Një çështje nderi

 

Franz Beckenbaueri është figura kyçe në makinacionet e errëta për caktimin e Kampionatit Botëror 2006. Heshtja e tij është më e keqe se çdo e vërtetë e hidhur, mendon redaktori i DW, Jens Krepela.

 

Angela Merkel e ka zakon që i mendon gjërat duke përfytyruar fundin e tyre, përpara se të marrë një vendim. Këtë taktikë të kancelares gjermane mund të bënte mirë ta ndiqte edhe Kaiseri, perandori i Gjermanisë në futboll. Sepse Franz Beckenbaueri deri tani ka vendosur të ndjekë rrugën e gabuar. Pas dyerve të mbyllura ai vërtet u është përgjigjur disa pyetjeve për rolin e tij në dhënien e dyshimtë të Kampionatit Botëror të Futbollit Gjermanisë. Por sqarimi i vërtetë ka pamje tjetër. Kjo nxjerr në pah një anë tjetër të "figurës së ndritur" të përkëdhelur nga suksesi: arrogancë dhe në një njëfarë mënyrë mungesë skrupujsh. Sepse pasojat e heshtjes së tij i paguajnë të tjerë: për shembull Wolfgang Niersbach, i cili shpalli të hënën (09.11)dorëheqjen si President i Federatës Gjermane të Futbollit, DFB. Kaiseri vetë, figura qendrore, mbetet i paprekur.

Jens Krepela

As hetime dhe as poste

Se pse duhet përçmuar kjo sjellje, këtë e tregon mënyra e veprimit të Merkelit. Po t'i mendosh gjërat duke pasur fundin në mendje, çfarë e kërcënon Beckenbauerin, po të flasë hapur? Sipas gjendjes së tanishme mund të thuash: asgjë. Akuza për korrupsion do të qe vjetëruar prej kohësh. Në hetimet për evazion fiskal kundër DFB ai nuk bën pjesë në personat e akuzuar. Ndonjë post, që mund ta humbiste për shkak të deklarimit të bizneseve të dyshimta, 70 vjeçari nuk ka më.

Rrëzimi i një ikone?

Mbetet pra se mund të njolloset emri i tij i mirë. Në botën e futbollit nuk ka thuajse asgjë, që të mos e kishte arritur Beckenbaueri: duke nisur që nga titulli i Kampionit të Botës si lojtar dhe si trajner, ashtu edhe me gola që ka shënuar për shaka në emisionet sportive televizive.Që si funksionar ai e solli në vitin 2006 Kampionatin Botëror të Futbollit në Gjermani, e ngriti atë përfundimisht në sfera më të larta. Në sfera tepër të larta, siç mësojmë tani. Për një kohë të gjatë askush nuk guxoi ta analizojë në mënyrë kritike punën e Kaiserit. Përkundrazi, kur u shqiptuan kritikat, Beckenbauerin disa medie e mbrojtën në mënyrë agresive.

Formësimi njeri i figurës së ndritur

Për sqarimin e kësaj afere, Kaiseri, perandori duhet të zbresë nga froni. Këtë urojmë që ta arrijë presioni publik. Në fund të fundit është një çështje nderi dhe integriteti përballë bashkëlojtarëve të vjetër dhe DFB, të cilëve edhe Beckenbaueri u dedikon diçka. Vështirë të përfytyrohet që mund të dalin në dritë gjëra që ta trondisin në themel statusin e tij si ikonë të futbollit. Prandaj ka ardhur koha që ai ta ndryshojë mendimin. Unë do të preferoja më mirë një idhull futbolli të penduar me dobësi se sa një perandor të paprekshëm futbolli.

SHKARKO APP