozofi i njeriut dhe i mbinjeriut, ka shkruar pikërisht për këtë cilësi njeriu. Ai thotë se ky lloj njeriu ka bërë rrugën nga krimb te njeriu, dhe tani më e shumta e tij është të kthehet po krimb.
Asgjë më shumë se kaq nuk po ndodh. Veçse njeriu i ardhur nga krimb, po kthehet në krimb.
1.
Ja ku është lloji i parë.
Lloji i parë është ai që ka ardhur nga hiçi, nga e padukshmja. Zakonisht këtij lloji krimbi njerëzia i thërret “rra”, dmth., një krijesë aq e vogël që fshihet më së shumti në zorrë. Në gjuhën angleze të përkthyer për Niçen, është përdorur fjala “worm”. Ja kjo është. Ky është njeriu që në emër të partisë mund të të djegë shtëpinë, t’i vërë zjarrin gjithë kulturës, identitetit, librit dhe etnografisë së kombit. Ky është vetvetja. Ka ardhur nga askushi, prandaj quhet vetvetja… Një qytet si fshat buzë një lumi, ku gratë e fisit e merrnin me vete kur lanin lëveret, ku thanë se në fëmijëri e kishin thërritur me një fjalë që nuk thuhet,… ja ky e do partinë “më shumë se Shqipërinë”.
Lumi ku i humbte i vetmi sapun i familjes, i është kthyer inat. Ja kjo është Shqipëria për këtë njeri. Por kur e bëjnë deputet ose ministër, ose kryeministër, atëherë nedjehemi të fyer. Të paktën të fyer. Po pse? Sepse nuk na treguan se sa kohë më parë ky njeri kishte qenë “worm” (rra). Në politikën e vendit tonë ai që emëron dikë për ta ngjitur lart, duket se e zgjedh mes njerëzve që sapo ishin krimba. Çfarë do të bëjë ky më shumë se të kthehet te vetja. Mund të ketë vrarë më parë, dhe të njëjtën gjë bën kur bëhet deputet. Mund të ketë trafikuar a plaçkitur… Njeriu i sërës së ulët ngjitet lart…
Këtë e nisi dhe e la trashëgim politika komuniste tiranike. Ajo e mori njeriun e pazhvilluar ( ky thërret me guxim partia mbi të gjitha), dhe e vuri në krye të tjerëve që mund të guxonin të ishin edhe Mbinjeriu. Mund të guxonin po të mos kishin mbi krye mos-vlerën. Tirania komuniste i vuri kazmën fisnikërisë. Dhe ja ku jemi. “Krimbi” kthehet te vetja, zgjedh atë që sapo ishte krimb dhe deklaron se për partinë e djeg Shqipërinë.
2.
Ja ku është lloji i dytë.
Lloji i dytë është i dominuar me idenë e moralit të skllavit.
Regjimi komunist i diktaturës u bazua mbi këtë moral. Ja ku i kemi përsëri sot. Jo veç për faktin se këta që janë lart ose qeverisin, kanë lidhje të afërta biologjike me autorët e diktaturës. Por mbi të gjitha, se praktikojnë të njëjtën mënyrë sundimi mbi “sklevërit”. Këta kanë ardhur në pushtet me një palë premtime të tjera dhe po këta sundojnë jashtë atij programi. Këta, duke bërë politika shumë personale financiare, deri më sot, thuajse e kanë vënë gjithë Shqipërinë në ankand.
Nesër nuk do të mjaftojë Shqipëria për të larë borxhet. Mirëpo këta nuk do të jenë atëherë. Këta do të kenë ngarkuar duçet e do të jenë larguar. Këtu do të mbeten skllevërit. Skllevërit po plasen nëpër burgje për pagesa faturash të vogla; skllevërit detyrohen të paguajnë taksa të paligjshme; me skllevërit bëhet eksperiment nëse pranojnë tua pushtosh parkun ku marrin frymë, pastaj edhe shtëpinë…. Të gjitha eksperimetet bëhen me skllevërit që këta i quajnë popull. Sunduesit bazohen në moralin e skllavit, dhe kështu e garantojnë pushtetin e tyre.
A nuk ndodhi po kështu gjysmë shekulli në diktaturë? Fiks kështu. Këtu nuk ka asgjë të re me sunduesin e tanishëm, veç një kthim te krimbi i Niçes.
3.
Ja ku është lloji i tretë:
Vjen pastaj që vetë këta që pësojnë si skllevër, të kenë admiruar kthimin te krimbi i Niçes. Paska plot e plot fakte, sidomos në këtë epokë, kur njerëzit po zgjedhin pa u menduar dy herë. Kanë zgjedhur një kategori njerëzish që nuk përshtaten aspak me njeriun mesatar, aq më pak me njeriun superior. Këta të zgjedhur, as duan t’ia dinë pse e varfëruan popullin deri në pikën ekstreme; nuk duan të dijnë se njerëzit po marrin rrugët e ikjes nga vendi për shkak se ndjehen keq me këta në krye; nuk duan t’ia dinë se sa keq po e shpërdorojnë ekonominë e qytetarëve; se sa e rrezikuar është jeta e njeriut…
Këta, çfarë janë?… Këta janë “mortje”, tha një nga gazetarët më të zëshëm në gazetarinë televizive, para pak ditësh. Ai donte ta gjente çfarë janë këta, a janë të majtë? Jo. Të djathtë? Jo. Në mes? Jo. Të paaftë? Jo. Të fortë? Jo… Atëherë gazetari lëshoi psherëtimën: “Mortje,… po mortje!, një pexhirativ më i hidhët se të gjithë të tjerët.
Po atëherë, kush e zgjodhi mortjen? Këtë nuk e bën kush me vetëdije normale. Këtë e bëjnë veç ata që nuk dëgjojnë. Veç ata që nuk shikojnë çfarë është ai që po zgjedh! A është sadopak i çmendur? A është arrogant? Si është sjellur me fëmijën dhe prindin e tij?…. Çfarë është ai që zgjedh, njeri që nuk do njeri? Çfarë është ai që po zgjedh, i biri i një prej vrasësve në periudhën e diktaturës?!…
Kë po zgjedh unë…, këtë lloj!?
Atëherë, ata që zgjodhën “mortjen”, ata kanë zgjedhur standardin. Niçe, filozofi i njeriut, thotë se këta, që nga kultura masive, kthehen aty ku ishin. Siç bëri njeriu rrugën nga krimbi te njeriu, përsëri kthehet te krimbi.