Një drejtësi, e projektuar për të shpëtuar Ramën nga burgu

Reforma në drejtësi ka dështuar. Ajo u konceptua nga aktorët e jashtëm dhe disa të brendshëm për të krijuar një drejtësi të pavarur dhe të pakapur nga politika. Por ndryshe nga qëllimi i saj fillestar ajo përfundoi në duart e Ramës, i cili ka kapur të gjitha pushtetet duke shantazhuar kundërshtarët politikë, dhe mbuluar aferat e tij korruptive me koncesionet

Analizë nga Prof. Dr. Ana Leka

Reforma në drejtësi ka dështuar. Ajo u konceptua nga aktorët e jashtëm dhe disa të brendshëm për të krijuar një drejtësi të pavarur dhe të pakapur nga politika, por nga qëllimi i saj fillestar ajo përfundoi në një mjet në duart e Ramës me të cilën jo vetëm kryeministri të përmbushë i lirë agjendën e tij për të kontrolluar të gjitha pushtetet, për të shantazhuar kundërshtarët politikë, por mbi të gjitha për të mbuluar aferat e shumta korruptive si edhe abuzimet me PPP-të, në mënyrë që sot, apo edhe nesër kur të mos jetë më në detyrë, të mos vihet kurrë përpara drejtësisë. Reforma në drejtësi, nga një reformë e cila do garantonte shtetin e së drejtës, prej tre vitesh është projektuar si një mekanizëm sigurie për të mos çuar Edi Ramën në burg.

Po si e ka kapur Edi Rama drejtësinë?

Të gjithë e mbajmë mend betimin e Arta Markut në dhjetor 2017, e cila në një sallë të parlamentit të mbushur me tym dhe me kundërshtime të forta nga opozita e atëhershme, u zgjodh nga mazhoranca në kundërshtim me Kushtetutën dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, OPDAT dhe EURALIUS, si Prokuror i Përgjithshëm i Përkohshëm me vetëm 69 vota.

Përse ndodhi kjo? Sepse Ramës i duhej një Prokurore e Përgjithshme që të mbyllte dosjet 184 dhe 339 të cilat do sillnin rrënimin e tij. Përse Arta Marku? Sepse znj. Marku kishte njohje të hershme me Kryetarin e Komisionit të Ligjeve në Kuvend dhe deputetin e Partisë Socialiste z. Ulsi Manja për shkak se ky i fundit ka qenë epror i saj si Drejtuesi i Prokurorisë Shkodër. Gjithashtu Marku, kishte një miqësi të vjetër edhe me Deputeten e Partisë Socialiste znj. Ermonela Felaj ish-Kryetare e Komisionit të Sigurisë në Kuvend, dhe ish-Ministre në Kabinetin e Qeverisë Rama 1. Pasi e kreu misionin e saj për të penguar hetimin e dosjeve të nxehta që do rrënonin Ramën, Marku u la e lirë të vazhdonte karrierën e saj si prokurore. E njëjta gjë ndodhi me Donika Prelan, miken besnike, të cilën Marku, pas emërimit të saj në detyrë e komandoi Drejtuese të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Dosjet u penguan, u sabotuan, u bllokuan, dhe pavarësisht denoncimit publik nga “Zëri i Amerikës” dhe “Bild”, me prokurorinë në xhep, Rama ia hodhi paq.

Por misioni për kapjen e drejtësisë vazhdonte sistematikisht.

Ishte radha e ushtarit tjetër të Ramës, Ardian Dvorani i cili u caktua Kryetar i KED sikurse edhe anëtar i Gjykatës së Lartë prej 15 vitesh, ndonëse Kushtetuta parashikon mandat 9 vjeçar, dhe Gjykata Kushtetuese ka shpallur me vendim antikushtetutshmërinë e vazhdimit të mandatit të tij. Me qëllim e sipas planit, me urdhrin e Ramës, mazhoranca socialiste vonoi publikimin e këtij vendimi në Fletoren Zyrtare deri në publikimin dhe në hyrjen në fuqi të ndryshimeve kushtetuese të Reformës në Drejtësi që lejonin vazhdimin e detyrës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë deri në zëvendësimin e gjyqtarit. Dvorani hapi debat publik, pasi ai u konfirmua në detyrë, ndonëse kishte harruar të deklaronte një shumë parash prej 85 mijë eurosh. Përse duhej Dvorani? Për të diktuar përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese. E përse i duhet Ramës Gjykata Kushtetuese? Shumë e thjeshtë, për të kontrolluar gjithçka: për të bërë çfarë të dojë e pa asnjë pengesë me Kushtetutën e vendit, duke e ndryshuar dhe përshtatur atë sipas qejfit; për të legjitimuar PPP-të dhe zgjedhjet e 30 qershorit; për të prishur Teatrin Kombëtar e për të marrë çdo iniciativë tjetër personale e korruptive që mund ta ndalojë Kushtetuta; për të bërë marrëveshje me Vuçiç apo kë t’i dojë mëndja; mbi të gjitha për t’i shpëtuar burgut kur të mos jetë më Kryeministër. Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion i drejtësisë ende pa u kapur plotësisht nga Rama, por që dita-ditës është qëllim i tij dhe i parlamentit që kontrollon.

Gent Ibrahimi në krye të Këshillin e Lartë të Prokurorisë

Ai tashmë ka arritur të kapë Këshillin e Lartë të Prokurorisë, në të cilin ka caktuar si kryetar, Gent Ibrahimi, i zgjedhur si pjesë e këtij organi në konflikt të pastër interesi dhe në kundërshtim me kërkesat e ligjit. Gent Ibrahimi është kunat (burri i motrës) i deputetes së Kuvendit të Shqipërisë Mimi Kodheli, e cila ka qenë ish-Ministre e Mbrojtjes në Kabinetin qeveritar Rama 1 dhe aktualisht Kryetare e Komisionit të Jashtëm në Kuvend.

-Gjatë procesit të përzgjedhjes, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i rekomandoi Kuvendit se Gent Ibrahimi, nuk përmbushte kushtin e vjetërsisë në punë si pedagog i Shkollës së Magjistraturës por ky rekomandim i ONM nuk u pranua nga Kuvendi dhe Gent Ibrahimi u zgjodh anëtar i KLP. Cdo gjë sipas planit.

– Në KLP është edhe Alfred Balla, një njeri besnik i Rilindjes, edhe ky i kundërshtuar nga ONM në përzgjedhjen e tij pasi është konstatuar se nuk plotëson kriteret ligjore, por rekomandimi i ONM-së nuk u mor parasysh nga Kuvendi dhe Alfred Balla sot është Zëvendës Kryetar i KLP-së. – Bujar Sheshi,Anëtari tjetër i KLP, ka rezultuar dhe është faktuar zyrtarisht me vendim të autoritetit të dosjeve të regjimit ish-komunist se ka qenë bashkëpunëtor dhe i favorizuar me strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit.

– Nurihan Seiti, anëtarja tjetër e KLP-së është denoncuar publikisht se ka qenë pjesëmarrëse para vitit ’90, si Prokurore në gjyqe politike.

Rama kontrollon edhe Këshillin e Lartë Gjyqësor

Naureda Llagami Kryetare e KLGJ-së është mike e ngushtë me Klodilta Ferhati deputete e Partisë Socialiste anëtare e Komisionit të Ligjeve në Kuvend. Ajo njihet si mike e Ajola Xoxa, bashkëshortja e Erjon Veliaj, Kryetarit të Bashkisë Tiranë. Fatmira Luli, anëtare e KLGj, ka qenë pjesëmarrëse, para vitit ’90, në gjyqe politike, respektivisht në rolin e gjyqtares. Erjon Muharremaj, anëtar i KLGJ, është person i angazhuar politikisht pranë Partisë Socialiste. Të hënën, me datë 20 janar, kuvendi, nën urdhrat e Ramës zgjodhi Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metanin, ish Drejtor i Legjislacionit në Kryeministri. Artur Metani është vëllai i deputetes aktuale të Partisë Socialiste, ish-Ministre e Kabinetit Rama 1. Kjo është drejtësia e re e shqiptarëve. Një drejtësi në duart dhe në shërbim të Ramës. Edhe SPAK-u, me pritshmëritë e mëdha të të gjithëve, nisi me zhgënjim, ku në krye të tij u vu, Arben Kraja, një hetues në diktaturë, të cilin ish-kreu i Institutit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Agron Tufa e denoncoi duke publikuar një procesverbal të kryetarit të sapozgjedhur të SPAK, Arben Kraja i cili prej vitit 1988 deri në 1991 ka punuar si hetues në Shkodër. Më 27 korrik 1990, Kraja ka urdhëruar arrestimin e një personi nga Shkodra, i quajtur Beniamin Bizi, i cili akuzohet për “kryerjen e veprave që bien në kundërshtim me normat e moralit komunist”. Ushtarë, kamikazë dhe komunistë. Kjo është çeta e Ramës. Kjo është drejtësia e re. Dhe ndërkohë stoku i çështjeve të pashqyrtuara në Gjykatën e Lartë, është 35 mijë dosje gjyqësore për të cilat duhen dekada, dhe shqiptarët nuk do marrin kurrë drejtësi por ama kanë një Kryeministër që nuk do përballet kurrë me drejtësinë, këtë drejtësi për të cilën është munduar kaq shumë ta bëjë të tijën. /Telegraf.al/

SHKARKO APP