Shenjtërimi i Nënë Terezës u ktheu shqiptarëve dinjitetin
Nënë Tereza, një grua shqiptare, i dha popullit të saj vlerë humane universale
Nga Spartak Ngjela
Dje, shenjtërimi në Vatikan i shqiptares së madhe, i dha shqiptarëve krenarinë që iu duhej, kurse kundërshtarëve të tyre iu la turpin e gënjeshtrës shekullore.
Papa Françesku, duke shenjtëruar Nënë Terezën, iu ktheu shqiptarëve dje historinë e tyre humaniste dhe dinjitetin, si një popull i cili i ka mbijetuar shekujve, i vetëm përballë një racizmi antishqiptar që, kur të shkruhet, do të shqetësojë të gjithë qytetërimin.
Shenjtërimi i Nënë Terezës ishte konfirmimi i historisë së autoktonisë tonë në Ballkan dhe vlerësimi real i shpirtit humanist shqiptar; sepse është prova e vërtetë që shqiptarët nuk kanë lidhje fare me egërsinë primitive aziatike.
Kurrë humanizmi i një shenjtori nuk buron nga asgjëja; sepse është produkt i shpirtit të popullit të cilit ai i përket. Shqiptarët iu treguan racistëve shekullorë antishqiptarë që ata nuk e mposhtën dot genin shqiptar në Ballkan, sepse brenda shpirtit shqiptar kishte vlera humane të karakterit universal.
Ja historia shqiptare: asnjë luftë fetare midis vedit; asnjë përbuzje ndaj popujve të tjerë; asnjë luftë të padrejtë kundër fqinjëve; gjithmonë krenari me origjinën dhe gjuhën shqipe; asnjëherë i asimiluar, dhe asnjë gabim historik kundrejt mbijetesës – ky është populli shqiptar, nga gjiri i të cilin doli, u kultivua dhe u shfaq humanizmi i madh i një shenjtoreje si Nënë Tereza.
Shqiptarët dje u kurorëzuan me vlerën e tyre europiane dymijëvjecare…