Një fitore e Lulzim Bashës në PD

Nga Mero Baze

Lulzim Basha e bëri një hap përpara si Kryetar i Partisë Demokratike. Mitingu i sotëm i PD-së ishte një triumf i tij, jo aq shumë ndaj objektivit që Berisha donte t’i vinte protestës, se sa ndaj këmbënguljes së Bashës për të qenë një miting paqësor, që të testonte fuqinë e opozitës në protestë.

Për të gjithë ata që janë të qartë për rrethanat në të cilat u vendosë të bëhej mitingu një javë më parë, e kuptojnë se ishte një nga ato problemet që ia shkakton PD-së gjithmonë padurimi i Berishës për të qenë protagonist. Ai e caktoi mitingun në sallën e parlamentit, kur nuk ia doli dot të bënte betejë aty, për shkak se përmendja e djalit i humbi zërin dhe i prishi fytyrën. Pas asaj, doli jashtë, hyri brenda dy herë, deklaroi vendimin e tij që u kthye në vendim partie për protestë dhe iku.

Bashës i ngeli një barrë e madhe politike, pasi nuk duhet të zhbënte vendimin që ia imponoi Berisha dhe nga ana tjetër nuk duhet të çonte PD-në në humnerën që ai tentoi ta çonte. Dhe mendoj që ia doli.

Mitingu i sotëm nuk ka shumë rëndësi për numrin. Ai mund të ishte shumë herë më i madh, nëse do ta kishte organizuar Lulzim Basha dhe nëse Berisha nuk do ta paralajmëronte si një miting “përmbysës“, “fundosës“, “fatal“, ku populli nuk do pyeste për opozitën, por do të hynte në zyrat e Kuvendit e do merrte pushtetin. Kjo natyrisht e zvogëlon protestën. Kur i drejtohesh Tiranës dhe i thua, eja të përmbysim pushtetin, natyrisht nuk kanë ndërmend të dalin në miting grate, fëmijët dhe njerëzit gri të shoqërisë. Në një thirrje për luftë vijnë vetëm luftëtarë. Dhe mitingu i sotëm u dëmtua ndjeshëm nga këto thirrje të papërgjegjshme të opozitës, të cilat i forcoi vet njeriu më i afërt i Berishës, Visho Ajazi, i cili bëri dhe deklaratë zyrtare për persona të rrezikshëm në miting.

E gjitha shkoi në disfavor të pjesëmarrjes, por mund të shkonte dhe më keq. Deri dje në mbrëmje PD nuk vendosi dot për axhendën e mitingut dhe ishte e dyzuar, nëse njerëzit do të hynin në Kuvend apo do të shkonin para kryeministrisë. Këtu ndërhyri paksa në mënyrë hiqelare dhe shumica, e cila për t’ua forcuar idenë që do ishte një miting force, bëri sikur po mbyllte shpejt seancën, me qëllim që të irritonin turmat dhe të krijonte idenë e gjendjes së jashtëzakonshme. Vet LSI bëri një demonstrim force të frikshëm, duke bllokuar një arteire paralele me Bulevardin Dëshmorët e Kombit, çka e forconte dhe më shumë idenë se Tirana ishte në prag lufte.

Por Lulzim Basha ia doli pa bërë shumë zhurmë. I çoi njërëzit qetësisht para kryeministrisë, mbajti një fjalim të mirë siç i takon një kryetari opozite dhe e la Berishën spektator në shesh, duke turfulluar për atë që nuk u bë dot para Kuvendit. Është e vërtetë që iu desh ta mbyllte shpejt mitingun dhe bëri mirë se çdo provokim, do të prishte atë që ai bëri.

Nuk ka rëndësi pse retorika e dhunës pakësoi njerëzit, por për PD-në dhe opozitën në tërësi ka më shumë rëndësi të dëshmojë se nuk është opozitë e çështjeve të rastësishme dhe e aksioneve gueriele, të prodhuara në Kinostudiot e reja të krimit.

Mund të ketë opozitarë të mërzitur që mitingu zgjati 20 minuta dhe të tjerë që vërtetë kanë besuar Berishën që sot do përmbysnin pushtetin, por ata qetësohen. E rëndësishme është që qytetarët e Tiranës sot pas mitingut nuk kanë asnjë ndjesi negative për opozitën dhe natyrisht asnjë qejf të dëgjojnë më tej këtë telenovelë idiote, që i ka rrënjët tek ajo çfarë kanë mbjellë në politikën shqiptare udhëheqësit tanë.

Lulzim Basha ka dëshmuar sot se ka një instikt politik për ta shpëtuar opozitën nga kurthi i keqpërdorimit, përballë të cilit u gjend nga mania e Berishës për të bërë protagonistin me çdo kusht dhe në çdo lëvizje politike të Partisë Demokratike. Siç e ka zakon, Berisha do vazhdojë të thërrasë “Fitore” dhe sot, por në fakt sot fitoi një PD që nuk është e tij. Dhe ishte boll e madhe, për të mos qenë e tij.

Gazeta Tema

SHKARKO APP