Një analizë për fjalimin me 10569 fjalë të Edi Ramës në Asamblenë e PS-së

Nga Roland Qafoku-

Me 10 mijë e 569 fjalë të përdorura në 1 orë e 51 minuta e 39 sekonda, Edi Rama arriti të premten e 9 tetorit të bëjë që shqiptarët ta ndiqnin, sikur të ishte fjalimi përmbyllës i fushatës elektorale. Pa llogaritur shikueshmërinë në televizione, të cilat e transmetuan pothuajse të gjitha live, vetëm në faqen e tij zyrtare në facebook, që cila ka 1 milionë e 317 mijë e 704 ndjekës, ky fjalim mori 2 mijë shikime në real time.

Ndërkohë që ende rritet, videoja e fjalimit aktualisht ka 6880 shikime, shumë më e lartë edhe se konferenca për shtyp me komisionerin Oliver Varhelyi, më 7 tetor, që ka 5200 shikime. Por shifra më e rëndësishme është se fjalimi i Ramës në Asamble ka 2400 komente dhe 1500 share-s. Dhe për të vijuar krahasimet, fjalimi i Ramës për ngritjen e rrogave të mjekëve dhe mësuesëve më 6 tetor është në vend të tretë me 440 shikime, 840 komente dhe 475 share-s që tregon se më shumë se bukë, shqiptarët duan politikë.

Lexo edhe : Pagat e reja të mjekëve dhe mësuesve/ Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja: Kategoritë përfituese dhe shuma që do të marrin
Është e lehtë të kuptosh se shifra të këtij rekordi kanë ardhur edhe për shkak se fjalimin e Asamblesë së PS-së e kanë ndjekur edhe kundërshtarët, të cilët në faqen e Ramës nuk kanë kursyer kundërshtimet, replikat me njëri-tjetrin si tifozë skuadrash kundërshtare e deri sharjet që është bërë sport i zakonshëm në rrjetet sociale.

Përballë armiqve rrinë ithtarët dhe adhuruesit e Ramës që, për ta shprehur dashurinë ekstreme ndaj liderit të tyre, kanë klikuar duke i dhënë butonin zemër 563 herë, ndryshe nga ata që i kanë dhënë 6274 like-s apo dhe 65 të tjerë që janë kanë shtypur butonin të mërzitur me Ramën.

Por, çfarë solli fjalimi i Edi Ramës në Asamble, në aspektin e komunikimit? Ku ishte i përqendruar më shumë ai dhe pse? Si pritet të sillet Rama dhe PS-ja me kundërshtarët politikë dhe ndaj kujt do ta përqendrojë më shumë betejën? Çfarë linje pritet të ndjekë Edi Rama dhe PS-ja në muajt në vazhdim deri ditën e zgjedhjeve, dhe me çfarë alternative do t’u paraqitet shqiptarëve për të marrë një mandat të tretë?

Së pari, Edi Rama arriti të tërheqë vëmendjen masive të publikut dhe të bëhej lajmi i ditës dhe kjo, me sa duket nga komentet, analizat dhe debatet për këtë fjalim, do të vijojë edhe këtë javë. Së dyti, nëpërmjet fjalëve të përdorura në fjalim, Rama tregoi se cilat janë pikat e forta dhe të dobëta të vetë atij dhe të Partisë Socialiste. Së treti, fjalimi tregoi se në cilat fusha do të orientohet më shumë debati politik gjatë fushatës zgjedhore. Së katërti, fjalimi tregoi shumë se si do të jetë spektri politik pas rezultatit të zgjedhjeve. Të gjitha këto në një analizë mbi bazën e fjalorit të përdorur, fjalët e përzgjedhura, emrave të targetuar dhe shpeshtësisë së artikulimit të këtyre emrave.

Fjalët më të përdorura dhe çfarë tregojnë

51 herë fjalën parti, 39 fjalën ata dhe 31 herë fjalën votë, janë fjalët rekordmene që Edi Rama përmendi në fjalimin e tij. Raportet e tij me kundërshtarët Rama i tregoi kur përdori 13 herë fjalën qeveri, 28 herë fjalën unë dhe 39 herë fjalën ata. Kjo tregon jo vetëm që ky fjalim ishte shumë politik, por kishte një synim të caktuar, për të politizuar ekstremisht situatën në vend.

Fjala parti është përmendur pothuajse 50 për qind për PS-në dhe 50 për qind për kundërshtarët e PD-së dhe kjo tregon polaritetin ekstrem që ushqen vetë Rama. Balanca për përdorimin e emrave të partive PS, PD dhe LSI ndryshoi sipas objektivit që Rama pati gjatë fjalimit. Duke përmendur 29 herë fjalën socialist, 8 herë fjalën demokrat dhe 22 herë fjalën LSI, Rama tregoi se LSI-ja është dhe do të jetë targeti gjatë fushatës së tij elektorale.

Kryetari i PS-së tregoi bindje se, sipas tij, “të gjithë shqiptarët, në shumicë e votojnë dhe do ta votojnë prapë Partinë Socialiste të Shqipërisë”. Po përse e kërkoi votën Rama? Arsyet më së shumti nuk i dha për ato që do të bëjë, por për ato që nuk do t’i lejojë njerëzit të bëjnë dhe që lidhen me shkeljen e ligjit. Fraza më kuptimplotë e këtij konkluzioni është:

“Që kur bëjmë reformat sot, të mos themi, t’i lëmë njerëzit të mos paguajnë energjinë, se do të humbasim vota, t’i lëmë njerëzit të ndërtojnë pa leje, se do të humbasim vota, t’i lëmë njerëzit të futen nëpër universitete me mik, se do të humbasim vota. T’i lëmë njerëzit kështu e ashtu, se do të humbasim vota, sepse ashtu në fakt, ne jo vetëm që nuk fitojmë vota, por humbasim Shqipërinë”.

Fjalët për kundërshtarët

Nuk është hera e parë që Edi Rama në fjalimet e tij merret me emër të përveçëm ndaj kundërshtarëve. Është i drejtpërdrejtë dhe ka arritur të krijojë fjalorin e tij herë me emra të shkurtuar, herë me nofka e herë me epitete. Brezi më i vjetër i politikanëve dhe liderëve në të shumtën e rasteve u drejtoheshin kundërshtarëve me mbiemër, duke i vendosur përpara titullin zoti dhe zonja.

Sigurisht që kishte përjashtime, por këto ishin të rralla. Rama e ka thjeshtuar këtë, duke e bërë të zakoshme që ta quajë kryetarin e opozitës Luli, presidentin Ilir dhe ish-liderin e opozitës Sali. Por dje dukej se kundërshtari numër një i Edi Ramës ishte presidenti Ilir Meta. Për Ramën ai ishte armiku i drejtpërdejtë, e keqja më e madhe dhe të gjitha sulmet ishin pikërisht ndaj tij. 46 herë e përmendi Edi Rama Ilir Metën, nga këto 18 herë me emrin dhe mbiemrin e plotë Ilir Meta, 12 herë si Ilir ose Liri dhe 16 herë duke iu drejtuar presidenti. Kulmi i frazave drejtuar Metës ishte edhe mbyllja e fjalimit, kur iu drejtua Ilir Metës me fjalët:

“Kaq kisha për sot dhe duhet ta ndihmojmë Ilir Metën që t’u thotë shqiptarëve çfarë do akoma. Ta thotë, që nga Skënderbeu deri sot, asnjë tjetër nuk ka pasur të gjitha ato që ka pasur Ilir Meta. Kryeministër 30 vjeç, kryeparlamentar 40 vjeç, President 50 vjeç. Çfarë do për 60 vjeç? Çfarë do përveç dekoratës? Çfarë do? Çfarë borxhi i ka më këtij, Shqipëria që duhet të dëgjojë gjithë këto shkulme dhe, mbi të gjitha, çfarë borxhi i ka këtij Shqipëria që të ketë president”.

Në vend të dytë për përmendje të kundërshtarëve ishte kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ndonëse duket se e kursen me shumë sesa Metën, përsëri Rama ndaj Bashës përdor përçmimin. Rama e përmendi në fjalim 27 herë Lulzim Bashën dhe këto me emrin Luli. Pra kemi një diferencë shumë të madhe me përmendjen e emrit të Metës nga 46 në 27 herë për Bashën. Në fakt, përplasja mes kryeministrit dhe presidentit ka sjellë gjithnjë një perceptim që betejën më të madhe Rama e ka me Metën dhe jo me Bashën. Këtë ai e konfirmoi edhe me fjalimin e të premtes kur tha:

“Pastaj të bëjë debatin me Lulin, kush është kryetari i opozitës? Është Luli apo është Iliri? Të bëjë debatin me Lulin, po e fitoi debatin me Lulin, të shpallet kryetar i opozitës, le të rrijë president, nuk ka problem dhe pastaj shohim, po kështu jo”.

Në vend të tretë është gjithmonë Sali Berisha, por jo më pak i rëndësishëm. Kryeministri Rama ia përmendi emrin 12 herë, sigurisht nën “siglën” Sali. Herë si kryeministër paraardhës e herë si autor i një opozite më të fortë se edhe vetë opozita e PD, Rama e cilësoi Sali Berishën si kundërshtar me potencial jo të vogël kur deklaroi:

“Saliu është skapamento që ndot pak edhe ajrin, për të shpërndarë panik”.

Fjalët e reja dhe të përzgjedhura që tregojnë situatën

Lexo edhe : Barazimi i Kombëtares/ Braçe ironizon me foton e Alibeaj: Nuk ka faj Edy Reja!
Ndryshe nga shumë fjalime të tjera Edi Rama përdori fjalë të reja, që nuk i kishte përdorur më parë. 8 herë ai përmendi emrin Vojo Kushi, simboli i debatit të ditëve të fundit, pasi presidenti Meta e dekoroi heroin pas vdekjes. Kësaj duhet t’i shtojmë edhe përmendjen 21 herë të fjalës decorate, pikërisht për këtë çështje. Rama i mëshoi shumë asaj që duket si kërcënim i Metës ndaj tij teksa tha:

“Çfarë i bën Ilir Meta Vojo Kushit? Ai është Hero i Popullit. Ilir Meta çfarë e bën? Mjeshtër të punës Vojo Kushin? Çfarë i bën Vojo Kushit? Ai është Hero i Popullit. Se ai që jep dekoratën, prezumohet që është më lart. Është më lart mbreti. Presidenti, kur jep një medalje trimërie për dikë që ra në krye të detyrës dhe ia jep së shoqes ose të shoqit, është ai lart, është babai. Ky, Vojo Kushin nga çfarë lartësie e sheh? Apo është dhe ky mbi tankun imagjinar dhe ky e imagjinon tankun më të madh se të Vojo Kushit dhe Heroit të Popullit ky i jep dekoratë. Nuk e kuptoj”.

Robert Çamçakizi për Fatos Nanon, Lul artisti për Lulzim Bashën, doktor Rrumpalla për Sali Berishën janë nofka me autor Edi Ramën gjatë karrierës së tij. Të premten galeria e tij u pasurua nga nofka Borat për Ilir Metën. Duket se nuk i ka ngjitur shumë kjo nofkë për Metën, personazhi Borat Sagdijev i kinokomedisë “Borat” që teksa la Kazakistanin për të shkuar në SHBA, kaloi shumë aventura që më shumë shoqëroheshin me “cultural misunderstanding” sesa me humor.

Fjalë të tjera

Nëse liston fjalë që nuk kanë shumë lidhje me ato kryesoret, në vend të parë është përmendja 19 herë e fjalës rrugë, që tregon se debati i fushatës elektorale do jetë pikërisht për infrastrukturën, një fjalë që u përmend me këtë term 3 herë dhe po tri herë fjala investim. Interesante është përqindja e qyteteve.

Në vend të parë për nga numri më i lartë i përmendjeve është Vlora me 9 herë që për Edi Ramën tregon se shpallja e fitores apo humbjen së PS vjen nga qyteti ku u shpall shteti dhe jo nga Tirana që e përmendi 3 herë dhe Durrësi ku u përfol se do të drejtojë vetë si qark me 4 herë. Ndërsa kryeqendrën e Veriut, Shkodrën, e përmendi 3 herë. Për sa i përket ekonomisë, Rama ishte i kursyer, siç është edhe arka e shtetit. Ai përmendi 9 herë fjalën para, 1 herë fjalën euro dhe 4 herë fjalën dollar. Ndërsa pritej të fliste për të rinjtë që ikin dhe vetëm ikin, Rama i përmendi ata vetë 3 herë dhe fjalën shkollë vetëm 2 herë.

Fjalimi i Edi Ramës në shifra

Për kundërshtarët politikë

46 herë përmendi Ilir Metën, nga këto 18 herë me mbiemrin Meta, 12 herë me emrin Ilir ose Liri dhe 16 herë iu drejtua president

27 herë Lulzim Bashën me emrin Luli

12 herë Sali Berishën me emrin Saliu

6 herë Monika Kryemadhin

Për politikën

29 herë fjalën socialist

8 herë fjalën demokrat

22 herë LSI

13 herë fjalën qeveri

28 herë fjalën unë

39 herë fjalën ata

51 herë emrin parti

2 fjalën mandat

21 herë fjalën dekoratë

31 herë fjalën votë

8 herë emrin Vojo Kushi

Për ekonominë

9 herë fjalën para

1 herë fjalën euro

4 herë fjalën dollar

19 herë fjalën rrugë

3 herë fjalën investim

3 herë fjalën infrastrukturë

2 herë fjalën shkollë

3 herë fjalën të rinj

Për qytetet

9 herë fjalën Vlorë

3 herë fjalën Tirana

4 herë fjalën Durrës

3 herë fjalën Shkodër

Frazat më të rëndësishme

“E kujtoj si sot, bisedën shumë të vështirë që kemi pasur me FMN-në, e cila insistonte që duhet ta fillonim nga ulja e rrogave dhe pensioneve dhe refuzonte idenë tonë që ne do të kompensonim boshllëkun e atëhershëm me një reformë shumë agresive në fushën e energjisë, ku ishte dhe burimi kryesor i hemorragjisë së vendit në aspektin financiar”.

“Sot besoj që të gjithë atyre që me të drejtë, jo pa të drejtë, ankohen për shumëçka që ende ju mungon, ju duhet kujtuar që 7 vite më parë mbanin radhën në shi, për të paguar fatura aforfe të energjisë elektrike”.

“Ne nuk jemi e keqja më e vogël. Ne jemi e vetmja e mirë që ka në politikën shqiptare”.

“A është ardhja e Ilirit, Saliut, Lulit dhe Monikës në pushtet, një magnet që do të thithë mbrapsht shqiptarët në Shqipëri? Kush mund ta besojë”?

“Kujt i shkonte mendja dhe kush tjetër mund ta bënte atë që ne mundësuam, se do vinte një herë dita në Shqipëri, që korporata më e madhe antishtet, koorporata më e madhe fitimprurëse nën kostumin e shtetit, korporata më e madhe në paprekshmërinë e vet, korporata e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar do të çmontohet dhe një pastrim kaq masiv do të fillonte dhe do të materializohej përpara syve tanë”?

“Janë 400 milionë dollarë më shumë, që 100 më të mëdhenjtë i kanë derdhur në arkën e shtetit”.

“Kemi 132 mijë të punësuar më shumë”.

“56,2% më shumë dalin nga arka e shtetit për të paguar paga”.

“Mund të krahasohet QSUT-ja sot me atë që ishte dje? A mund të krahasohet pamja e personelit mjekësor sot me atë që ishte dje? Mund të krahasohen kushtet sot me ato që ishin dje? E pamundur”!

“Parapërfytyroni për një moment, sikur, larg qoftë, tërmeti të kishte rënë para 7 vjetësh, Covid-i të kishte ardhur para 7 vjetësh, ose kur ranë dhe na erdhën, të na kishin gjetur siç ishim para 7 vjetësh”.

“Kush do të mblidhej 7 vite më parë, ashtu siç u mblodh në fillim të vitit në Bruksel, për t’i dhënë Shqipërisë 1,2 miliardë”?

“Një plan prej 9 miliardë eurosh grante për vendet e rajonit dhe 20 miliardë të tjera kredi të garantuara, nga 1 miliardë në 9 miliardë”.

“Më thoshin që aeroporti i Kukësit është një fantazi, por unë o do t’i marr 120 demokratë nga ata që më shajnë mua rregullisht e në shenjë falënderimi, nga Londra do t’i ul në Kukës, që të votojnë PD-në në 25 prill, o s’ ka”.

“Do të ndërtojmë portin e ri të mallrave në Porto Romano dhe kjo nuk do të ndodhë mbas 100 vjetësh”.

“E për më tepër, a është ardhja e Ilirit, Saliut, Lulit dhe Monikës në pushtet, një magnet që do të thithë mbrapsht shqiptarët në Shqipëri? Kush mund ta besojë”?

“Askush nga partitë politike që janë sot në Shqipëri, nuk plotëson kushte për të qenë aleati ynë, askush”.

“LSI-ja nuk ka lidhje me përgjegjësinë qeverisëse. LSI-ja do të jetë pjesë e qeverisë për t’u rritur në kurriz të shtetit”.

“Jo vetëm për reformën në drejtësi, por dhe për luftën kundër krimit, atë që ka bërë dhe bën qeveria e Partisë Socialiste, as nuk mund ta çonte njeri nëpër mend”.

“Por ta zgjidhë me Monikën njëherë kush është kryetari i LSI-së, pastaj pasi të mundë Monikën, se e mund Monikën në debat, se ka votat, se ju e dini që Peço Monikën e do shumë, por për Ilirin e voton kundër, absolute. Pastaj të bëjë debatin me Lulin, kush është kryetari i opozitës? Është Luli apo është Iliri? Të bëjë debatin me Lulin, po e fitoi debatin me Lulin, të shpallet kryetar i opozitës, le të rrijë president, nuk ka problem dhe pastaj shohim, po kështu jo”.

“Imagjinoni tani, Luli kryeministër, Monika shefe llogarish, Iliri me dekorata dhe Saliu kuptohet”.

“Që nga Skënderbeu deri sot, asnjë tjetër nuk ka pasur të gjitha ato që ka pasur Ilir Meta. Kryeministër 30 vjeç, kryeparlamentar 40 vjeç, president 50 vjeç. Çfarë do për 60 vjeç? Çfarë do përveç dekoratës? Çfarë do? Çfarë borxhi i ka më këtij, Shqipëria”.
Fjala.al

SHKARKO APP