Një atmosferë Watergate-i

Hetimet në aferën e emailit rreth Hillary Clintonit janë gjoja shkas për shkarkimin e shefit të FBI, James Comey nga Presidenti Trump. Tani kërcënon të pasojë një tërmet politik, mendon Miodrag Soric.

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë amerikane: shefi i Shtëpisë së Bardhë shkarkon nga detyra shefin e FBI-së, në një kohë kur ky po drejtonte hetime, të cilat mund të bëheshin të rrezikshme për Presidentin. James Comey po hetonte përpjekjet e Rusisë për ta ndikuar fushatën elektorale në SHBA: në fund të fundit me synimin për t’i shtruar Donald Trumpit rrugën për në Shtëpinë e Bardhë dhe për të dëmtuar konkurrenten e tij, Hillary Clinton.

Javët  e fundit, administrata i hodhi poshtë të gjitha kritikat se ka bashkëpunuar me Kremlinin gjatë fushatës elektorale 2016. Por hetime përkatëse të FBI-së ende po vazhdojnë. Që të shkarkosh pa marrë fund ato shefin e institutucionit të policisë, lë një shije të hidhur, politike. Tani nuk janë vetëm demokratët që druhen se Donald Trumpi do të emërojë një drejtor të FBI-së, i cili t’u japë fund shpejt hetimeve. Me këtë nuk do të dilte kurrë në dritë e gjithë e vërteta për ndikimin politik të Moskës.

Swiss Digital Desktop Reklama
Miodrag Soric Miodrag Soric

Swiss Digital Mobile Reklama

Presidenti i SHBA në vështirësi

Vendimi i Trumpit e dëmton besueshmërinë e institucioneve politike në Uashington. Prestigji i klasës politike mund të arrijë pika të reja të ulëta, zhgënjimi nga politika do të shtohet. Presidenti gjoja dëshiron një fillim të ri për FBI. Trumpi e argumenton shkarkimin e Comey-t me sjelljen e tij në aferën e emailit rreth Hillary Clintonit. Por këtë nuk ia beson askush, as kolegët e partisë së tij. Në fund të fundit, ishte vetë Trumpi që nuk la lëvdata pa bërë për Comey-n në këtë çështje – duke qenë se hetimet në momentet e fundit të fushatës elektorale e rënduan në mënyrë ekstreme rivalen e tij. Që ta shkarkosh shefin e FBI-së, muaj më vonë, pikërisht për këtë: është i lig ai që i vete mendja për ters.

Nxjerrja me detyrim në pension e Comey-t mund të shkaktojë një tërmet politik në Uashington. Ky vendim të kujton skandalin e Watergate-t. Në fund të fundit, edhe Richard Nixoni shkarkoi në fillim të viteve 1970 një hetues të posaçëm, i cili i kishte kuptuar makinacionet e tij. Por Nixonit iu desh të jepte dorëheqjen: e vërteta nuk qe e mundur të fshihej gjatë. Trump mund të ketë fuqinë për ta shkarkuar Comey-n. Por demokratët dhe disa republikanë, do t’i vazhdojnë kërkimet për të mësuar, nëse ekipi elektoral i Trumpit është marrë vesh me instancat ruse. Dëshmitë për këtë deri tani mungojnë. Por kjo mund të ndryshojë.(DW)

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?