Nga ”pagat e luftës” tek ”lufta e pagave”

Nga: Majlind Lazimi

Edhe pse duket sikur po fitojmë luftën me koronavirusin, akoma nuk po jetojmë në paqe me plagët që i ka shkaktuar ajo ekonomisë shqiptare. Zyrtarisht jemi futur në recesionin më të dhimbshëm që ka përjetuar vendi qysh prej vitit të mbrapsht 1997. Efekti domino në ekonomi po shfaqet rrezikshëm në “koktejlin” toksik të papunësisë në rritje dhe të konsumit në pikjatë; të investimeve private në ngërç; të remitancave, eksporteve dhe investimeve te huaja në rënie të lirë; të emigrimit masiv të të rinjve dhe plakjes së frikshme të popullsisë – ku vetëm në pak vite mosha mesatare e saj ka kapërcyer nga 31 vjeç në 37 vjeç.

Aktualisht jemi në një krizë sistemike ekonomiko-sociale, pasojat e së cilës do të jenë katastrofike nëse nuk reagojmë kolektivisht dhe shpejt si shoqëri. Ne jemi kthyer në “quasi-shtet”, ku akoma edhe pas 30 vitesh nga shkërmoqja e regjimit komunist debatohet për rregullat e lojës së demokracisë dhe kapitalizmit. Loja politike i ngjason një ndeshje futbolli ku 90 minuta diskutohet mes ekipeve se si do luajmë, me këmbë apo me dorë…Praktikisht, në 4 vite qeverisje diskutohet se si do të votojnë shqiptarët dhe asnjëherë realisht për çfarë do të votojnë…

Nëse ka një “krye-reformë” që i duhet vendit sot, ajo është reforma ekonomike që shkon përtej premtimeve politike apo një mandati qeverisës. Së fundmi, debati politik mbi ekonomonë dhe pagat është i shëndetshëm, por gjerësisht sipërfaqësor dhe populist. E vërteta e hidhur është që ne jemi në “kurthin e pagave të ulta” jo vetëm si pasojë e kërkesë-ofertës në treg, por me së shumti ky realitet është pasqyre e modelit të dështuar ekonomik konsumerist që kemi ndërtuar në këto 3 dekada. Është e trishtë që produktiviteti – ndoshta faktori kryesor që përcakton nivelin e pagava- ka njohur rënie konstante nga fillimi i viteve 90-të deri më sot. Thënë ndryshe, ne kemi akoma fuqi punëtore që për herë të fundit kanë punuar në profesion e tyre në fund të periudhës së diktaturës.

E rrëzuam komunizmin duke shkatërruar kapitalin fizik (psh. fabrikat) përmes de-industrializimit. E vazhduam më tej duke gllabëruar në mënyrë shtazarake kapitalin dhe pasuritë natyrore dhe sot po plagosim për vdekje edhe kapitalin njerëzor apo asetin social që na ka mbetur. Shembulli më i gjallë i poshtërimit njerëzor është rasti i naftëtarëve të Ballshit sot apo minatorëve të Bulqizës dje, të cilët nuk po kërkojnë asgjë më shumë sesa djersën e tyre. Nëse kapitali fizik dhe natyror mund të rikuperohet gradualisht, kapitali social është i parikuperueshëm nëse ai humbet. Ne dimë sa fabrika kemi, madje ne kemi dhe inventarin e pyjeve që i kanë mbijetuar babëzisë së shkatërrimit, por akoma nuk kemi një ‘inventar’ të burimeve njerëzore’, si për shembull sa inxhinierë apo sa doktorë na kanë mbetur dhe sa na duhen për të pasur një Shqipëri të zhvilluar.

Asnjë qeveri deri më sot nuk e ka zgjidhur çështjen e pronës, e cila jo vetëm ka qënë prej dekadash plaga më e madhe sociale por vazhdon të jeta dhe nyja gordiane e zhvillimit të vendit. Një reformë e thellë dhe mirë studiuar e pronës dhe menaxhimit të tokës në funksion kryesisht të investimeve vendase apo të huaja është parakusht e çdo reforme tjetër ekonomike. Ne duhet të hapim një debat të sinqertë për nevojat e ekonomisë dhe tregut të punës. Ekonomia nuk mund të zhvillohet nëse gjysma e popullsisë janë tregtarë, gjysma tjetër blerës, dhe shumë pak prodhues. Në vetëm pak muaj të pandemisë ne kemi qënë dëshmitarë të falimentimeve masive të mijëra bizneseve të vogla dhe të mesme, shumica e të cilave ishin njësi tregtare. Këta njerëz sot janë në rrugë dhe askush prej tyre nuk e ka idenë se çfarë profesioni ka dhe çfarë pune tjetër di të bëj përveç se të shes.

A ka ardhur koha për një program masiv kombëtar për rikualifikimin dhe trajnimin e fuqisë punëtore, duke pasur parasysh që deri në 2035 me shumë se gjysma e profesioneve që ne njohim sot në botë nuk do të ekzistojnë? A ka ardhur koha të flasim më shumë sesa për pagën minimale që i bindet ligjeve të ekonomisë, për pagesën e minimumit jetik që i duhet një familje për të mbijetuar? Si mund të flasim për zhvillim ekonomik, në një kohë kur më shume sesa 60 mijë familje marrin më pak se 50 dollar në muaj ndihmë ekonomike.

A duhet të flasim për arsimin publik falas në të gjitha nivelet si një e drejtë universale e njeriut dhe investimi publik më rentabël për shoqërinë dhe ekonominë tonë? Fatkeqësisht deri tani arsimin e kemi trajtuar me dritë-shkurtësi në suazën e shpenzimeve buxhetore jo si investim afatgjatë për kapitalin njerëzor. A e kemi llogaritur sesa miliona euro shpenzojnë shqiptarët në vit për tu kuruar jashtë shtetit apo për pagesa nën-dorë, ndërkohë që po me aq para mund të ndërtonim një sistem shëndetësor dinjitoz- të paktën të krahasueshëm më atë të Kubës komuniste?

A kemi llogaritur dëmin për ekonominë rurale dhe konsumatorin shqiptar faktin se me lëmoshën që ne japim për fermerin shqiptar i leverdis edhe atij vetë të blej mollët nga Maqedonia e Veriut? A e kemi pyetur veten se pse qytetari dibran apo pogradecar shkon dhe mbush karburantin e makinës në anën tjetër të kufirit, në një kohë që Shqipëria është e pasur me hidrokarbure? A ka ardhur koha për të prezantuar taksën e pasurive të paluajtshme që nuk krijon vlerë apo punësim në ekonomi dhe të ulim taksat dhe tatimet për të ardhurat e individëve dhe bizneseve që prodhojnë dhe ofrojnë shërbime? Këto janë pyetje dhe sfida që kanë të paktën 30 vite pa përgjigje. Jetojmë në kohë paqeje dhe në asnjë rast paga e luftës nuk mund të jetë zgjidhja.

SHKARKO APP