Një disfatë që po thellohet nga fushata
Nga Mero Baze
Ndërsa fushata elektorale po shkon drejt fundit, ka një psikozë të përgjithshme se e majta mund të bëhet fituesja absolute e 61 bashkive që janë në garë, duke u përballur me një lloj rreziku nga kjo ngelja në dorë e gjithë bashkive.
Shkak i këtij rezultati të pritshëm me frikë, po mitizohet me epërsinë e pushtetit, me dobësinë e opozitës apo me justifikime të ndarjes territoriale. Në fakt po nënvlerësohet, diçka shumë e rëndësishme, e cila u shfaq pikërisht në fushatë elektorale. Kjo është e vetmja opozitë, e cila kishte më shumë pikë nga sondazhet në fillim të fushatës elektrale sesa tani që po shkon drejt fundit. Po harrohet strategjia shkatërruese e fushatës elektorale që ka zgjedhur Lulzim Basha në raport me Edi Ramën.
Fushata elektorale e Edi Ramës nga jugu në veri është këmbëngulëse dhe unitare, që synon të bashkojë pushtetin qendror me atë lokal, ndërsa opozita iu drejtua një fushate politike, e cila nuk synon bashkitë por krijimin e një klime kundër qeverisë për politikat e saj. Kështu, fushata elektorale e Ramës po fokusohet tek projektet urbane në çdo bashki dhe projekte konkrete që premton se do t’i financojë qeveria, ndërsa premtimet e Bashës janë ulja e taksave dhe ulja e çmimit të energjisë elektrike, të cilat nuk janë as kompetencë e bashkive dhe as ndonjë program i qartë i PD-së. Ato janë thjeshtë dy probleme që kanë evidentuar sondazhet nga qeverisja e socialistëve dhe Basha po shkon drejt 21 Qershorit të 2015-ës, me vështrimin drejtuar nga qershori i vitit 2017.
Pra Lulzim Basha ndërtoi një strategji, sipas së cilës zgjedhjet mund të fitoheshin duke u thënë shqiptarëve se kur të vijë ai në pushtet dikur, do ul taksat dhe dritat, me shpresë se shqiptarët do ta afrojnë këtë ditë. Dhe kjo duket se shkatërroi gjithë fushatën e tyre. Asnjë kandidat i PD-së nuk flet për projekte konkrete, po flet për mandatin që i duhet për të luftuar qeverinë qendrore. Asnjë kandidat i PD-së nuk flet për ndonjë projekt urban për qytetin, për ndonjë ide për administrimin e tij, por flet për gjëra që ka ndërmend t’i bëjë Lulzim Basha, po u bë ndonjë ditë kryeministër.
Dje po ndiqja një kronikë nga fushata e Grida Dumës në Durrës dhe ajo shpjegonte me një qetësi për tu pasur zili si mashtruese, sesi do të hapte në Durrës 15 mijë vende pune, kur viti më i mirë i PD-së në pushtet në rang kombëtar është viti 2012, që ka hapur 15 mijë vende pune. Grida premtonte se kaq vende do t’i hapte në Durrës, pasi do ulte taksat dhe çmimin e energjisë.
Të bësh kështu fushate në Durrës, në një qytet shumë të balancuar politikisht, ku më lehtë fiton opozita sikur të mos ketë fare seli të PD-së, është krim. E kuptoj që në Vlorë, Tiranë, apo Fier e Korçë, diferenca është e madhe, por në Durrës opozita mund t’ia dilte të rrezikonte Dakon me një fushatë për qytetin. Ai është një qytet që voton PD-në, por është dhe një nga qytetet me nivel të ngritur arsimor. Si mund të fyesh inteligjencën e tyre dhe tu thuash që më 22 qershor do të fillojë të hapë 15 mijë vende pune, duke ulur taksat dhe dritat? As në Kënetë që nuk paguajnë taksa dhe drita nuk ta besojnë atë, jo më në një qytet normal si Durrësi.
Kjo fushatë po çon në një diferencë që thellohet çdo ditë mes të majtës në pushtet dhe opozitës në të gjitha bashkitë, duke na çuar vërtetë drejtë një rezultati të frikshëm në favor të së majtës, që nuk pasyron fuqinë e saj reale, por dobësinë shokuese të opozitës së Lulzim Bashës. E majta meriton të ndëshkohet në këto zgjedhje. Ajo meriton një shuplakë për arrogancën e saj ndaj qytetarëve dhe për shumë probleme që i kanë dalë gjatë rrugës dhe që u ka dhënë zgjidhje të shëmtuara. Do të isha i lumtur, që shumë bashki nga Jugu në Veri t’i fitonte opozita, me qëllim që pushteti të balancohej dhe Rama të punonte me kryebashkiakët e djathtë. Por kjo fushatë e Lulzim Bashës është vetëvrasëse. Ai po ecën drejtë humnerës me kryet përpjetë, duke parë majën e pushtetit që i ka vënë syrin, e duke harruar që po shkon drejtë greminës. Kështu si po shkon puna, më 22 qershor demokratët në vend të kërkojnë ulje taksash e dritash, do të duhet t’i kërkojnë llogari këtij njeriu pse i çoi në këtë disfatë me fushatën e tij të patru. Kjo është një vepër personale e tij. Nuk është as e Berishës, as e kryesisë së PD-së dhe as e kandidatëve. Kjo fushatë do mbahet mend që gjysma iku duke dëgjuar vizionin e parealizuar të Lulit për Tiranën dhe gjsyma për vizionin e Lulit kur të bëhet kryeministër. Rreziku nuk është se e majta do korrë një fitore të pamerituar, por dhe se opozita do marrë një humbje të pamerituar. Siç ka të pamerituar kryetarin e saj!
Tema