Ngjela: Vetëm Saliu u gëzua për daljen e Britanisë nga BE
Nga Spartak Ngjela
Asnjë shqetësim nuk i sjell Shqipërisë çështja britanike. Sa u gëzuan hajdutët dje. I patë? Kishte edhe një “teorik” ekonomik që e lidhi me Reformën në Drejtësi, duke theksuar se “tani ajo nuk bëhet. ” Edhe Sali ziu u gëzua. Por kot e ka.
Ndërsa më kryesorja në këtë çeshtje është që, juridikisht dhe ekonomikisht, referendumi britanik do të jetë invalid. Pse?
Skocia dhe Irlanda e Veriut janë kundër daljes nga BE. Ku ka më referendum? Referendumi që mendohej se do të shpërbënte BE- në rrezikon unitetin britanik. Kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon, që sot u shpreh për të ushtruar një tjetër referendum per pavarësinë e Skocisë, dhe iu drejtua Brukselit që Skocia të qëndrojë anëtare e BE. Ky është momenti juridik, bashkë me përqindjen e referendumit të djeshem, e cila nuk formohet me fitoren prej 60 përqind të pjesëmarrësve. Duhej të merrnin pjesë mbi 60 përqind të britanikëve, dhe referendumi duhej të fitonte me mbi 60 përqind të pjesëmarrësve. Kjo nuk ndodhi. Çështja ka gjasë të shkojë në gjykatë që sot.
Kurse momenti ekonomik është më i rende:
Duhet të ndryshojë sistemi ekonomik i Gordon Braunit, që e ka orientuar ekonominë britanike kah shërbimet, duke shfrytëzuar strukturën ekonomike të Bashkimit Europian. Duhet të humbasë Britania të gjitha investimet japoneze, rreth 50 miliardë Paund, që Japonia ka investuar në Britaninë për prodhimet e saj tërheqëse, në lidhje me eksportin drejt Bashkimit Europian, në funksion të tarifave doganore. Po kështu, edhe investimet e mëdha indiane, që janë bëre për të njëjtin qëllim. Britania ka në Bankën Europiane 18% të kapitalit. Kjo nuk është pak. Gjermanët e duan sa më të shpejtë procesin e largimit, kurse politika britanike duket e qetë, dhe duket sikur fsheh diçka.
Por ka edhe më. Precedenti i Irlandës së Veriut për traktatin e Lizbones, ku referendumi nuk fitoi, por ai u zhvillua sërish pas gjashtë muajsh, mbasi kryeministri irlandez dha dorëheqjen, dhe referendumi i përsëritur fitoi.
Dje kryeministri britanik dha dorëheqjen. Prandaj, për të gjitha këto, a do të ketë sërish pas gjashtë muajsh një referendum tjetër, i ngjashëm në atë të Irlandës së Veriut? Sigurisht që po, nëse nuk rrëzohet në gjykatë. Mos ndoshta kjo është arsyeja e heshtjes së politikës së lartë britanike?
Kot u gëzuan hordhitë atiperëndimore dje në Shqipëri, sepse, pavarësisht se ka mundësi që nuk do të ndodhë gjë, largimin e Britanisë nga BE, vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë në favor. Prandaj, Reforma antikorrupsion në drejtësinë shqiptare bëhet edhe më imediate si kërkesë.
Reforma do të miratohet brenda muajit korrik në Kuvendin e Shqipërisë, kurse historia e Shqipërisë, pas kësaj, do të shkruajë: “Forca amerikane shpëtoi Shqipërinë nga banditizmi antishqiptar i pushtetarëve abuzues dhe tërësisht të korruptuar, dhe i bashkoi shqiptarët me Europën e Bashkuar”.