Një elefant në Tiranë
Nga Lorenc Vangjeli/
Benz-i ishte me targë romane të kohës para se Italia të hynte në BE dhe të standartizonte ndryshe targat e saj kombëtare; një shirit i zi i hollë përpara dhe një pllakë katërkëndëshe pas. Në pjesën e bagazhit, mbi shifrën 220, të modelit të makinës, ishte vendosur edhe një shënim i personalizuar me mbiemrin e deputetit të ri. Në sediljen e brendshme ndodhej kapelja prej “lopçari” amerikan, fituar në bast në republikën Domenikane, në një duel gjelash, ku kishte humbur gjeli meksikan përkundrejt gjelit të zgjedhur nga deputeti i ri shqiptar.
Deputeti i ri hyri në sallë paradite, kurse kapelja, ndryshe nga sa prisnin kurreshtarët, mbeti në pritje brenda në makinë.
“Eshtë njëlloj si të shohësh një elefant duke shëtitur nëpër Paris”. Fjalia cinike ju drejtua kurrizit që po hynte në sallën e Parlamentit për herë të parë. E tha një deputet i djathtë frankofon dhe e miratoi me të qeshura kolegu i tij i majtë.
Mes dy kampeve të zhytyr në dy llogoret armike të politikës, ka gjithmonë paqe kur bëhet fjalë për humorin. Ose për të tallurën. Dhe jo vetëm për humorin dhe për të tallurën. Sidomos për gjëra që janë sipërfaqësore dhe të dukshme, mes palëve fryn gjithmonë era e paqes. Si në rastin kur një deputet krahasohet me elefantin.
Eduard Ndocaj po përgatitej të bënte betimin të enjten dhe kolegët e tij të ardhshëm i flisnin sjellshëm përballë dhe bënin grimasa sapo ai largohej për më tej. Ndokush edhe xheloz për vëmendjen që ai po merrte. Në të vërtetë, Ndocaj është me pak përjashtime të rralla, një nga deputetët më të njohur të sallës së parlamentit. Mjaftoi kapelja e pazakontë në kokë, fotot elektorale me Edi Ramën dy vjet më parë, ca varavingo “kondra” në rrjetet sociale, sulm në “pikën e fortë” të kryeministrit, mirënjohjen, nja dy fatura restoranti italian dhe njeriu që askush nuk e merrte seriozisht në Tiranë, la pas në hierarkinë e njohjes publike shumicën e deputetëve shqiptarë. Sidomos atë shumicë të shumicës së deputetëve të majtë e të djathtë, që as nuk e hap ndonjëherë gojën, që as di ta hapë gojën dhe që nëse e hap ndonjëherë gojën, do bënte më mirë të rrinte me gojë mbyllur.
Pretendohet se Eduard Ndocaj ka shpenzuar rreth 500 milionë lekë për fushatën elektorale. Një shumë që e bën atë të jetë automatikisht në atë pakicë të pakicës edhe të majtë e të djathtë që ka mundësi të disponojë shuma të tilla. Ai vetë e tha me lehtësi të frikshme një gjë të tillë, njëlloj si të ishte i bindur se mbas pagesës së asaj fature, ishte padrejtësi t’i mohoej statusi i politikanit.
Në një botë që shet e blen gjithmonë dhe gjithçka, edhe ky titull me dommosdo duhet të ketë një çmim: 500 milion në rastin e djalit nga Lezha. Një investim që në pikpamje ngushtësisht financiare – nëse ai thotë të vërtetën – është tërësisht i gabuar. Në më pak se dy vjet që do të zgjasë mandati i tij, ai do të paguhet nga shteti shqiptar për shërbesën si ligjvënës me rreth një të dhjetën e kësaj shume. Por kjo është fatura e të qenit të famshëm, të cilën ai me sa duket ka vendosur të paguajë. Duke u shndërruar brenda ditës nga emigrant në Itali, në “Onorevole” në Shqipëri. Me pak fat natyrisht. Me dëshirën e Ramës që e futi në listë me bindjen se nuk do t’i vinte kurrë rradha dhe me “fatkeqësitë” që i ndodhën njëri pas tjetrit pesë deputetëve e pothuaj deputetëve të tjerë socialistë të listës së Lezhës.
Nga e enjtja parlamenti shqiptar u bë më ekzotik falë Ndocajt që një natë më parë arriti një audiencë marramendëse në Opinion-in e Fevziut. Të enjten para derës së parlamentit ai la në pritje votuesit e gjithë qarkut të Lezhës për shpalljen e prioriteteve të tij politike. “Eshtë zona e varfër, tha dhe prioritetet do t’i them në ditët në vijim”.
Eduard Ndocaj, deputeti i pasur i zonës së varfër, nuk është ndryshe nga shumica e shumicës së deputetëve të majtë e të djathjtë në parlament. Ai nuk hyri kurrsesi si elefant në Tiranë sepse edhe parlamenti shqiptar nuk është dyqan porcelani. Nuk ka qenë kurrë! Për fat të keq dhe për inat të deputetit demokrat edhe cinik, edhe frankofon, Ndocaj është normaliteti i anormalitetit. Siç është dhe vetë deputeti demokrat, një i djathtë i minutës së fundit.
(Javanews.al)