Një fotografi e çastit për fushatën

 

Nga Lorenc Vangjeli/ Si pozon Veliaj, Kosova, Bojaxhi e të tjerë

Nuk ka nevojë të pihet gjithë uji i detit për t’u marrë vesh që është ujë i kripur. Edhe për të kuptuar shijen, ngjyrën, aromën apo dhe temperaturën e fushatës zgjedhore në Shqipëri, mjafton dhe vetëm një fotografi e çastit për të parë se çfarë kanë të përbashkët dhe çfarë kanë të veçantë partitë që kandidojnë kandidatët dhe kandidatët e kandiduar nga partitë.

Në Tiranë, favoriti Veliaj tenton të jetë konkret: “Kemi folur me Ministrinë e Shëndetësisë për mundësinë e një Qendre Shëndetësore. Nëse Tirana është rritur në popullsi, duhet të rriten edhe shërbimet që ofron Bashkia. Është fat i mirë që tani edhe Kashari është një lagje e Tiranës. Të njëjtat vendime që do t’i marrim për qendrën e Tiranës, do t’i marrim edhe për këtë lagje të re sepse njerëzit nuk i kemi ndarë ndonjëherë, në ca të nënës dhe ca të njerkës” – thotë Veliaj Veliaj.

“Në jetë nuk e kam humbur kurrë drejtimin. Nuk i kam prishur asnjërit familjen për të ndërtuar familjen time. E kam ndërtuar me djersë. Kam pasur dy mundësi të shtrija dorën tek ju, apo të ndërtoja diçka vetë në kohën e lirë. Në çdo hap të jetës sime, puna dhe ndërshmëria ka qenë numri një. Do më hyjë në punë zanati i rrobaqepësit. Me këtë zanat do qep xhepat e të gjithë ata që do punojnë me mua”, thotë Kosova duke dhënë një goditje të dyfishtë, morale dhe penale për kundërshtarët e tij. E ka me zotin Rama në fillim.

Kandidati i tretë në fushatën e Tiranës flet për dy armiq të përbashkët të tiranasve që ju kërkon votën.  “Çdo qytetar i kryeqytetit humb rreth 2 vite jetë nga ndotja e ajrit. Ata që rrezikohen më tepër janë fëmijët e vegjël dhe të moshuarit.  Kjo ndotje vjen nga trafiku i rënduar dhe nga ndërtimet. Të dy këto probleme janë shkaktuar nga papërgjegjshmëria e kryetarëve të bashkisë gjatë këtyre viteve, si dhe nga korrupsioni dhe abuzimi me ndërtimet” – thotë Bojaxhi.

Dy kandidatët kryesorë në garën e Tiranës Veliaj dhe Kosova janë vënë në shënjestër të sulmeve të rënda, kryesisht për të shkuarën e tyre. Veliajt i përmendet fort një kontratë ndërtimi e firmosur nga bashkëshortja e tij, por dhe pjesmarrja e saj në një firmë ligjore që ka afruar shërbime për biznesmenin gjeorgjiano-izraelit Amiran Dzanashvili. Kosova është sulmuar për veprimtarinë e tij edhe si privat, ndërtimin problematik të klinikës së tij gjinekologjike, por dhe menaxhimin që i ka bërë maternitetit kur ka qenë drejtor.

Në këtë fushatë, me sulme të kryqëzuara janë përfshirë edhe dy kryeministra. I pari Rama është në detyrën e kryeministrit, i dyti, Berisha që tashmë është ish-kryeministër. Edhe Rama, edhe Berisha kanë zgjedhur të sulmojnë me armët e tyre më të mira që kanë në dispozicion: Rama ka ironizuar në vijimësi me batuta kandidatin Kosova, kurse Berisha sipas zakonit ka goditur rëndë Veliajn me armën e tij të paharrueshme, antikorrupsionin.

Po e njëjta histori në një fotografi të çastit mund të verifikohet edhe në Durrës dhe Shkodër, dy qytete me garë interesante. Pjesa tjetër e qyteteve shqiptare ngjan se zgjohet në fushatë vetëm kur aty shkelin me rradhë Rama e Meta dhe Basha. Dhe kjo nuk është domosdoshmërisht as foto e keqe dhe aq më pak lajm i keq. Përkundrazi! Të paktën deri tani, fushata po derdh shumë ujë në det dhe deti vazhdon të jetë me të njëjtën shije, ngjyrë, aromë dhe temperaturë. Nuk ka nevojë të pihet gjithë uji i tij për ta kuptuar atë. Mjafton dhe një e dielë fushate.

javanews.al

SHKARKO APP