Nisma e Obamës për qeverisje të hapur zbret edhe në Shqipëri

Nisma e presidentit amerikan, Barak Obama, për një platformë ndërkombëtare për qeverisje të hapur, më të besueshme dhe më të përgjegjshme ndaj qytetarëve vjen për herë të parë në formën e një nisme rajonale edhe në Shqipëri.

Me iniciativën e Ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim do të zhvillohet në Tiranë “Dialogu për Partneritet për Qeverisje të Hapur në Ballkanin perëndimor 2015”.

Në këtë aktivitet që do të zgjasë dy ditë, pritet të marrin pjesë përfaqësues të nivelit të lartë nga qeveritë dhe parlamentet e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të Shoqërisë Civile që punojnë në Partneritetin për qeverisje të Hapur nga të gjitha vendet e Ballkanit, por edhe nga vendet e tjera evropiane si Gjeorgjia, Estonia, Moldavia etj.

Aktiviteti synon të nxisë qeverisjen gjithëpërfshirëse, të përgjegjshme dhe transparente, si dhe politikbërjen përmes zgjerimit të ekspertizës së shoqërisë civile dhe forcimit të dialogut midis shoqërisë civile dhe qeverive në kuadër të kornizës së PQH.

Pjesëmarrësit do të ndajnë përvojat nga vendet e tyre respektive se si transparenca mund të përmirësojë shërbimet publike, të nxisë rritjen ekonomike, reduktimin e varfërisë dhe korrupsionit dhe të rivendosë besimin publik në qeveri.

Eventi vjen në një kohë të rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi iu bashkuan PQH-së në Dhjetor të vitit 2012, ndërsa Serbia u bashkua në Prill të vitit 2013.

Partneriteti për Qeverisje të Hapur (Open Government Partnership) është një platformë ndërkombëtare për të nxitur reformat e brendshme duke i bërë bërë qeveritë më të hapura, të përgjegjshme dhe reaguese ndaj qytetarëve.

Që nga fillimi në vitin 2011, PQH është rritur nga 8 vende në 65 vende pjesëmarrëse. Ajo çfarë është unike në PQH është se kjo platformë sjell së bashku në mënyrë të njëjtë angazhim dhe veprim si nga qeveritë ashtu edhe nga shoqëria civile.

SHKARKO APP