Ngritja stratosferike e Vilma Nushit me ardhjen e Ilir Beqjes si Ministër
Kompania Marketing & Distribution shpk e sipërmarrëses Vilma Nushi është një nga kompanitë që ka përfituar më shumë nga koncesionet e dhëna nga ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.
Kompania e saj është një nga dy kompanitë – kompania tjetër është Trimed shpk, ku 50 për qind të aksioneve janë po nën pronësinë e Zonjës Nushi – që kanë fituar koncesionin 10 vjeçar të Check-up-it, me vlerë prej 5,4 milionë eurosh, dhënë më 27 tetor 2014.
Por, përpara se të përfshihej në shërbimin shëndetësor, kompania Marketing & Distribution shpk ka qenë veçanërisht e suksesshme në furnizimin e Qeverisë Rama me mjete kancelarie (letra, dosje, kapëse letrash, bojë printerash etj).
Po të vëzhgojmë pagesat e qeverisë pas zgjedhjeve të 2013-ës, vëmë re një rritje të rrufeshme në pagesat ndaj kompanisë së Zonjës Nushi në gjashtë mujorin e dytë të vitit 2014 – pra në të njëjtën periudhë kur ajo fitoi dhe koncesionin e Check-up-it.
Ajo që vihet re nga grafiku i mëposhtëm është se përpara ardhjes në pushtet të kryeministrit Rama, zonja Nushi nuk ishte një furnizuese në sasi të mëdha e mjeteve të kancelarisë.
Duke parë faturat e qeverisë në vitet 2014-2015 për kompaninë e Zonjës Nushi, vëmë re se pagesat më të larta, kompania Marketing & Distribution shpk i ka marrë pikërisht në muajin që ka fituar dhe koncesionin e kontrollit të popullsisë, në tetor 2014.
Përpara muajit korrik 2015 dhe pas muajit shtator 2015, kompania Marketing & Distribution shpk nuk ka qenë furnizuesja e qeverisë për mjetet e zyrës.
Pra, si është e mundur që papritmas, në verën dhe vjeshtën e vitit 2014 e gjithë qeveria bleu letra, kapëse letrash e bojë printerash nga Zonja Nushi?!
Dhe nuk bëhet fjalë për pak institucione: Kompania Marketing & Distribution shpk furnizoi me mjete kancelarie Policinë e Shtetit; Këshillin e Ministrave; Ministrinë e Punëve të Brendshme; Ministrinë e Industrisë dhe Energjitikës; Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës; Ministrinë e Shëndetësisë; Ministrinë e Drejtësisë; Ministrinë e Ekonomisë; Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve; Shërbimin Sekret; INSTAT; Qendrën Kombëtare të Regjistrimit; Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Qendrën Shëndetësore Nënë Tereza; Drejtorinë e Burgjeve; Gardën e Republikës; Drejtorinë e krimit të organizuar, njësitë ushtarake e plot të tjerë.
Furnizimi me mjetet e kancelarisë, sipas ligjit, duhet të tenderohen me anë të një procesi prokurimi publik. Duket e pamundur që gjatë verës dhe vjeshtës 2014, papritmas, kompania e Zonjës Nushi “mundi” të gjithë konkurrentët në çdo tender për çdo institucion. Por kjo është ekzatësisht ajo që të dhënat e shpenzimeve të qeverisë Rama na tregojnë. /Exit.al
*Në foto: Vilma Nushi (me shall lejla) dhe kryeministri Edi Rama në zyrat e Marketing & Distribution shpk, 3 dhjetor 2014 Burimi: ATA