Ngricë dhe politikë !

Shqipëria po përballet këto ditë me një situatë ekstreme të motit. Reshjet e borës dhe temperaturat e ulëta deri në minus 20 gradë kanë shkaktuar probleme serioze. Më të goditura janë zonat e veriut dhe Juglindore e vendit. Sidomos qarqet e Kukësit, Dibrës, Korçës dhe Shkodrës ku reshjet e borës kanë sjellë bllokime të rrugëve rurale dhe përkohësisht të rrugëve nacionale. Veç temperaturave ekstreme, virusi i gripit ka shkaktuar më shumë se 20 mijë të prekur nga virusi duke sjellë një epidemi në shkallë kombëtare. Situata e krijuar ka bërë dje që Ministria e Arsimit dhe Shëndetësisë të mbyllin çerdhet dhe shkollat deri në datën 16 janar. Ndërkohë temperaturat e ulëta veç vështirësive të qarkullimit në rrugë e kanë vështirësuar jetesën. Dje në Durrës u shënua dhe viktima e parë nga i ftohti. Ndërkohë që në qytete të tjera, Bashkitë kanë marrë masa për njerëzit që jetojnë në situatë rruge. Ministri i Transportëve Sokol Dervishaj është prej katër ditësh në Kukës, Dibër, Pukë dhe Shkodër, duke monitoruar personalisht situatën problematike të motit.

Kushtet atmosferike janë ekstreme, të pa parashikuara. Edhe e diela e sotme do të jetë dhe dita më e ftohtë e vitit, ndërsa gjatë fillimit të javës pritet rritja e temperaturave dhe kthimi pothuajse në normalitet. Pavarësisht se kemi të bëjmë me kushte atmosferike edhe këtë herë situata është bërë objekt i replikave të ashpra politike. Replikat, siç ndodh gjithmonë, kanë nisur fillimisht mes opozitës dhe mazhorancës, por nuk kanë munguar edhe mes vetë partive brenda koalicionit qeverisës, PS dhe LSI.

Për Partinë Demokratike qeveria ka harruar qytetarët. Në disa dalje të përditshme deputetët të selisë blu akuzojnë mazhorancën dhe institucionet për dështim në planet e masave për përballimin e situatës. Sipas PD-së, shumë fshatra në veri të vendit janë të bllokuara nga reshjet e borës  dhe nuk kanë energji elektrike. Dje, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani shkoi edhe më tej në akuzat e tij. Deputeti i PD-së u shpreh se disa rrugë në Kukës dhe Tropojë janë të bllokuara për shkak të mospastrimit pasi është dhënë më tender direkt nga Edi Rama. Tenderët, sipas PD-së, i ka fituar kompania e nipit të deputetit socialist Sadri Abazi dhe punonjësit e saj nuk kanë dalë asnjë ditë në terren. “Në krye të këtij skandali është firma e deputetit Sadri Abazi regjistruar në emër të nipit, e cila në segmentin Koplik-Bog-Qaf Thore, dhe Koplik-Razem-Hani Hotit-Tamare-Vermosh, jo vetëm nuk ka nxjerrë asnjë punonjës në rrugë, por nuk denjon as t’u hapë telefonin drejtuesve vendorë”,- tha Ristani.

Akuzat e PD nuk kanë munguar edhe ndaj mënyrës sesi po menaxhohet situata me epideminë e gripit. Përveç akuzave të zakonshme ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, deputetë të PD-së kanë hedhur dyshime edhe për efektshmërinë e vaksinës së gripit. Një akuzë e tillë, përveç efektit politik ka krijuar jo pak panik tek qytetarët që janë sëmurë apo kanë të afërm të tyre në gjendje të rëndë. Instituti i Shëndetit Publik reagoi dje duke siguruat qytetarët se vaksina është e çertifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Gjithsesi, përdorimi i çështjeve shëndetësore për politikë dite, duket se kalon çdo limit nga ana e partive. Nuk ka sens një politikë e tillë opozitare, ndonëse përherë opozita është “qeni-roje” i popullit përkundrejt pushtetit.

Në këtë situatë ngrice dhe bore nuk kanë munguar gjuajtjet me “topa bore” edhe mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Për shkak se Autoriteti Rrugor që mbikëqyrë kalueshmërinë në rrugë është në varësi të Ministrisë së Transporteve që drejtohet nga LSI, deputetë të veçantë të PS kanë zgjedhur ta shohin problemin me motin e keq te aleati i tyre. Sikur ua ka fajin LSI, ndërkohë që ministri i transportëve është i vetmi ministër ditë-natë në terren duke qëndruar në mes të ftohtit në zonat me problematike. Natyrisht që e ka për detyrë, porse edhe ministrat e tjerë detyrë e kanë të shkojnë tek banorët e ti takojnë dhe ndihmojnë. Ndërkohë që në situata të tilla përgjegjësitë janë të pushtetit qendror dhe drejtorive të veçanta, porse edhe të Bashkive vendore që drejtohen në shumicën e rasteve nga Partia Socialiste. Pushteti qendror nuk është vetëm ministri i Transportëve, por krejt qeveria. Ngricat dhe reshjet e borës janë situata emergjente që duhet të përfshijnë gjithë institucionet për përballimin e tyre, madje edhe opozitën. Ndërkohë e kundërta ka ndodhur këto ditë. Duket sikur acarin dhe gripin e kanë ndarë politikisht me tesera partie mes PS, PD dhe LSI. Gara për të përfituar politikisht nga temperaturat siberiane vetëm sa tregon se pëveç mungesave që ka shteti në infrastrukturë, ka dhe një mungesë të theksuar solidariteti. Nuk ka ngrica vetëm në Shqipëri. I gjithë Ballkani dhe Europa është përfshirë në një valë të ftohti. Madje, në disa vende ka viktima të konsiderueshme. Por ndryshe nga sa ndodh tek ne, në vendet e tjera partitë, nuk vrapojnë të përfitojnë kapital politikë nga një rrugë e bllokuar apo nga virusi i gripit.

Ministri Sokol Dervishaj flet nga rrugët e ngrira të Veriut që po pastrohen, ndërsa disa deputëtë të PS-së nga kazinotë e Tiranës duke luajtur për pesë “shtatat” e bixhozit!

SHKARKO APP