Ngërçi civil dhe vrasjet e orëve policore

Nga Ilir Levonja –
Sapo futesh në internet vëren një vërshim statutesh në lidhje me 8 dhjetorin. Ndërkohë lexon disa lajme mbi vrasjen e një të riu pasi ka thyer orët policore në Tiranë. E para gjë që të vjen të thuash, është një e bërtitur vënçe. Lërini memet e statutet dhe dilni protestoni. Ndryshe nuk ka asnjë vlerë as dita e studentëve, pra 8 dhjetori. Për më tepër dita e studentëve nuk është festa e të korrave, por e zhgënjimit më të madh social. Dilni e protestoni se kur shikon kaq e kaq gazeta pro qeveritare që tentojnë të zbusin vrasjen e mesnatës në Laprakë, nuk shkojnë memet me dy gishta lart. Janë këto gazeta që u shqyen për vrasjet e 21 janarit 2011. Dhe me të drejtë. Pavarsisht ligjit për personat që sulmojnë objektet e rëndësisë së veçantë, që mbrohen nga garda e republikës, qëllohen në vend etj. Kjo nuk justifikon vrasjet. Jo çdo ligj është i drejtë. Pavarsisht atyre pamjeve me benzin mercedes 2400 që tentonte të shqyente derën e Kryeministrisë etj., asnjë vrasje civilësh nuk justifikohet. Sidomos kur nuk janë persona të skeduar si kontigjent krimi. Protestuesit jo, jo, pasi protestuesi është shëndeti i demokracisë. Sot këto webe po nxitojnë të nxjerrin detyrat e policit të shërbimit, kur ka të drejtë të qëlloj dhe kur jo. E kanë në majë të gjuhës mbledhjen e supeve me togafjalshin se bëri detyrën etj. Apo atë që zbatoi ligjin. Eshtë të vësh duart në kokë t’i marrësh jetën tjetrit përse nuk ndalon. Për ca gjoja orë policore mesnate etj. Eshtë një turp kolektiv, pasi kur sheh kronikat dyndjet janë ditës, veçmas kafenetë. Dhe për më tepër edukata e mbrapshtë e mbajtjes së maskës në gushë, a në mjekër si detaj që na dallon nga shoqëritë e tjera. Qeveria dhe ata që drejtojnë këto grupet pandemike, në vend t’i mëshojnë sensibilizimit mbi maskën, orët pike të dyndjeve, justifikojnë vrasjet e mesnatës. Kjo është një katastrofë sociale që nuk ndodh vetëm nga punësimi me merita partie në radhët e policisë së shtetit, por edhe nga indiferenca jonë. Nga horia për të postuar meme me dy gishta. Dhe ironia më e madhe qëndron kur del e flet për ideale një i pa rruar, një që hiqet si ish dhjetorist, kryeministri i vendit. Ka sot krahun e djathtë një ish ministër të brendshëm të diktaturës, bash atë që akuzohet se urdhëroi vrasjet e 2 prillit 1991 në Shkodër. Pa përmendur se askujt deri më sot nuk i është prekur fije floku, edhe pse kemi një histori blozë përndjekjesh, persekutimesh, vrasjesh nga regjimi që përmbysëm. Jo pak, por janë rreth 6000 të pushkatur e të zhdukur. Por ne i kemi hedhur prapa krahëve, po ecim përpara. Në muajin maj të këtij viti një oficer amerikan në Minnesota ndaloi dhunshëm një civil, pasi e shtriu përtokë i vendosi gjurin tek qafa. Kjo rezultoi fatale për jetën e të ndaluarit dhe për më tepër e pa preçedentë për një shoqëri që të drejtat e njeriut i ka të shenjta. Oficeri qëlloi i bardhë dhe qytetari i zi, pra me ngjyrë. Qe një dridhje sociale që luajti tokën e madhe vendit aq sa protestat nuk pushuan gjithandej. Protesta që u pasuan me një komunikim institucional deri ulje në gjunjë në sheshe publike të policisë. Dhe kjo është normale në një vend që do demokracinë. Kurse tek ne, ministri hesht, kryeministri po ashtu, policët kërruajnë hundët. Pjesa tjetër publikojnë meme pa fund dhe urratosen si krijesa të kulturës bolshevike, pavarsisht se çdo jetë njeriu të thjesht është e barazvlertë me atë të kryeministrit a kujtdo shtetari tjetër.

SHKARKO APP