Një ditë Pavarësie në shiun e Tiranës

Nga Linda Karadaku –
Në këtë shi që bie pothuaj çdo 28 nëntor, e shoh Shqipërinë si vendin amë dhe strehë të sigurtë (pavarësisht sa herë është përdorur, stërpërdorur dhe keqpërdorur kjo fjalë për të gjitha arsyet dhe qëllimet e mundshme). Gjyshërit e mi u dëbuan nga Kosova dhe Lugina e Preshevës dhe gjetën strehë dhe jetë në këtë Shqipëri, ku më vonë, fqinjët e tyre u bënë familje çame, të shpërngulur ashtu si ata. Ne të shpërngulurit u rritëm bashkë në një lagje, me “vendalinjtë” duke ndarë lojën dhe “kaçat” e bukës. U rritëm bashkë, u gëzuam bashkë dhe vuajtëm bashkë. Historia u përsërit vite më vonë kur familje të tjera, fëmijë të tjerë gjetën strehë në këtë Shqipëri duke kaluar kufirin me mijëra…
Këtë po mendoja në një ditë si kjo, kur shkruhet ëmbël dhe bukur për vendin, tokën, njerëzit, flamurin, shqiponjën, gjuhën dhe fjalën, identitetin mbi identitet që na lidh të gjithëve duke na dhënë emrin e përbashkët shqiptar. Në një ditë si kjo, kur dikush gëzon, dikush lëngon, dikush thotë një fjalë të mirë, dikush gjëmon, dikush hesht…
Kjo është nga ato ditë, kur Tirana e hirtë dhe në shi të bën të kujtosh rrugët dhe rrugicat ku je rritur, veshjet me roba uniforme të trikotazhit, “një kaçe bukë” që e ndaje me kalamajtë e lagjes, shkollën dhe mësuesit e mirë që të bënin ta doje gjuhën tënde, prindërit që rropateshin gjithë javën dhe të djelën dilnin në aksion “vullnetar”.
Kjo është nga ato ditë kur të vijnë në mend gjithë kaotizmat e tranzicionit, kohët e mira dhe të këqija, shpresat dhe ëndrrat që shpesh u tretën rrugës, duke i lënë vendin jetës me këmbë në tokë, herë e ëmbël e herë e hidhur, sic ka qenë gjithmonë buka në këtë vend…
“Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë, as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje”,- shkruan Mitrush Kuteli në amanetin e tij.
Kjo dashuri e natyrshme, e pakompromis, Atdheu është Atdhe, edhe në vuajtje, na ka mbajtur gjallë në shekuj. Këtë ndjej, kur shoh atë flamur që ngrihet sot në shi sikur gëzon atje lart bashkë me ne për ato që kemi arritur, ruajtur dhe kthyer, dhe vuan bashkë me ne në trishtimin për ato që humbëm dhe për ata që shkelin gjakun dhe kombin e vet.
“Dy gjëra duhen në këtë jetë, e drejta dhe fuqia”,- ka thënë Sami Frashëri. Ne I kemi të dyja, kombi ynë është në të drejtën e vet dhe ka fuqinë për ta bërë Shqipërinë zonjë. Jemi këtu, ku kemi qenë denbabaden, por nuk i jemi kthyer akoma vetevetes, për të kuptuar se askush tjetër nuk mund të bëjë për këtë vend atë që mund dhe duhet të bëjmë ne vetë.

“Një komb, ç’vleftë t’i vërë vetes, atë i vënë edhe të huajtë”,- ka thënë Naim Frashëri. Dhe për ta vënë këtë “vleftë”, këtë vlerë, do na duhet të fillojmë nga ri-pozicionimi ynë përballë Shqipërisë. Nuk na ka faj Shqipëria për hallet tona, përkundrazi, ne e kemi detyrim ndaj Shqipërisë për ta bërë zonjë. Sepse liria dhe pavarësia vijnë bashkë me përgjegjësinë për vendin dhe për njerëzit, duke provuar se dimë, duam dhe mundemi të ndërtojmë shtet për së mbari. Mjaft kohë kemi humbur duke bërë zigzake historike dhe duke luftuar me njëri-tjetrin. Siç thoshte Naimi: “Gjithë mirësitë janë n’urtësit. Urtësia është dritë e udhërrëfenjsë për njerëzinë”.
Më 28 nëntor 1912 binte shi, si sot. Shqiptarët prisnin shpalljen e Shqipërisë të lirë dhe të mosvarme, atë që sot e quajmë Pavarësi. Dhe Plaku i madh i Vlorës, Ismail Qemal Vlora, thoshte në një intervistë me një gazetë franceze: “Pavarësia e Shqipërisë është një zgjidhje e domosdoshme e mbi të gjitha e drejtë dhe e aftë të thjeshtojë konfigurimin e ardhshëm të Gadishullit Ballkanik”.

Plaku i madh i Vlorës e kishte përkufizuar në një mënyrë aq brilante dhe vizionare, sa as sot, në këtë kohë, nuk mund t’i heqësh asnjë presje. Pavarësia e Kosovës pothuaj një shekull më vonë provoi se zgjidhjet e domosdoshme dhe të drejta mund të vonojnë në kohë, por vetë koha dhe historia i bën të pandalshme, nëse vetë shqiptarët ruajnë identitetin kombëtar dhe dashurinë për këtë atdhe që duhet ta duam “edhe kur të vret.”

SHKARKO APP