Nga Zero. Në Hero
Nga Sokol Balla
Në këtë vend, shprehja “nga zero, ne hero” është provuar shpeshherë e vërtetë. Ose në të anasjelltën. Paradoksalisht me kohën që duket se hiqet zvarrë, ndonjëherë amplituda e ngjarjeve që ndodhin brenda pak minutave është aq e shpejtë, sa për shembull shumë ngjarje në qershor 2009, po të mos kishin ndodhur me shpejtësinë e rrufesë mes celularësh dhe komisionerësh nga qendra në Kombinat, do të kishin përcaktuar një tjetër rrjedhë sesa ajo që nisi në 4 korrik.
Gjithashtu, pikërisht në maj 2011 kur kauza e vjedhjes së votave, kaloi thuajse në harresë totale pas mbylljes së grevës së urisë së PS, pikërisht kur qeveria po jepte shenjat e para të dorëzimit (edhe kjo u mbyll me një telefonatë), mjaftoi momenti i shpalljes së dhjetë votave para nga Top Channel në përfundim të numërimit në Tiranë, që Basha të transformohej. Ose më saktë Berisha ta shtynte tej dhe të merrte vetë situatën në dorë, duke kthyer ne zero mundin e stafit të kandidatit të tij. Në këtë moment, nga zero në hero, kaloi një tjetër personazh, Arvizu, i cili deri në atë moment, më shumë se ambasador, ishte konsull nderi i SHBA, në oborrin e qeverisë.
Në zgjedhjet e presidentit në 2012, pakkush ose askush nuk e llogariste Bujar Nishanin. Ai ishte praktikisht një zero në këtë garë. Por fati bën lojëra të çuditshme dhe ai hipi në karriken më të naltë të shtetit, Prej 24 qershorit 2013, ai është ngërthyer në një konflikt politik dhe aspak institucional, që e bën zero në sy të atyre që e shohin pranë PD dhe hero pranë simpatizantëve të Opozitës. Por pas 21 qershorit kjo situatë paradoksalisht mund të ndryshojë në favor të tij.
Siç edhe duket nga sondazhet (po rrezikoj t’i besoj kësaj radhe), e majta do t’i fitojë këto zgjedhje. Për më shumë, të thellojë jo thjesht diferencën e votave, por të çojë thuajse afër zeros, aksesin e opozitës në ekzekutimin e pushtetit politik. Nëse i beson sondazheve, e majta do të dalë nga këto zgjedhje edhe më lart se 61 përqindshi i dy viteve më parë. E forcuar jonatyrshëm edhe nga tri parti të qendrës së djathtë, por mesa duket edhe nga mbështetja popullore megjithë hatërmbetjet e shumta ndaj saj, qeveria ose maxhoranca do gdhihen ne 22 qershor me një pushtet në shifra, edhe më arrogant se dy vjet më parë, duke lënë praktikisht opozitën të qeverisë në Shkodër, Kukës a Dibër.
Kjo mund të jetë një gjë e mirë për të majten, por nga 22 qershori e tutje, ne, të drejtat dhe liritë tona, ka gjasë të jenë “në besë” të kryeministrit, sesa të balancës së pushteteve në vend.
Dhe këtu i vjen radha shansit të artë të Nishanit, Vishos dhe disa të tjerëve, që të kenë në dorë peshoren e shtetit. Për të dalë nga hija e çadrës blu dhe operuar kësaj radhe në emër të interesave të shtetit. Për të kundërshtuar emërimin e një ambasadori jo se e ka sharë me libër shpie, por në emër të interesave të vendit. Për t’u përplasur me maxhorancën realisht në emër të Kushtetutës dhe jo të interpretimeve të varfra, nisur nga adresa e SHQUP-it.
Nishani ka një provë për këtë: dështimin e paraardhësit të tij, që pas 2009 nuk arriti ta kryente funksionin e tij kushtetues për shkak të axhendës politike që planifikoi për veten. Nishani ka premtuar publikisht se Presidenca për të, është kulmi i karrierës politike. Ndruaj se pas 21 qershorit, do t’i duhet ta provojë shpejt. Nëse del e vërtetë, kjo do jetë mirë për demokracinë por edhe për statusin e tij afersisht Zero, në sytë e publikut, si president i republikës. Ndoshta nuk do mund të jetë Hero kurrë, po unë si shumë shtetas normalë, do kisha dashur shumë që pas 2017, karriera e tij të mos vazhdonte sërish si deputet në Kombinat. Por si presidenti që në një moment dramatik për demokracinë (në kushtet e një shumice thuajse absolute dhe një pakice në krizë të thellë), të ruante ndershmërisht dhe kushtetueshmërisht balancën e pushteteve në vend. Një shans i artë për të kaluar nga zero në hero, por dyshoj që do të ndodhë. Ndaj më mirë po zgjedh të mos i besoj sondazheve. Deri ditën e djelë….
Javanews.al