Një ekip do të çojmë në Francë…
Nga Lutfi Dervishi
Mëngjesi i sotëm ishte krejt i veçantë! Drejtues e drejtuese emisionesh televizive të veshur me fanellën kuq e zi. Menyja kryesore e mëngjesit: kombëtarja kuq e zi! Objektivi: vajtja në Francë!
12 mijë shqiptarë, mes tyre mund të ketë edhe tifozë, do të shohin “ndeshjen e shekullit drejt për drejt në Elbasan Arena, ndërkohë që qindra mijëra të tjerë në sheshe e lokale. Në Tiranë, Shkup, Prishtinë, por edhe në qytete e tjera – drama e Elbasanit do të ndiqet drejt përdrejt përmes ekraneve televizive.
Risia sonte është se “ndeshja e shekullit” do të ndiqet drejtpërdrejt në mbrëmje nga Elbasani, në mesditë në Nju Jork, në orët para të mëngjesit në Pekin dhe meqë shqiptarët janë shpërndarë në gjithë globin- ndeshja e sotme mund të jetë edhe një census për shqiptarët në 5 kontinente.
Një ekran gjigant me kosto 200 mijë dollarë në Manhatan dhe shqiptarët do të kenë mundësi të shohin ndeshjen në orën 14:45 sipas orë lokale. Një ekran gjigant në një stadium në Kazakistan- dhe një lutje e Behgjet Pacollit për autoritetet që punonjësit e kompanisë së tij të kenë mundësi të shohin kuq e zinjtë.
Kompanitë e basteve në Shqipëri për arsye patriotike nuk pranojnë të venë bast për humbjen e Shqipërisë.
Pezullimi i shefit të FIFA-së Blatter dhe fakti që edhe shefit të UEFA-s , Platini i doli nga kallaji,- nuk janë më lajm. Lajm është mbrëmja e sotme, ku kërkohet fitorja me çdo kusht.
Presioni është aq i madh sa duket se loja nuk do të fillojë nga minuta 0, por do të nisë në minutën e 43, aty ku u ndërpre në Beograd për shkak të dronit me flamurin “Autochtonus” dhe pushtimit të fushës nga huliganët.
Ndeshja, edhe për shkak të asaj çfarë ngjau në Beograd një vit më parë, ka tërhequr vëmendjen e medias botërore. Ndalimi nga policia i Ballist Morinës ishte në buletin kryesor të lajmeve të shërbimit botëror të BBC-së, një artikull i gjatë profil i Nju Jork Times për njeriun e dronit dhe paragrafi fundit: “qershia mbi tortë”, Morina pranon se mban me vete pistoletë Zastava! Nëse Morina ka menduar se policia nuk lexon gazetat, sigurisht që ka qenë gabim.
Flamuj, shall, bluza, banderola- kuq e zi, shihen po aq sa edhe në festën e 100 vjetorit të Pavarësisë. Megjithë, masat e rrepta policore dhe propagandën e tepruar që të sillemi si europianë, një guralec i hedhur nga një 14 vjeçar i shpallur në kërkim nga policia – bëri që kryeministri serb të shkruajë letër, ministria e jashtme e Serbisë të dërgojë notë proteste dhe kryeministri shqiptar të shpreh keqardhjen.
Ja vlen të kujtohet që këtë verë, një çakmak i hedhur nga një tifoz i Kukësit, në stadiumin Qemal Stafa, çoi në ndërprerjen e lojës, në humbjen e ndeshjes në tavolinë 3-0 dhe në dënimin që ekipi në ndeshjen e ardhshme të luajë pa tifozë.
Në stadium nuk do të lejohet nga policia flamuri i dronit dhe kjo jo për faktin se tashmë autori ka regjistruar copy-right. Por edhe sikur 12 mijë tifozët sonte Elbasan Arena të jenë 12 mijë polic, nuk ka garanci 100% se nuk do të ketë incidente.
Normal do të ishte që të prevalonte gjakftohtësia dhe qetësia. Por futbolli për nga natyra përjashton si njërën ashtu edhe tjetrën.
Sonte kërkohet fitorja dhe realizimi i një ëndrre: Shqipëria në Francë 2016.
Supozojmë dhe urojmë që sonte të fitojmë. Dhe kjo fitore bën të mundur që në verën e vitit 2016 të çojmë në Francë ekipin kombëtar.
Ndërkohë sa për kujtesë këtë verë kemi dërguar jo një ekip por disa divizione me shqiptarë në Gjermani. (30 mijë azil kërkues) Dhe në fund: në Francë do të dërgojmë një ekip me shqiptarë të rritur e të stërvitur jo në Shqipëri madje jo në trojet etnike.
Sonte uroj të fitojmë dhe të gëzojmë dhe ta shpallim hero ekipin që do të shkojë në Francë.
Nesër ndoshta nuk është keq të mendojmë edhe për divizionet që kemi dërguar në Gjermani!
Syri.net