Një i shëruar nuk do të thotë asgjë

Nga Karlo Bollino-
Një i shëruar nuk do të thotë asgjë, rrugët prapë janë plot, emergjenca e vërtetë ende nuk ka filluar!

Optimizmi triumfalist me të cilin u shpërnda lajmi se i sëmuri i parë me koronavirus gati është shëruar, rrezikon të sjellë një pasojë bumerang shumë të rrezikshme. Edhe pse e kuptoj që në këtë moment ankthi, ekziston një nevojë e dëshpëruar për lajme të mira, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se në të vërtetë ai shërim dhe të tjerë që do të vijnë pas tij nuk do të thonë absolutisht asgjë për përballë rrezikut-pandemi. Dihet se 90-95% e të sëmurëve me koronavirus shërohen, kështu që edhe shërimet e ndodhura në Tiranë janë në një linjë me këtë tendencë botërore. Siç është në linjë me po atë tendencë edhe fakti që dy pacientë tashmë kanë vdekur në Shqipëri.

Nuk dua të jem pesimist, por statistikat që duhet të na bëjnë të reflektojmë janë ato të të vdekurve, të numrit të personave të semurë qe kanë nevojë për shtrim në spital dhe të numrit të të sëmurëve që kanë nevojë për respiratorin. Respiratorët që disponohen janë të mjaftueshëm vetëm në rast se numri i të prekurve dhe i të sëmurëve rëndë mbetet i ulët. Në rast se numri rritet mbi një nivel të caktuar, respiratorët nuk do të mjaftojnë për të gjithë dhe ndonjë do të vdesë, ndoshta, edhe pse nuk do të mund të kurohet. Kështu po ndodh në Itali dhe kudo në botë e nuk ka asnjë arsye që kjo të mos ndodhë edhe në Shqipëri.

Është shumë shpejt që të ngremë dolli për të shëruarit e parë. Emergjenca e vërtetë e koronavirusit në Shqipëri ende nuk ka filluar, ndërsa, pas hyrjes në fuqi të masave drastike të njoftuara ditë për ditë nga kryeministri, sërish rrugët janë plot me njerëz. Sot në një fushë të vogël futbolli të fshehur mes pallateve pamë të luhej një ndeshje nga disa djem, me dy të rritur, që i nxitnin duke bërtitur e pështyrë rreth e rrotull sikur të ishin në stadium. Shkollat u mbyllën jo për të luajtur futboll në mes të ditës, por për të qendruar brenda e për të mësuar në shtëpi.

Lokalet, restorantet e të gjitha aktivitetet jothelbësore u mbyllën (duke u sjellë një dëm ekonomik shumë të madh pronarëve, të punësuarve dhe shtetit) jo për të shkuar të pish kafe tek dyqani i bukës, apo për të luajtur domino njeri sipër tjetrit në trotuar, por për të qendruar në shtëpi.

Lejet për disa punonjës të administratës publike janë dhënë për të qendruar në shtëpi me fëmijët e jo për të dalë me shoqet sikur të mos ketë ndodhur asgjë.

Virusi mund të jemi edhe ne, qoftë edhe pa e ditur. Dhe jemi ne që mund t’ua ngjitim atë fëmijëve tanë, prindërve tanë, gjyshërve tanë. Edhe nëse ne shpëtojmë, të afërmit tanë më të dobët rrezikojnë të vdesin.

Masat e marra deri tani në Shqipëri, ndonëse të rrepta, nuk janë ende të mjaftueshe për ta ndaluar epideminë të shpërthejë. Rrugët ende janë të mbushura së tepërmi me njerëz. Asnjë prej nesh nuk e di se sa, mes 120.000 shqiptarëve të ardhur nga vendet e infektuara nga koronavirusi dhe kështu infektues potencialë, me të vërtetë po respektojnë vetë-karantinën. Shifra optimiste e atyre pak dhjetëra personave të zbuluar nga policia duke shkelur vetëizolimin, mund te tregojnë se në të vërtetë kontrollet nuk janë të mjaftueshme. Dhe secili prej atyre 120.000 që mund të jenë të infektuar mund të jenë miqtë me të cilët shëtisim, njerëzit me të cilët shkëmbehemi në një supermarket, fqinjët tanë me të cilët shkëmbehemi nëpër shkallë apo në ashensor, prindërit e fëmijëve që luajnë në rrugë me fëmijët tanë.
Rrugët janë aq të mbushura me makina e kalimtarë, saqë kontrollet e policisë dhe ushtrisë po dështojnë.

Në Shqipëri “garantistët” e përhershëm, që shqetësoheshin për të drejtat e njeriut të trafikantëve të cilëve shteti kërkon t’u sekuestrojë pasuritë e paligjshme, sot kritikojnë gjobat e rënda të parashikuara nga Akti Normativ për ata që shkelin rregullat e parandalimit, duke dalë edhe një herë në mbrojtje të të këqinjve. Në Itali është vendosur që kush shkel urdhërin e vetë-karantinimit akuzohet për “përhapje epidemie” dhe rrezikon 12 vjet burg! Pra, konsiderohen ashtu siç janë: vrasës.

Për të ndrëgjegjësuar opinionin pubik mbi nivelin e rrezikut, nuk ndihmon as këmbëngulja e ministres së arsimit Besa Shahini që vazhdon të paralajmërojë se shkollat do të rihapen me datë 23 mars, ndërkohë që në gjithë Europën ndoshta nuk rihapen as në muajin prill. Një qëndrim ky i ministres së arsimit që lë të besosh se emergjenca ka mbaruar, kur në të vërtetë jemi ende shumë larg.

Në Shqipëri është i nevojshëm një shtetrrethim edhe para orës 18.00, pasi virusi nuk përhapet vetëm kur është errësirë. Kërkohet një karantinë kombëtare dhe nuk është tani momenti për të llogaritur faturën financiare të dëmeve të tjera që do të sjellë ajo, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian e organizmat ndërkombëtare do të jenë në gjendje të ndihmojnë ekonomikisht, në rast se do të kemi nevojë, por askush prej tyre, askush, nuk do të mund të na ndihmojë për t’u shëruar nga sëmundja.

SHKARKO APP