Një humbje, jo edhe aq e thellë
“Sepse Ben Blushi është justifikuar edhe më parë. E ka bërë në 2009, apo në 2011. Eshtë justifikuar edhe pse heshti në 2013. Tani është radha të veprojë. Përndryshe duhet të kënaqet me komplimentet që i bëjmë për librat e tij. Perfshirë edhe këtë të fundit. Pamfletin e tij politik të majtë, një libër me ide politike që e majta moderne sot i ka tezat e saj”…
Nga Sokol Balla /
Ben Blushi e humbi betejën me Edi Ramën në procedurat e Kongresit Socialist. Dhe për këtë s’kishte askush asnjë dyshim. Ndoshta vetëm Beni vetë. Eshtë e pamundur që një parti në pushtet, në kulm të mandatit të parë, një vit pasi ka rifituar një palë zgjedhje, të futet dhe të sfidojë kryetarin dhe kryeministrin. Blushi do thotë që ndodh në Australi apo Kanada, por po të ishim ne ato vende, sot do ishim ne që lëshonim ‘green card’ dhe bënim llotari për të pritur kanadezët. Në fakt, siç thotë edhe vetë Blushi, sot janë mbi 200 mijë shqiptarë që po tentojnë drejtimin e kundërt. Blushi dhe të tijtë ishin në minorancë numrash, por nuk besoj se humbja ishte aq e thellë. Kjo sepse nëse Blushi kërkoi një process që të përfshihet baza e partisë, ai e mori atë. Por nuk nuk mund të merrte gjithçka, sepse ai nuk është kryeministër, as ministër dhe as lider i një minorance të ndjeshme në strukturat e partisë dhe kongresi e vërtetoi këtë. Por kongresi nuk arriti t’i mbyllte Blushit gojën.
Përkundrazi, Kongresi në parim i garantoi atij barazinë e dëgjesës dhe për më tepër i dha atij mundësinë që të vazhdojë debatin dhe fushatën pro tezës së tij. Kongresi vendosi vërtet vetëm që t’i propozojë bazës një referendum, nëse është apo jo i vlefshëm mandati i kryetarit pas vitit 2013. Por ama nëse Blushi arrin të bindë socialistët deri në 9 prill kur do të mbahen votimet, se ai ka të drejtë dhe shumica të votojnë për pavlefshmërinë e mandatit të Ramës, atëherë ai ka fituar. Jam dakort se ndryshimet e bëra në statut, nga pikëpamja e vlerës e bëjnë nul rezultatin e referendumit, por kjo nuk i ul vlerat politike një triumfi të tezës së Blushit. Por problem qëndron pikërisht këtu.
Referendum synon të mundë psikologjikisht Blushin dhe ta detyrojë atë, që të mos marrë pjesë në fushatën paraprake brenda partisë. Ashtu siç edhe në fakt ndodhi: ai e quajti të pavlefshëm këtë referendum që ditën e shtunë. Duke paralajmëruar indiferencën e tij ndaj këtij procesi, i cili në këto kushte mund të thuhet që sot, sesi do ta ketë rezultatin. Por nëse Blushi do të reagonte ndryshe, gjërat mund të mos jenë njëlloj. Njësoj sikur një partner që ka humbur besimin te partnerja e tij dhe kjo e fundit i thotë: “Po ja o zemër, a do ta shohësh celularin vetë?”. Ky është momenti psikologjik që partneri thyhet dhe zakonisht thotë: “Jo jo s’ka nevojë”. Këtë bëri Blushi të shtunën. U dorëzua. Po sikur partneri të përgjigjej: “Ok, ma jep ta shoh celularin”? sigurisht që këtu drama mund të marrë një drejtim tjetër. Këtë duhet të bëjë Blushi sot. Të pranojë garën siç e ofrojnë rregullat e Ramës, por të luftojë ta mundë me rregullat e tij. Edhe nëse nuk e mund dot, të paktën ai vetë, edhe Rama dhe ne të tjerët do të dimë sesa peshë ka ai në PS realisht. Nëse tërhiqet vërtet mund të justifikohet e thotë se s’mund të gjykohet një garë ku ai nuk mori pjesë, por në këto kushte ai nuk do të ishte i besueshëm.
Sepse Ben Blushi është justifikuar edhe më parë. E ka bërë në 2009, apo në 2011. Eshtë justifikuar edhe pse heshti në 2013. Tani është radha të veprojë. Përndryshe duhet të kënaqet me komplimentet që i bëjmë për librat e tij. Perfshirë edhe këtë të fundit. Pamfletin e tij politik të majtë, një libër me ide politike që e majta moderne sot i ka tezat e saj. Ashtu siç thotë edhe D’Alema: për ndalimin e masave te osteritetit, për investime publike, për përkrahje sociale. Por D’Alema është në pension politik. Blushi akoma jo. Të paktën në këtë pikë, një vit para zgjedhjeve të ardhshme, këtë ai e ka akoma vetë në dorë.JavaNews.al